E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi, numri i të punësuarve ka rënë me 4.6% dhe vëllimi i punimeve me 2 herë

Numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit në vitin 2007 ishte 4.6 për qind më i ulët sesa numri i të punësuarve në vitin paraardhës. Në vitin 2005, numri i të punësuarve në këtë sektor ishte 10 për qind më i lartë se në vitin 2004. Ky ritëm rënës ka nisur që në vitin 2005 dhe është rritur përgjatë vitit 2006 për të mbërritur në këtë nivel vitin e kaluar. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë me dije se, sektori i ndërtimit ka përjetuar një rënie të madhe në të gjithë treguesit. Kështu, vlera e parashikuar e ndërtesave të reja, sipas lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë vitit 2007, është rreth 2 herë më e ulët krahasuar me vlerën e një viti më parë. Vlera e lejeve të dhëna për ndërtesa zë rreth 87 % të vlerës totale të lejeve të miratuara, nga të cilat rreth 70 % është vlera e lejeve për ndërtesa për banim. Sektori i ndërtimit ka dhënë në vitin 2005 10.2 për qind më shumë paga sesa ka dhënë në vitin e mëparshëm, ndërkohë në vitin 2007 ky sektor ka dhënë 9 për qind më shumë paga, krahasuar me një vit, pavarësisht çmimeve të rritua dhe pavarësisht kostos së rritur të jetës. Vëllimi i kryer i punimeve në ndërtim në vitin 2005 ishte rreth 11.2 për qind më i lartë sesa në vitin 2004, ndërkohë që në vitin 2007 vëllimi i punimeve ishte 7.6 për qind më i ulët se në vitin 2006. Shitjet në ndërtim janë zëri që ka ecurinë më të keqe. Ato kanë rënë nga rritja prej 23 përqindësh që kishin në 2005-ën në 4.6 për qind në vitin 2007. Rritja e çmimeve të banesave, matur nga indeksi i çmimeve të banesave të llogaritur nga Banka e Shqipërisë, ka dhënë shenjat e para të ngadalësimit gjatë muajve të parë të vitit 2008, pas një periudhe trevjeçare me ritme shumë të larta rritjeje. Sipas specialistëve, ky ngadalësim i lehtë ka të bëjë me rënien me madhe të shitjeve dhe vënien në vështirësi të biznesit të ndërtimit. Rritja vjetore e indeksit ka shënuar rënie të theksuar në tremujorin e parë të vitit 2008 (rreth 0.5%) pas një norme vjetore prej rreth 17%, në tremujorin e katërt të vitit 2007. Ndryshimi i këtij indeksi nga tremujori i katërt i vitit të kaluar ishte -14.4%. Kjo normë përbën dhe rënien tremujore më të theksuar që nga fillimi i vitit 1998. Gjatë vitit 2007, mesatarisht 85% e vlerës së lejeve të ndërtimit, të miratuara për ndërtesa dhe punime inxhinierike iu atribuohet klientëve privatë dhe 15% klientëve shtetërorë. Sektori publik është përqendruar kryesisht në infrastrukturën e transportit: rrugë dhe autostrada.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›