E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfiskohet argjend dhe medikamente

Nga Express më 16 mars 2011 në ora 18:06

Njësitet e Doganës së Kosovës gjatë një kontrolli në pikën kufitare të Vërmicës kanë zbuluar dhe konfiskuar 1.7 kg sasi të argjendit, ndërsa pas një operacioni të kontrollit në tre barnatore që gjenden në oborrin e QKUK-së, janë konfiskuar edhe një sasi e barnave pa banderola, prodhim i Serbisë.

Aksionet e njësiteve të Doganës janë kryer dje pasdite dhe malli i konfiskuar tashmë i është referuar sektorit për kundërvajtje doganore.

Përmes një komunikate për media Dogana e Kosovës bëri të ditur se sasia e argjendit ( 1.715 gr - një kilogram e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gram) është gjetur tek automjeti i tipit Audi A6 (karavan) me targa Shqipërisë dhe drejtohej nga një shtetas kosovar.

“Gjatë kontrollimit detal të automjetit të lartpërmendur, në brendi të automjetit të ulëset mbrapa, më saktë te vendi i ndihmës së parë, i cili vend shërben edhe si mbajtës dore, kemi gjetur tre paketime me argjend të cilat pala nuk i ka deklaruar. Malli është konfiskuar dhe është plombuar, derisa rasti i referohet sektorit për kundërvajtje doganore”, tha zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Ndërkaq Dogana e Kosovës ka ndërmarr edhe një operacion kontrolli në tre barnatore që gjenden në oborrin e QKUK-së, me ç’rast në dy prej tyre janë gjetur medikamente pa banderola.

“Është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e medikamenteve të prodhuesit “Galenika” nga Serbia dhe të prodhuesit “Jugoremedia” po ashtu nga shteti i Serbisë, sasia e përgjithshme e konfiskuar është: 933 njësi - lloje të ndryshme të barërave, 270 njësi ampula të prodhuesve të ndryshëm dhe
18 copë pajisje parafarmacie, të gjitha këto pa dokumente (fatura) për prejardhjen mallit”, bëri të ditur Stavileci.

Dogana e Kosovës gjatë ushtrimit të kontrollit kishte ftuar edhe inspektoratin e AKPM-së që asistoi në identifikimin e produkteve të pa licencuara. Pas përfundimit të kontrollit barnat iu dorëzuan AKPM-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›