E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjendja e Jashtëzakonshme" e Shqipes

Irena Kalimani/Juriste

-Gjuha është një nga simbolet e vendit dhe si e tillë duhet te mbrohet me ligj. Mesa u informova në kuadër të këtij shkrimi, ne nuk kemi një ligj të posaçëm që të mbrojë këtë simbol kombëtar. Të kërkosh mbrojtje me ligj të gjuhës, ndoshta është utopike në një realitet si ky i yni. Le ta fillojmë nga momenti kur në Shqipëri çdo nxënës pushon së mësuari Gjuhën Shqipe si lëndë të veçantë dhe jo në lidhje me Letërsinë. Vitet e fundit kjo është tendenca në arsimin parauniversitar, pra bashkimi aspak fatlum mes këtyre dy lëndëve shkollore. Ky është sipas mendimit tim gabimi i parë dhe më i pandreqshëm, pasi është e pamundur që të pretendosh një ese –detyra më e zakonshme në lëndën e Letërsisë- nga dikush, që nuk di saktësisht lidhjen e frazës, drejtshkrimin apo pikësimin e saktë. Ky i fundit për hir të së vërtetës shumë i vështirë në krahasim dhe me shumë gjuhë të tjera. Është njëlloj sikur të presim nga një fëmijë që ecën ende këmba-doras të vrapojë. Unë personalisht e vlerësoj si mëse të domosdoshme të paktën një ose dy orë Gjuhe Shqipe të mirëfilltë në javë deri në maturë. Mendoj se Gjuha Shqipe është lënda më e rëndësishme për sa u përket shkencave shoqërore që zhvillohen gjatë formimit të përgjithshëm të një qytetari shqiptar. Pra shumë herët në jetën shkollore të çdokujt nga ne hiqet dorë nga mësimi i gjuhës shqipe. Atëherë çfarë ngelet si mundësi dhe për ata pak të rinj që janë të ndërgjegjshëm se zotërimi i gjuhës mëmë është kulturë? Ta mësojmë nga librat dhe media, gjithmonë në qoftë se janë aq me fat sa t’i gjejmë të mirëpërkthyera dhe mirë-redaktuara veprat apo artikujt. E di se kërkoj shumë; sot çdo gjë është bërë thjesht për t’u konsumuar... Nganjëherë mendoj se shqipërimi është një nga profesionet më të vështira; përdora me kast fjalën shqipërim pasi, që të mund të shijohet një vepër e madhe, ai /ajo që merr përsipër ta sjellë në shqip atë, duhet medoemos t‘ia veshë bukur petkat e kësaj gjuhe. Nga ana tjetër, media e shkruar dhe ajo vizive çfarë na ofron? Besoj se kjo e fundit është pasqyra se si ne përdhosim gjuhën tonë. Gazetarë që flasin pa pikë e presje, sepse koha është par? dhe çdo sekondë që ata kursejnë në të mirë të reklamave p.sh, është në qarin e medias; por ndërkohë njerëzit e ndërgjegjshëm dhe të ndjeshëm ndaj çështjes gjuhësore duhet të vënë kujën. Për të mos folur për lajmet e shkruara që dalin në formë titrash në ekran. Ndonjëherë më duhet një fantazi e shfrenuar për të kapur kuptimin e një fraze, ku nuk merret vesh kush është kryefjala, kundrinori apo rrethanori. Nuk dua të marr përsipër në asnjë moment analiza gjuhësore, pasi nuk më takon, por dua të theksin te dy çështje thelbësore:e para, injoranca që tregohet duke e gjymtuar e sakatuar deri në shpërfytyrim gjuhën tonë dhe e dyta dëmi që po i bëjmë asaj si pasuri kombëtare, duke e përcjellë të tillë te brezat e rinj. Të jesh një njeri që flet bukur është fat dhe jo të gjithë njerëzit janë aq të stërvitur sa të jenë në gjendje ta bëjnë, aq më shumë në publik. Por të shprehesh si mos më keq kur ulesh e shkruan, dhe kjo mbase jo nga mosdija, mua më duket injorancë e dyfishtë. Mund të merret si aksiomë se ajo që shkruhet, duhet pikësëpari të kuptohet nga ai qe po e shkruan dhe këtu më lind pyetja a do ta kuptonte ai gazetari frazën që sapo ka keqshkruar n.q.s do të ishte nga dora e dikujt tjetër? Guxoj të përgjigjem “jo”, pasi n.q.s përgjigjja do ishte “po”, atëherë ne kemi të bëjmë me një tufë injorantësh që kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Termi injorant mbase është pak i fortë, por besoj se mund ta përdor duke qenë se nuk mund të marrësh përsipër informimin e dikujt tjetër, pa qenë vetë minimalisht i informuar. Po çfarë informimi mund të pretendohet nga njerëz që kanë boshllëqe që në formimin e përgjithshëm? Po t’i hymë më thellë temës së gjuhës shqipe do të vinim re se një nga mënyrat më të mira që ka në dispozicion një intelektual dhe jo vetëm, për të treguar kulturën dhe formimin e përgjithshëm është të shkruarit. Nuk mund të bëj në asnjë moment përgjithësime, në fund të fundit në gazetari si dhe në çdo profesion tjetër ka njerëz me dhe pa vlera, por misioni i gazetarit mendoj, duhet të shkojë përtej informimit drejt formimit . Në shumë vende të botës, në kohën e pasluftës, shteti organizonte kurse analfabetizmi në distancë nëpërmjet televizioneve shtetërore; në pranverën e vitit 1997, gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme edhe Radiotelevizioni Shqiptar organizoi një shkollë në distancë për fëmijët e klasave të para, për klasat e teta (kur sipas sistemit te vjetër jepeshin provimet e lirimit) dhe për maturantët. Atëherë u shpall Gjendja e Jashtëzakonshme për arsye te mbrojtjes së popullsisë, sot 16 vjet më vonë mendoj se ajo duhet të shpallet për mbrojtjen e gjuhës shqipe. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›