E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenerali i tezave të vdekura

Ndërhyrjet në media të pretendentit per "fronin"e Nobelit, I.Kadare, këto vitet e fundit të lënë përshtypjen e një shkrimtari që ka braktisur profesionin. Përpjekjet për të diskutuar identitetin e bashkëkombasve te tu dhe këtë në mënyrën e çuditshme të kthimit prapa, është një rast i vçantë krahasuar me popujt e tjerë të shumë vendeve ku diskutimet për identitetin pothuaj janë vulosur dhe për më tepër insinuata të transformimeve inverse të identiteteve duke glorifikuar ato të shkuarin në raport me atë aktual, nuk ekzistojnë. Jemi dakort se identitetet e popujve ndërrojnë në rrjedhat e historisë kjo si pasojë e nje sërë faktorëve, por shohim se Kadare e pranon lëvizshmërin e identitetit me kahje të kundërt me historinë ku edhe kërkon pastaj stampimin njëherë mirë të saj.
Lëvizje të tilla mekanike duke lënë anash faqe të historisë të ngërthyera me ndenjat e shqiptarëve në shekuj, duan ta paraqesin Shqipërinë dhe shqiptarët e ketyre 5-6 shekujve të fundit, jo vetëm si të paaftë në përzgjedhjen e identitetit të tyre por edhe si "viktima"të pazotë të kësaj "nate"të zezë. Identiteti evropian i shqiptarëve është një fakt që më shumë se ideologjik është faktor gjeografik dhe se evropianizmi nuk përbën përkatësi fetare. Në këtë logjikë atëherë ne duhet të thonim se identiteti i spanjollëve jugore apo i siçilianëve është ai islam për arsye të 8-9 shekujve të civilizimit islam të Korodovës apo Siçilisë, që për nga gjatësia është pothuaj i njëjtë me atë kristian të shqiptarëve.
Mënyra se si ai e sheh historinë dhe identitetin e shqiptarëve me syzet e veta qe edhe pse të bardha, për nga fotokromatizmi, errësohen, na lënë të kuptojmë se influenca që si rrënjë kanë bolshevizmin e verbojnë atë. Shkarja e Kadaresë nga balanca e gjykimit të një intelektuali të vërtetë, në njëanshmërinë e dukshme të tifozllëkut, njëkohësisht dhe fatkeqësisht shënon edhe shkarjen e një miti. Tomas Arnold nuk do të ishte dakort me Kadarenë kur thotë : "Është e mjerueshme ajo që autorë të ndryshëm flasin që shqiptarët janë detyruar të ndërrojnë fenë me presione të dhunës e haraçeve të paligjshme. Për këtë shpesh përdorin shprehje të përsëritura (tautologjike). Këto autorë nuk japin të dhëna se a janë të argumentuara akuzat e tyre apo jo."(Thomas W. Arnold:”Përhapja e Islamit në Shqipëri"Farlati vell. VII fq.31)
Po ashtu historiani i famshëm H. Gibbon nuk do të ishte dakort me Kadarenë në qasjen që ai i bën perandorisë osmane kur flet se kjo e fundit ka patur si qëllim zhdukjen e Evropës. Gibbon thotë :”Nuk janë turqit ata që kanë pushtuar tokat evropiane. Një kombësi e re e përbërë nga elementë turq dhe nga mjaft përfaqësues të popujve të krishterë kanë bërë të mundur krijimin e perandorisë së pafundme osmane"(H. Gibbon "Themelimi i Perandorisë Osmane Oxford 1916 fq.80-81).
Koloneli anglez Link në veprën e tij "Udhëtim nëpër Shqipëri"të vitit 1804 shkruan: ”Shqiptarët bëheshin muslimanë sepse kjo fe pajtohej me natyrën e tyre dhe nuk toleronte përuljen, martirizimin, servilizmin dhe ofendimin”. Po ashtu as Arsitidh Kola në veprën e tij "Arvanitët"të vitit 1985 nuk do të ishte dakort me Kadarenë kur thotë : " Nuk ka ekzistuar absolutisht anjë rast kthim feje me dhunë nga ana e turqve."Identiteti shqiptar që njëkohësisht është edhe identitet evropian pikërisht u ruajt dhe mbijetoi në sajë të islamizimit të shqiptarëve, fenomen ky që ndaloi njëherë e mirë asimilimin e kombit nga presioni shumë shekullor sllavo-grek .
