Diplomacia dhe kurthet ndaj presidentit
Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, i cili përpiqet të mbaj distancë formale nga ky lloj komploti ndaj axhendës së presidentit, në të vërtetë është pjesë e kësaj historie. I mbetur pa imunitet parlamentar, për shkak të hetimeve ndaj abuzimeve të mundshme me tenderimin e rrugës Rrëshen-Kukës, Basha po përpiqet ta përdorë kohët e fundit rindreqjen e axhendës së presidentit si një mënyrë për t’u afruar me të dhe për ta paraqitur veten si shpëtimtar, duke shpresuar se kështu do të krijojë klimë më miqësore me prokurorinë, për të cilën beson se zoti Topi ka kontroll. Kjo keqkatandisje e shtetit shqiptar, ku secili zyrtar përpiqet të bëjë ndere ndaj institucioneve me postin e vet dhe askush nuk bën detyrën si zyrtar i shtetit, është standardi më i ulët që mund të vendosë një administratë politike në krye të vendit.
Siç thashë, ne nuk kemi aq shumë nevojë për vizita të presidentit apo kryeministrit jashtë vendit. Nuk kemi aq shumë nevojë dhe për ndonjë axhendë të ngjeshur diplomatike. Por ajo, për të cilën nuk do të kemi nevojë kurrë, është kjo që po ndodh, përdorimi i axhendës diplomatike për luftë të institucioneve kryesore të shtetit ndaj njëri-tjetrit.
Vizitat e vonuara të presidentit në Francë dhe Itali lënë një shije të hidhur në këtë drejtim, jo pse ato do të sillnin ndonjë zhvillim historik në raportet mes këtyre dy vendeve, por do të na krijonin idenë e një shteti normal. Kurthet banale ndaj këtyre vizitave na krijojnë imazhin e një shteti primitiv, të cilin do ta vuajmë gjatë.
Nëse i hedh një sy vizitave diplomatike jashtë Shqipërisë, ne jemi prej kohësh të përfaqësuar nga një kryeministër që vazhdon flet, atje ku nuk flitet më shqip, për luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që shtypi botëror e lakon për skandalin e armëve, dhe nga një ministër i Jashtëm pa imunitet për shkak të akuzave për korrupsion. Është mirë që ky kontrast të thyhet dhe qytetarët shqiptarë të mos informohen për këto vizita nga kronika të vetëregjistruara të këtyre drejtuesve jashtë Shqipërisë, por nga lajme konkrete që vijnë nga këto vizita. Përdorimi i diplomacisë shqiptare si mekanizëm për të promovuar më shumë se duhet rolin e kryeministrit, nuk i bën mirë së pari kryeministrit, pasi iu mbush përditë e më shumë mendjen dyshuesve në Perëndim, se ai qeveris i vetëm dhe nuk pranon askënd as sipër dhe as rrotull tij. Dhe, në qoftë se personalizimi i qeverisjes brenda vendit është real dhe nuk ia vë më askush në dyshim, personalizimi i imazhit të Shqipërisë jashtë vendit nuk është një dimension që lartëson figurën e Shqipërisë. Brenda vendit e njohin dhe nuk ka asgjë të keqe që e ka marrë gjithçka përsipër, pasi së paku kemi një emër për të dështimet. Jashtë Shqipërisë, nuk ka nevojë t’iu kujtojmë diplomatëve vetëm Gërdecin dhe historinë e rrugës Durrës-Kukës. Kemi dhe një histori tjetër më normale që mund ta prezantojmë.