Frattini: Italia, rol kyç në rajon
Çfarë do të ndodhë me Mitrovicën veriore tani që UNMIK-u drejtohet nga një diplomat italian?
Unë besoj se të gjithë kanë pranuar parimin që Italia është një vend që luan një rol pozitiv në Kosovë dhe e luan në të gjithë territorin e Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë.
Ne kemi marrëdhënie të mira me Serbinë. Pra, unë e di se vlerësimi për kandidatin italian është rrjedhojë edhe e faktit që Italia e njeh dhe e ndihmon këtë zonë, mbase më shumë se vendet e tjera.
Unë jam i bindur se përfaqësuesi i lartë i zotit Ban Ki-Moon, diplomati ynë Zannier, do të dijë të punojë mirë.
Ne nuk duam që zona të rëndësishme të Kosovës Veriore të braktisen. Janë zona ku jeton pakica serbe, janë zona shumë të rëndësishme dhe mendojmë se atje duhet një kujdes i veçantë.
Liberalizimi i vizave është një problem shumë i ndjeshëm në Shqipëri, siç keni pasur mundësi ta shihni kur ishit për vizitë në Tiranë në mars. Çfarë po bëhet nga qeveria italiane në këtë drejtim?
Pritet që të gjitha angazhimet që janë marrë nga qeveria shqiptare të respektohen. Ne kemi bërë një lloj plani për veprim (road map). Pra, ka disa detyrime. P.sh, pajisja me pasaporta që të kenë të dhëna biometrike është një nga parakushtet, letërnjoftime të pafalsifikueshme, ky është një tjetër kusht, sikurse edhe mbrojtja e përshtatshme e kufijve.
Të gjithë këta elementë që shpresoj që qeveria shqiptare do të arrijë t’i vërë në jetë për një periudhë të shkurtër, do të heqin pengesat për liberalizimin e vizave. Mendoj se për Shqipërinë ky është një objektiv i arritshëm.
Ju flisni për liberalizim të vizave, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme në Itali drejtohet nga një eksponent i Lidhjes së Veriut, një forcë politike që mbase nuk është shumë dakord me këtë linjë. Si mendoni se do të mund të përputhen këto dy qëndrime?
Besoj se duhet të jetë e qartë se edhe nëse nuk ekziston detyrimi për të marrë vizë, kjo nuk do të thotë që dikush mund të vijë në Itali, të mos punojë dhe të kryejë akte kriminale.
Kur të mos ekzistojë detyrimi i vizës do të thotë që Shqipëria konsiderohet një vend i besueshëm. Sidoqoftë, nëse ka shqiptarë që kryejnë shkelje, këto shkelje do të ndëshkohen rreptë. Nëse ka shqiptarë që jetojnë në Itali dhe nuk duan të punojnë, kjo nuk është e mundur.
Pra, liberalizimi i vizave nuk do të thotë t’i hapen dyert kriminalitetit. Qeveria italiane do të vazhdojë me politikën e saj shumë serioze mbi çështjen e sigurisë.
Pse kur bëhet fjalë për luftën kundër emigracionit klandestin dhe kundër trafikut të drogës vazhdon të sillet si shembull Shqipëria ku, le të kujtojmë, vazhdon ndalimi i lundrimit të mjeteve private?
Ai ka qenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit dypalësh kundër emigracionit të paligjshëm.
Po të kishim modelin italo-shqiptar edhe me vende të tjera, me të cilët kemi kontakte dhe duam t’i zgjidhim këtë probleme, gjendja e emigracionit të paligjshëm do të ishte më e mirë.
Nëse ne nuk i bllokojmë emigrantët klandestinë që në portet nga nisen, por i bllokojmë në det të hapur, atëherë është shumë vonë.