E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendje natyrore

Kur shohim pamjet e banesave, fushave, rrugëve - të gjitha me këmbë në ujë - pa dyshim që mendimin e parë e kemi për banorët e atyre zonave, për fatkeqësinë që u ka rënë, ndjenjën e shprehim që shqetësimi qytetar të jetë solidar me ta dhe urimi është që gjithçka të kalojë sa më shpejt dhe pa lënë shumë pasoja dhe për të mos u përsëritur më. Nuk ishte kjo dhurata që Viti i Ri duhej t’u bënte atyre. Por, nuk ke çfarë i bën në njëfarë kuptimi. Gjithmonë kam qenë skeptik për konceptime naivësh se tani historia ka marrë fund dhe nuk presim veçse rritjen progresive të mirëqenies në një botë gjithmonë e më demokratike, brenda një universi pa dramë ose ku të gjitha dramat janë luajtur në të kaluarën dhe ne nuk jemi veçse spektatorët e dramave të të tjerëve, të atyre që kanë pas jetuar para nesh. Jo, historia nuk ka mbaruar, drama edhe më të mëdha do të kemi sigurisht përpara. Kështu e kanë brezat, ca kanë pësuar luftëra mbi kurrizin e tyre, ca të tjerë burgje, internime dhe kampe përqendrim, të tjerë shumë më parë kanë përballur kryqëzatat, murtajën, leprën, brezat e tanishëm duhet të përballojnë SIDA-n, krizën ekonomike, si edhe jo pak ndryshime atmosferike e katastrofa natyrore. Duket sikur Zoti, sikurse thuhet, i jep gjithkujt mundimin e vet, çdo ditë me mundimin e vet... që i mjafton!
Nuk kemi se si, nga ana tjetër, të mos inkurajojmë në mënyrë qytetare të gjithë ata të emëruar, të zgjedhur, nëpunës civilë, shoqata, individë me zemër të madhe që ndihmojnë me aq sa munden vullnetarisht për ta përballuar me sukses këtë katastrofë natyrore, çka nuk mund të mos jetë pa pasoja për shëndetin, kapitalin trupor të njeriut, gjendjen psikologjike të tij, bagëtinë, pasuritë e paluajtshme, mirëqenien e njerëzve etj. Është kollaj të shkruash duke ndenjur para kompjuterit a të flasësh para një kamere televizive, a të përsiatesh në të thatë, në një akuarium pa ujë dhe tjetër të veprosh në terren, të gjendesh pranë njerëzve dhe të marrësh masat e duhura për ta përballuar ndeshjen me natyrën.
Ndërkaq, kthehemi te refleksionet për aq sa ato mund të jenë konstruktive për një kohë të ardhshme.
Shoqëria industriale e dikurshme, por edhe shoqëria pasindustriale e tanishme, në përgjithësi, nuk është se ka më shumë mbrojtje nga dukuritë e çekuilibruara natyrore sesa shoqëritë ta zëmë të disa shekujve më parë.
Optimistët, të cilët për vite më radhë kanë pretenduar se njerëzimi tani ka aq shumë mjete dhe fuqi sa ta kontrollojë pak a shumë natyrën dhe të jetë nën strehë mbrojtëse nga agresiviteti i saj, kanë rast për ta riparë fletën e tyre të hartimit. Jo vetëm që natyra na fsheh mistere të pafundme, por ka brenda vetes së vet energji, fuqi, forca goditëse që sado të ecim përpara si civilizim njerëzor në shpikjen dhe përdorimin e mjeteve teknike të sofistikuara, përsëri, asnjëherë nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë mbivendosje midis koncepteve, praktikave njerëzore, dhe dinamikave natyrore. Këto të fundit nuk mund të zbuten përfundimisht dhe të shtrihen pranë vatrës së zjarrit si një mace e qetë që gërhet, e lumtur nën kontrollin human të zotërve të saj. Miti prometean i një lufte gati mbinjerëzore për të marrë në përdorim mjetet e jetesës dhe vendosur nën kontroll dukuritë natyrore, zjarrin, por në raste të tjera ujin, sëmundjet, tërmetet, përmbytjet, tajfunet gjigante nuk është aspak i kapërcyer. Puna është se nuk ka libër të natyrës që ne ta lexojmë. Libri që ne kujtojmë se është i natyrës, nuk është veçse një tekst yni, tekst alternativ, që ndryshon sipas shekujve, shkruar me simbole të kuptueshme pjesërisht vetëm nga disa breza e jo më gjatë, kurse “objekti”, vetë natyra, është krejt tjetër në pjesën e vet të brendshme, e pareduktueshme në format e leximit që ne realizojmë.