"Realisht feja islame me vetitë e saj toleruese, kulturës shqiptare nuk ia mbylli perspektivën e zhvillimit evropian, por i la mundësi të mëdha për t'u zhvilluar mbi shtratin e traditës etnike, për t'i kultivuar më tutje, vlerat e seleksionuara të kulturës shqiptare..... Islami nuk ishte fe turke dhe as fe e pushtuesit, por ishte sa fe e turqve aq edhe e shqiptarëve dhe e të tjerëve, dhe se turqit muslimanë osmanë, paraqitnin vetëm pakicën sunduese."(Dr. M. Pirraku "Roli i Islamit në integrimin e Shqipërisë Etnike dhe të kombit shqiptar"fq 83)
Nuk mund të shpërfillet dhe poshtërohet në këtë mënyrë një bosht civilizues dominues për të gjithe botën për 5 shekuj siç ishte Perandoria osmane. Historiografisë komuniste zëdhënës i së cilës bëhet Kadare, i kundërvihet studiuesi i nderuar Prof dr. Petrika Thëngjilli kur thotë: ”Qytetërimi islam në kuptimin e gjërë të fjalës nuk përfshin vetëm anët kulturore dhe arsimore, siç kuptohet shpesh por edhe jetën ekonomike, politike dhe gjyqësore. Nga kjo përvojë mund nxjerrim vlera pozitive që mund t'i shërbejë së tashmes dhe të ardhmes dhe të bëjë pjesë në fondin e artë të qytetërimit botëror”. (Prof.Dr. P. Thëngjilli " Pushteti gjyqësor në shtetin osman në shekujt XVII-XVIII).
Vlerat kombëtare siç është edhe rasti i letërsisë shqipe në shekuj duhen ruajtur sepse janë identiteti yne kulturor, Ky parim baze është themeli në kulturën e një kombi. Denigrimet e ¬çfarëdo lloji për më tepër kur thuhen nga ata të ashtuquajturit baballarë të letrave shqipe nuk lënë një shije të mirë, për më tepër edhe kur vërtetohet ekzistenca brilante e letrave shqipe edhe në të ashtuquajturën epokë e "errët”.
"Letërsia e njohur si letërsi e bejtexhinjve, alhamida shqiptare e shkruar me një sintaksë shqipe të mirëfilltë dhe e përhapur në të gjitha viset shqiptare nuk ka qenë me ndikim të kufizuar siç pretendohet në disa histori letërsie, por ishte pranë jetës së shqiptarëve. Ajo që e shpuri përpara dhe që e mbajti në jetë deri më sot, është fryma e saj universale dhe shoqërore arsimuese shqiptare, sociale revolucionare tej mase për kohën kur qe shkruar, lirike anakronike, kritike kastiane, arsimuese, romantike dhe liridashëse. Pjesa më e madhe e kësaj letërsie u shkrua në vargun tetë rrokësh të poezisë popullore, e ndihmoi poezinë popullore vçanërisht lirikën dhe përgatiti rrugën për letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Që në mesin e shekukllit XIX u bë objekt i studimit të albanologëve më në zë themelues të albanistikës si Hahni etj. (Dr. M. Pirraku po aty fq. 85. "Çështje të studimeve albanologjike, II 1987. "Gjurmë të shkrimeve shqipe në Kosovë”. "Gjurmë albanologjike IX"1979. J.G.Hahn ”Albanische studien"II Jena 1854 fq. 123-150).
Historia nuk është dakort me pohimet të tilla për errësirë, lëtyrje prapambetje, mbyllje shkollash, luftë kundër shqiptarëve kristiane, që paskan shoqëruar shqiptarët dhe historinë e tyre gjatë 5 shekujve. Në Arkivën Qëndrore të Shtetit Shqiptar gjenden dokumenta të rëndësishme të cilat katërcipërisht hedhin poshtë tezat e vdekura të Kadaresë për intolerancë. Më poshtë po japim disa nga shumë shembujt të historisë së pushtetit osman të ilustruara me fermane origjinale të Sulltanëve të asaj kohe. Origjinalet secili mund t'i kërkojë në Arkivën e Shëtit.
