Gjenerali i NATO-s, Gerhartz: Perëndimi s’është në luftë, por as në paqe prej kërcënimit rus

Gjenerali Ingo Gerhartz, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Brunssum ka deklaruar se vendet perëndimore nuk janë në luftë, por nuk jetojnë më në paqe për shkak të kërcënimit rus.
Këtë deklaratë gjenerali e bëri gjatë konferencës së sigurisë në Berlin, gjenerali theksoi se duhet ndërtuar jo vetëm një ushtri e fortë, por edhe një shoqëri rezistente.
Në të njëjtën kohë, Gerhartz pranoi se Rusia vëzhgon me vëmendje debatet politike, burokracinë dhe përpjekjet jo gjithmonë të shpejta për të rritur kapacitetet prodhuese në Evropë – dhe këto dobësi i shfrytëzon për të minuar besimin te Aleanca.
Rusia shpreson se me taktika hibride (dezinformim, sulme kibernetike, provokime) do të krijojë çarje në mburojën e NATO-s, do të përçajë aleatët dhe do të ndajë shoqëritë perëndimore.
Gerhartz siguroi se NATO është e përgatitur për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj ndaj sulmeve në shkallë të gjerë dhe theksoi nevojën për një “mentalitet force” që tregon gatishmëri për të mbrojtur gjithçka që ka rëndësi.
Sipas tij, lufta në Ukrainë ka treguar se sa shpejt evoluon teknologjia dhe si sistemet ushtarake mund të bëhen të vjetruara brenda pak javësh. Prandaj Perëndimi ka nevojë urgjente për sisteme me efekt të fortë parandalues para se të fillojë ndonjë luftë – që të dërgojë sinjal të qartë: kushdo që sulmon do të goditet thellë në territorin e vet strategjik.
“Ne nuk kemi kohë deri në 2029, 2035 apo 2040. Duhet të veprojmë tani,” tha gjenerali.
Ai e quajti reagimin e NATO-s ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronët dhe avionët rusë si “të saktë, të qetë dhe të matur”, por pranoi se kjo nuk do ta ndalojë qeverinë ruse të përdorë nesër një tjetër mjet hibrid.
/rtsh.al/