Aq më shumë, sikurse edhe konferenca e fundit ndërkombëtare për mjedisin dhe ruajtjen e tij tregoi me shqetësim, problemi mbetet ende edhe më i ndërlikuar sepse vetë krijimi i energjive materiale prej njeriut, shkon për paradoks dhe në shumë drejtime shoqërohet në një dëmtim të pashoq të natyrës. Duket sikur njeriu ka hyrë në një përpjekje absurde sizifiane, ku ajo që ai krijon nga njëra anë prish njëkohësisht aq shumë gjëra të tjera, saqë i duhen pa fund energji shtesë për të korrigjuar dëmet që kanë ardhur në mënyrë të paparashikuar nga krijimet dhe arritjet e mëparshme. Duket si një rrotë mundimi... që vërtitet rreth vetes.
Hidrocentralet e mëdha sjellin elektricitet që është nga energjitë bazë të sotme për një jetë me nivel, por pikërisht edhe aty fle rreziku, sepse ato masa gjigante uji që qëndrojnë mbi kokat tona majë malesh mund ta derdhin aksidentalisht gjithë atë ujë mbi supet tona në formën e një dushi të ftohtë shkatërrimtar. Të paktën këtë rrezik malësori apo fusharaku i dy shekujve më parë nuk e kishin.
Pa pesimizëm, përkundrazi me besim të plotë te progresi, përsëri themi se duhet të mësohemi të jetojmë me rrezikun, jemi një shoqëri e riskut; risku duhet të merret parasysh në të gjitha përllogaritjet teknike, ekonomike, urbanistike, shëndetësore etj. E them këtë, sepse ende nuk jemi mësuar me konceptin dhe me praktikat e asaj që quhet “shoqëri e riskut”. Shoqëria e sotme e zhvilluar është ndofta shumë më tepër sesa ajo e mëparshmja një shoqëri e riskut. Nuk ka vend më asnjëherë të thuhet se kjo lloj energjie apo një lloj tjetër, ndërtimi i një spitali, i një krematoriumi, i një rezervuari apo i një centrali bërthamor, është një projekt me risk zero. Jo, kjo nuk mund të gjykohet në këtë mënyrë. Risku “zero” nuk është veçse një neglizhim i risqeve dhe për pasojë mund të sjellë pasoja shumë të rënda. Puna është se ka vend të mendohet nga institucionet që merren me sigurinë kombëtare se cilat janë risqet e sotme, kush duhet t’i përllogarisë risqet kombëtare dhe si të bëhet medoemos përmasa e përballimit të riskut një element përllogaritjesh qysh në fazën e projektimit të kantiereve të mëdhenj apo të vegjël ndërtimtarë.
Agjencitë e parashikimit të risqeve duhet të vendosen patjetër në statuse dhe funksione të tjera, krejt të tjera, nga ato që janë sot.
Në letërsinë klasike politike terminologjia “gjendje natyrore” ka një kuptim të caktuar. Ajo mbetet e lidhur me simbolikën që shënjon një periudhë të imagjinuar kur njerëzit jetonin pa shtet dhe pa ligje, por nisur nga kode të tjera rregulluese, të negociuara mes tyre individualisht, pa institucione autonome nga shoqëria dhe të specializuara për të vendosur rregullat dhe mbi të gjitha, ku parimi i “vetëruajtjes së jetës individuale”, si prirje natyrore e qenies së gjallë njerëzore, përcaktonte pastaj të gjitha marrëdhëniet e tjera. Por, pa dashur të hyjmë në këtë pistë arsyetimi, themi se gjithnjë e më shumë termat “gjendje natyrore” po shënjojnë edhe ato raste kur dukuritë e natyrës dalin nga kontrolli njerëzor, kapërcejnë mbi veprimtaritë njerëzore dhe derdhen përtej dhe mbi institucionet dhe krijimet e njeriut. Në këto raste, natyra duket si një luan që ka dalë nga kafazi i kopshtit zoologjik, i ka shpëtuar ruajtësit, dhe i inatosur, apo i gëzuar, endet i frikshëm nëpër qytet.