- Ferman i Sulltanit për lejimin e rindërtimit të kishës së rrënuar të Shën Harallambit në Kamenicë të Sarandës (viti 1862 AQSH F140D17 fl.1)
- Ferman i Sulltanit që urdhëron të mos ndërhyhet në ullishtën pas ankimit të bërë nga i krishteri Naum (viti 1736 AQSH f128.d213 fl2).
- Ferman i Sulltanit për të drejtat e zotërimit të pronave nga prifterinjtë e Delvinës. (viti 1712 AQSH f140 d6 fl.1).
- Ferman i Sulltanit që u ndalon spahinjve që të lypin taksa arbitrare priftërinjve të kishës së Delvinës për pronat kishtare. (viti 1680 AQSH f.140 d3 fl.1).
- Ferman i Sulltanit për ndërtimin e shkollës së Nokovës (v.1902 AQSH f.39 d47 fl.1)
- Ferman i Sulltanit dërguar prefektit të Beratit ku njeh të drejtat e Metropolitit të Beratit (viti 1853 AQSH f128 d50 fl.55)
- Ferman i Sulltanit për meremetimin e kishës së Shënkollit Elbasan (viti 1849 AQSH f143 d128 fl.1)
- Ferman i Sulltanit ku të parit të Mirditës i jepet grada e gjeneralit të brigadës dhe dekorohet (viti 1856 AQSH f10 d1 fl.5)
- Ferman i Sulltanit ku thuhet "Mbasi katolikët e Durrësit nuk kanë një faltore dhe janë lutur që të ndërtojnë një kishë në një vend të përshtatshëm, dhe pasi dëshira ime është që të gjithë shtetasit të gëzojnë qetësi të plotë, dhashë leje që të ndërtohet kjo kishë e re dhe urdhërova që të mos bëhet asnjë pengesë apo ndalim dhe të mos i merren asnjë para. (viti 1856 AQSH f 131 d 1 fl.1)
- Ferman i Sulltanit dërguar priftit dhe kadiut të Delvinës mbi marrjen e masave ndaj personave që ndërhyjnë në pronat e kishës, (viti 1699 f140 d5 fl.1)
- Ferman i Sulltanit për ndërtimin e kishave në lagjet Goricë dhe Mangalem të Beratit (viti 1842 AQSH f128 d55 fl61)
- Dorëshkrim origjinal në gjuhën shqipe të "Divanit të Mezin Frakullës"(viti 1730 f43 d2 )
Në këtë valë tolerancë mund të përmendim e Kuvendi osman i Shqipërisë kishte edhe deputetë kristianë si:
- Anxhelo Efendiu Deputet i Shkodrës 1876 (Reslim Kitap vell.1 fq 321)
- Filip Efendiu Deputet i Shkodrës 1876 (Reslim Kitap vell 1 fq 321
- Mishel Efendiu Deputet i Korçës 1908 (Osmanli Mebushar Albumu).
Duhet të jetë një lapsus i Kadaresë kur koalicionin ushtarak të Aleancës Atlantike (NATO) e quan "krahu i armatosur i qytetërimit të krishterë perëndimor”, duke harruar se pjesë shumë e rëndësishme e saj është Turqia pasardhëse e civilizimit otoman . Pastaj kjo logjikë do të na conte të mendonim se ndërhyrjet ushtarake të kësaj aleance në Lindjen e Mesme paska qene thellsësht me sfond fetar. Nese NATO nuk e ka bërë këtë as me deklarata e as me vepra, atehërë zëdhënës i kujt është Kadare? I sollëm këta shembuj për të treguar se kur nuk arrin të kuptosh popullin tënd atëherë definicionet nuk mund të jepen të sakta dhe se të jesh shkrimtar i mire nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh historian apo vëzhgues i mirë.
Historia, realiteti ndjenja kombëtare, shpirti i popullit tënd nuk është thjesht një roman.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›