“Delijorgji”, Spahiu kërkon shkarkimin e 3 gjyqtarëve që e shpallën të pafajshëm
Rekursi i akuzës
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Apelit në Durrës konfirmuan në fillim të prillit se ankesa e Prokurorisë së Apelit të Durrësit për vendimin e Gjykatës së Apelit në këtë qytet që i dha pafajësinë pronarit të kompanive “Alb Demil” dhe “Përparimi” sh.a është regjistruar në Gjykatën e Lartë që në janar 2008. Sipas tyre, prokurori i çështjes nuk ka qenë dakort me vendimin e Gjykatës së Apelit në Durrës, të 17 dhjetorit 2007, i cili rrëzoi si të pabazuara akuzat e ngritura ndaj Mihal Delijorgjit. Lirimi nga këto akuza mësohet t’i ketë hapur më pas rrugën Delijorgjit të lidhë kontratat me ndërmarrjen shtetërore “Meico” në lidhje me demontimin e armëve. Rihpaja rrugë e rigjykimit duket se shënon edhe rihapjen e dosjes për tre gjyqtarët që liruan biznesmenin, i cili tashmë ndodhet në bankën e të akuzuarve si një nga përgjegjësit kryesore të tragjedisë së Gërdecit, ku gjetën vdekjen 26 persona, u plagosn dhjetëra të tjerë, si dhe u dëmtuan mbi 5 mijë shtëpi e biznese.
Procesi
Delijorgji kishte qëndruar në paraburgim në vitin 2006 për pak ditë, kur ndaj tij u ngritën akuzat e “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shmangies nga detyrimet doganore” dhe “Evazionit fiskal”, në vlerën 1.2 milionë euro. Por, disa ditë më pas, me anë të një garancie pasurore prej 1 milion eurosh, Delijorgji fitoi lirinë. Një vit pas kësaj ngjarjeje, Gjykata e Apelit në Durrës, përmes prokurorëve ushtarakë të “huazuar” nga Tirana, rrëzoi akuzat e ngritura nga Prokuroria në adresë të tij, duke pretenduar se provat ishin të pamjaftueshme. Disa ditë më pas akuza depozitoi recurs në Gjykatën e lartë, ndërkohë që pas tragjedisë së Gërdecit, hetimet për Delijorgjin rinxorën në skenë edhe çështjen ku ai fitoi lirinë. Në fakt, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e dënoi Mihal Delijorgjin me një gjobë prej 10 milionë lekësh të reja për akuzën e kontrabandës me mallra të tjerë. Po kjo gjykatë u shpreh në vendimin e saj se Delijorgji duhej të shlyente të gjitha detyrimeve që kishte ndaj shtetit. Por, ky vendim është ankimuar nga avokatët e biznesmenit në Gjykatën e Apelit të Durrësit, e cila i dha pafajësinë të dyshuarit për kontrabandë dhe evazion fiskal.
Shmangia e detyrimeve, Delijorgji u akuzua që në vitin 2004
Mihal Delijorgji u akuzua fillimit në vitin 2004 nga doganat kur janë regjistruar shmangiet e para të detyrimeve. Kështu, nga dokumentet në proces, mësohet se, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bërë kallëzim penal dhe ka vënë në dukje shmangien nga detyrimet për firmën “Përparimi” sh.a në pronësi të Mihal Delijorgjit. Mësohet se doganat, së bashku me misionin e BE-së, “CAM Albania” kishin bërë një hetim paraprak përmes Drejtorisë së Hetimit për shmangien e bizneseve të Delijorgjit nga detyrimet. Më pas, kjo dosje e krijuar gjatë këtyre hetimeve është depozituar në Prokurorinë e Durrësit, ku janë ngritur akuzat penale në adresë të biznesmenit.
Delijorgji, përveç kontrabandës, akuza edhe për falsifikim
Sipas dosjes, përveç akuzës për kontrabandë dhe evasion fiscal, ndaj Delijorgjit ka patur akuza edhe për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve, sipas nenit 190 të Kodit Penal. Si rrjedhim i kontrabandës, prokuroria, gjatë hetimeve të saj ka arritur në përfundimin se Mihal Delijorgji gjatë këtij aktiviteti kishte kryer edhe veprat penale të evazionit fiskal dhe shmangies së detyrimeve doganore të cilat u rrëzuan nga gjykata. Mihal Delijorgji, pronar i disa bizneseve të hekurit dhe skrapit është akuzuar sipas nenit 174 të Kodit Penal të Shqipërisë se ka kryer veprën penale të kontrabandë me mallra të tjera, të cilat i ka transportuar brenda dhe jashtë vendit, duke deklaruar më pak në doganë se sasia e ngarkesave e si rrjedhim duke paguar më pak. Si rrjedhim i kontrabandës, prokuroria gjatë hetimeve të saj ka arritur në përfundimin se, Mihal Delijorgji, gjatë këtij aktiviteti kishte kryer edhe veprat penale të evazionit fiskal dhe shmangies së detyrimeve doganore, të cilat u rrëzuan nga gjykata.