Cuname që bëjnë kërdinë mbi brigjet turistike të oqeanit, tërmete që rrafshojnë po me aq egërsi ndërtesa mbushur me banorë si në Turqi, po aq edhe në Itali, tornado të fuqishme që fshijnë nga faqja e dheut apo dëmtojnë rëndë duke i bërë të pabanueshme me qindra banesa në Shtetet e Bashkuara, përmbytje që i bëjnë njerëzit të hipin majë çative të shtëpive në shumë vende të Evropës, rrugë të mbuluara nga dëbora dhe që brenda një nate bëhen të papërdorshme duke i detyruar perëndimorët të lënë e braktisin automobilat rrëzë kodrave për t’i besuar forcës së këmbëve në marshime absurde mbi dëborë dhe nën ngricë - informacione që nuk mungojnë të na vijnë nga cepa të ndryshëm të planetit tonë fare të vogël.
Lebra, malaria, sifilizi, murtaja duken të sunduara prej njeriut së paku në botën teknologjikisht të zhvilluar, ndërkohë flama të tjera si kanceret, infarktet, sida, gripet, alzaimeri etj., bëjnë kërdinë mbi mijëra dhe miliona njerëz.
Duke iu ankuar një inxhinieri të huaj pyjesh se furtuna e hatashme kishte rrënuar mijëra pemë e shkatërruar pjesë të tëra pyjesh shekullore në një vend të Evropës, ai m’u përgjigj me sarkazëm: “Ti flet për gjendje të jashtëzakonshme sepse gjykon nga pozitat e njeriut, më keq akoma të një banori të zonave urbane. E jashtëzakonshme gjendja natyrore është ndofta për njeriun, por jo për pyllin dhe “martesën” e tij me furtunën. Pylli kështu mbijeton në shekuj, duke u shkatërruar nga era e fortë që në fakt rrëzon vetëm pemët e dobëta, i kalb ato, i bën humus ku gëlojnë mikroorganizmat, sepse pa plehun pylli shkatërrohet tërësisht. Kjo që ju njerëzit e qytetit quani katastrofë, është e tillë për njeriun, për njerëzit, sigurisht, por jo për natyrën; pylli mbijeton e ripërtërihet vetëm duke u shkatërruar pjesërisht nga furtunat e mëdha”.
Natyra është ajo që është, as e mirë dhe as e keqe. Nuk shahet asnjëherë natyra, puna është sesa njerëzit kanë aftësitë të bashkëjetojnë me të. Nuk është e kollajtë kjo bashkëjetesë. Sikurse po del tani në vende të ndryshme perëndimore, edhe roli i ekspertit në parashikimin e katastrofave natyrore apo i rreziqeve, sado i zoti dhe i pavarur të jetë ai, përsëri nuk është i sigurt.
Janë prodhuar miliona vaksina kundër epidemisë së tanishme të gripit, por ato nuk po përdoren sa duhet. Shpenzime kolosale. Duket se epidemia hëpërhë ka kaluar disi anash nesh, fatlumturisht. Por, shpenzimet për vaksinat e papërdorura janë të kushtueshme. Ekspertët e kishin vlerësuar më shumë sa duhet mundësinë e riskut. Para frikës së mbajtjes së përgjegjësive ligjore, sikurse thuhet, e kishin hapur çadrën e mbrojtjes më shumë se duhet. Janë gjykime thjesht probabël, jemi gjithmonë brenda një loje probabiliteti që askush nuk mund të jetë aq i marrë sa të thotë: “Unë e di se si do të jetë e ardhmja”. Të paguash më pak për të prodhuar miliona vaksina dhe të marrësh rrezikun e pasojave të rënda nëse ajo shpërthen më me forcë sesa mund të mendohet apo të prodhosh më shumë vaksina duke rrezikuar të bësh shpenzime të kota? - Kjo nuk është e lehtë për t’u zgjidhur.
