E Diel, 1 Nëntor 2026

Ukrainë, revolucioni i revolucionit!

Në garën zgjedhore për 450 vendet e parlamentit Ukrainas morën pjesë jo pak por 45 parti politike. Rezultatet paraprake, të hidhura për presidentin Jushçenko, tregojnë se blloku i tij "Ukraina Jonë" mbetet në rreth 17 %. Partia e bashkëpunëtores së tij të ngushtë në protestat që sollën revolucionin portokalli në nëntorin e 2004-s, tashmë rivalja kryesore politike, Julia Timoshenko, ka arritur sukses të madh me rreth 23% të votave. Rezultatet paraprake ashtu si edhe anketat parazgjedhore tregojnë në krye me rreth 25 %, partinë pro-ruse të Janukoviçit.
Përçarja politike brenda revolucionistëve në muajt që ndoqën revolucionin, paaftësia për të ruajtur bashkimin dhe stabilitetin politik, vështirësitë ekonomike dhe mbi te gjitha kriza energjetike që ndokush e cilësoi si hakmarrje të Rusisë ndaj qeverisjes së re, dëmtuan rëndë reputacionin e Jushçenkos. Ajo pjesë e elektoratit portokalli e zhgënjyer nga Jushçenko u drejtuan për nga zonja oligarke, karizmatike Julia Timoshenko e cila njihet për përkrhajen e reformave rrënjësore liberale dhe orientimin perëndimor. Shtatorin e kaluar nën presionin e problemeve ekonomike dhe politike si dhe akuzave për korrupsion, Jushçenko u detyrua të pushojë kryeministren e atëhershme Julia Timoshenko dhe gjithë kabinetin e saj. Pas kësaj, rivaliteti që ekzistonte që në fillimet e demostratës mes dy personave më të rëndësishëm të kampit pro-Perëndimor, u bë edhe më i dukshëm. Timoshenko e cila ishte në krye të demostratave, e gjeti partinë e saj në opozitë, dhe që atëherë nuk i ka fshehur ambiciet e saj për t'u rikthyer në postin e kryeministres. Suksesi i saj dhe performanca e dobët e Jushçenkos në zgjedhjet e fundit, duket se do jenë përmbushja e këtij qëllimi.
Megjithëse ende asgjë nuk është e sigurtë, zgjedhjet e fundit mund të ribashkojnë nën një strehë figurat kryesore te revolucionit. Analistët parashikojnë një "koalicion portokalli" mes Jushçenkos, Timoshenkos dhe Partisë Socialiste. Megjithë suksesin në zgjedhjet e djeshme Timoshenkos, e cila ka deklaruar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale dhe më parë se nuk do të bëjë koalicion me Janukoviçin, nuk i mbetet tjetër veçse të lërë mënjanë konfliktet e mëparshme dhe të formojë koalicion me Jushçenkon. Presidenti Jushçenko është në dijeni të dështimit të tij në zgjedhjet e fundit, si edhe të performancës të dobët të qeverisë pas revolucionit. Megjithëse për këtë janë shkaktarë shume faktorë ekonomiko-politik të brendshëm dhe të jashtëm presoni Rus ose paqëndrueshmëria dhe tensioni politik që detyrimisht dëmton edhe ekonominë, përgjegjësia bie kryesisht mbi shpatullat e presidentit aktual. Kështu që Jushçenkos mund t'i duhet të lërë mënjanë krenarinë politike dhe të pranojë emërimin e Timoshenkos ne postin e kryeministres së re të vendit.
Në të njëjtën kohë një koalicion portokalli i munshëm do të jetë edhe zgjedhja ideale për të penguar ardhjen në fuqi të Jukanoviçit. Në një vend ku demokracia nuk është konsoliduar ende ardhja në fuqi e tij do të sillte mundësinë e një rikthimi në të kaluarën, e padëshiruar për pro-perëndimorët që përbëjnë pjesën më të madhe, por jo dërrmuese, të popullsisë Ukrainase. Megjithëse është vështirë një rikthim në kohët e Kuçmas, popullsia pro-Ruse nuk e konsideron të humbur luftën për të qëndruar përkrah Rusisë ashtu si vendosën të bëjnë vetëm një javë me parë zgjedhësit në Bjellorusinë fqinje ku Lukashenko cilësuar nga shumëkush si diktatori i fundit në Europë, fitoi bindshem zgjedhjet duke marrë mbi 82% të votave.
Vetë Rusia që e ka forcuar pozicionin e saj ekonomik dhe politik nën qeverisjen e presidentit Putin, duket sikur nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për ta rikthyer Ukrainën në zonën e saj të influencës. Vendet e ish-BRSS si Ukraina, kanë qënë në qendër të vëmendjes se shtypit dhe analistëve ndërkombëtarë, falë ndryshimeve që po pësojnë. Në një pjesë të mirë të këtyre vendeve, të cilat shpesh dënohen nga perëndimi për standartet e ulëta demokratike, opozita ka organizuar demostrata masive paszgjedhore që sollën "revolucione ngjyrash" në Ukrainë, Gjeorgji dhe Kirgizstan. Rezultatet e zgjedhjet në vende si Ukraina, kanë rëndësi përtej një ngjarjeje të brendshme në politikën e një vendi, prandaj edhe ndiqen nga afër nga opinioni ndërkombëtar dhe ndikohen jo vetëm nga dinamika të brendshme por edhe nga një luftë e ftohtë moderne ende me retorikë ideologjike por tashmë për arsye ekonomike, që bëhet mes gjigandëve botërorë si ShBA, BE, Rusia ose Kina. Mbetet për t'u parë se cila do jetë pala fituese jo vetëm brenda Ukrainës por edhe jashtë saj, si edhe sa do t'i shërbeje kjo fitore popullit Ukrainas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›