Nuk ka ekspert apo gjykatës që e zgjidh këtë dilemë logjike.
Duke qenë kështu, kërkohet megjithatë që aparatet e vlerësimit teknik të risqeve dhe agjencitë e ngarkuara për zbatimin e rregullave ligjore dhe teknike të vendosura të jenë sa autonome, sa më të përgjegjshme për rolin e tyre, por nuk mund t’u besohet gjithçka atyre. Opinioni publik duhet të jetë i informuar dhe gjithmonë aktiv në këtë drejtim që ka të bëjë pikërisht me atë që quhet “zhvillim i qëndrueshëm”. Zhvillimi i qëndrueshëm është shumë i lehtë për t’u thënë teorikisht, por shumë i ndërlikuar për t’u zbatuar praktikisht. Mbi të gjitha ka të bëjë me një strategji të tërë, gjithmonë të pasigurt, shpërndarjesh buxhetesh kombëtare, private, të pushteteve lokale etj.
Të bëjmë më shumë rrugë, por pa pasur teknikë për pastrimin e tyre nga dëbora apo të bëjmë më pak rrugë, por shoqëruar me shpenzime për mirëmbajtjen e tyre? Të bëjmë më shumë ndërtesa shumëkatëshe duke përfituar tokë, por me nivel më pak të sigurt përballjeje tërmetesh apo t’i bëjmë më të ulëta, të harxhojmë më shumë tokë në formë trojesh, por me siguri më të lartë ndërtimesh ndaj riskut tërmetor? Janë dilema të cilat nuk zgjidhen duke pretenduar dije të sigurt, por kemi të bëjmë me zgjedhje në formë vlerësimi risqesh. Këtu kemi dy metodologji vlerësimi buxhetesh dhe politikash sociale që janë shumë larg nga njëra-tjetra. E para është autoritare dhe e tejkaluar, e dyta kërkon medoemos debat publik dhe marrje përgjegjësish në forma të shumta.
Ja që politika nuk është vetëm debat për çështje të formalizmit të proceduarave demokratike. Pa i neglizhuar aspak ato, politika dhe veprimtaria qytetare i tejkalon këta kufij të ngushtë për të shkuar drejt menaxhimit qytetar të proceseve të inxhinierisë sociale.
Aktorët politikë dhe të shoqërisë civile në zonën rurale te ne janë shumë, shumë të dobët. Federatë sindikale fermerësh as nuk ndihet, parti prodhuesish bujqësorë as që bëhet fjalë, partia ekologjiste pothuajse në shpërbërje dhe inekzistente, shoqatat ekologjiste rendin nëpër zonën urbane për projekte krejt të tjera nga ato ku shfaqen risqet e vërteta.
Politika te ne është bërë shumë urbane, ne i kemi braktisur zonat rurale, demokracia lokale është shumë e dobët, presioni i lëvizjeve ekologjiste ndaj politikave publike është pothuajse i papërfillshëm, kurse aktorët privatë në shumicën e kohës nuk mendojnë veçse për fitimin e menjëhershëm dhe maksimal të tanishëm, pa pyetur dhe menduar një sekondë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballimin e rreziqeve të mundshme që lindin vetiu.
Kjo na lejon të shpjegojmë se përse ne, sikurse edhe shoqëri të tjera, por ne më shumë se ato, rrezikojmë të rrëshqasim shpejt e shpejt nga gjendja shoqërore institucionale drejt gjendjes natyrore. Ne jetojmë si shoqëri shumë afër gjendjes natyrore në kuptimin e përdorur në këtë shkrim. Jemi shumë pak të mbrojtur nga risqet e kësaj shoqërie dinamike ku ka hyrë bota e sotme. Aq më shumë që edhe agjencitë e sigurimeve nuk i kemi të shtrira në të gjitha fushat e mbrojtjes së individit, familjes dhe kolektiviteteve. Shtëpi të pasiguruara, aktivitete të pasiguruara, të pasiguruar individët nga aksidentet nëpër punë të ndryshme, bagëti e pasiguruar... Të gjitha shenja të jetesës pranë gjendjes natyrore si tejkalim brutal dhe thyerje aksidentale prej katastrofave natyrore apo aksidenteve të rrethit mbrojtës të njeriut me norma dhe ligje.
Dikush ndërton mu sipër kokës sonë. Dikush e ka benzinatën e vet mu poshtë katit të pallatit ku banojmë. Asnjë pikë telefonie në rrugë ku mund të sinjalizohen aksidente të ndryshme. Sinjalistika rrugore prodhon aksidente. Ashensorë pa afate riparimesh. Vite të tëra pa kaluar nëpër kontrolle mjekësore dhe sisteme analizash. Gremina të pandara nga xhadeja me breza mbrojtjeje. Ilaçe që i rekomandon farmacisti në kokë të vet shitur pa receta mjekësore. Plazhe me mijëra dhe dhjetëra mijëra turistë pa qendra shëndetësore korresponduese. Derdhje ujërash të zeza tamam mbi rërën e plazhit dhe askush nuk ndihet. Pronari ndot detin dhe ndërton pishinë brenda territorit të hotelit të tij për klientët e vet. Tela elektriku që ngatërrohen bash mbi kokat tona mbajtur nëpër shtylla prej druri të kalbur, rakitike dhe në moshë pensioni të shtyre pleqërie. Kafene ku nuk ka ujë të ngrohtë për të larë enët e përdorimit. I pamësuar me mbrojtje, njeriu bëhet “trim”, duke jetuar pranë gjendjes natyrore.
Një reformë e tërë ligjore dhe administrative presim të bëhet, por ka ngecur e rrëshqet ngadalë. Jemi në kushtet e “gjendjes natyrore” në kuptimin e plotë të fjalës, pra të një shoqërie që për përballimin e riskut natyror, të katastrofave, të aksidenteve, ka pak ose shumë pak ligje dhe praktika mbrojtëse administrative. Jemi pra një shoqëri në këtë kuptim pothuajse natyrore, primitive, jetojmë afër materies dhe pa asnjë mbrojtje prej dëmeve.
Kush i mbron të tretët nga dëmet? Si do t’i sigurojmë shtëpitë tona të banimit kur për to na mohohen arbitrarisht letrat e pronësisë? Fito sot sa më shumë, mos mendo për riskun që krijon për tjetrin, për brezat e tjerë, për veten, kjo është logjika e një konkurrence natyrore, e një përzgjedhjeje natyrore, gjendje të cilën e ka tejkaluar shoqëria e ligjit. Nuk i prishëm pyjet? Nuk e zhdukëm faunën e tyre? Nuk e betonuam bregdetin? Nuk e hëngrëm tokën bujqësore? Nuk janë këto risqe që i kemi lënë si mina në fusha paslufte për brezat që vijnë? Nuk prodhojmë përditë risqe? Kolektivisht, bashkërisht. Nuk i shtyjmë kështu dukuritë natyrore që të na shërbejnë ne sot, egoistëve të sotëm, neve pra, në dëm të brezave që do të vijnë? Nuk i detyrojmë ata që të ndeshen në të ardhmen me natyrën si gladiatorët pa mburoja me tigra e luanë nëpër arena? Kushedi, mbase kjo lloj jetese na bën më të fortë, më të rezistueshëm, na lë më pranë natyrës - do të replikonte ndokush. Mbase! Por me çfarë pasojash se!
Nejse, nuk është koha për fjalë. Urojmë që dëmet të shmangen sa më shpejt e përballja e njerëzve dhe e shtetit me katastrofën natyrore të kurorëzohet me sukses. Për të nisur të mendojmë pak më ndryshe paskëtaj

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›