E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kallashnikovët e Goranit?!? Ne, hvảla*!

Kryeqyteti im dhe i 3.5 milionë shqiptarëve të tjerë, është mbushur me postera prej ditësh. Silueta e një burri me kaçurrela të zeza, u kujtonte kalimtarëve se Tirana do të kishte fatin e madh që të vizitohej nga serbo-kroati Goran Bregoviç. Kompozitori i njohur vinte me një orkestër të tërë… Mu kujtuan kohrat kur për herë të parë dëgjova muzikën e tij, nga filmi i Emir Kosturicës "Koha e Ciganëve”… dhe pastaj vijuan edhe të tjerat. Muzika cigane e Bregoviçit do të zaptonte shpejt ritmet sllave, greke, turke dhe shqiptare. "Kallashnikovi"i tij, do të më ndiqte nga pas nëpër stacionet e radiove të mesnatës, në kohën tonë "të artë"universitare. Sëfundi në Tiranë mediat shqiptare nxituan t`i bëjnë reklamën performacës dynetëshe të serbo-kroatit. Nuk dyshoj aspak në vçantinë e tij si artist, si një nga kompozitorët më të mëdhenj ballkanas. Mendoj se mund të bëj paqe me Kallshinkovët e tij. Tjetër është ajo që më shqetëson. Nuk mund të bëj paqe me ndjenjat e mia. Me ato ndjenja kur në udhët e një kryeqyteti të një vendi dhe kombi tjetër, protestoja me miq të tjerë shqiptarë, para asmbasadës që përfaqësonte mendimet dhe qëndrimin e Goranit. Nuk mund të bëj paqe me shpirtin që më dhimbte kur merrja vesh, se Gorani dhe Goranët e tjerë mbështesnin atë që iu bë sllovenëve, kroatëve, bosnjakëve dhe në fund kosovarëve. Një miku im boshnjak do më thonte se forcat serbe që mbanin të rrethuar Sarajevën në 1993-ish organizuan edhe turne gjahu njerëzor, ku qindra "parallinj" të sëmurë psikikë nga Europa, Rusia apo Amerika provonin shënjestrën e tyre mbi boshnjakë fatkeqë në qytetin e vdekjes! Bregoviçi ra në rrjetën e tyre, dhe i mbështeti. Radovan Karaxhiç, lideri politik i serbëve të Bosnjes, ideatori politik i masakrave dhe ish-gjenerali Ratko Mlladiç, ideatori ushtarak i gjakderdhjes janë gjallë, mirë e shëndoshë në Serbi dhe Mal të Zi. Ndërsa Gorani është në Tiranë. Askush nuk u përgjigj për dhjetra mijëra të vdekurit, për vuajtjet që i shkaktuan njerëzimit në epilogun e mijëvjçarit të dytë. Një nga të arrestuarit e Hagës lideri serbo-boshnjak Babiç vrau veten në qeli, ndërsa Kasapi i Ballkanit, me thënien e kryeministrit shqiptar "mori nga Zoti dënimin e merituar”. Askush nuk u dënua. Personalisht i kam dënuar e stërdënuar Karaxhiçët e Mlladiçët brenda meje, Millosheviçin disa herë me vdekje, edhe pas vdekjes. E bëra në emër të drejtësisë, vlerave themelore të njerëzimit, në emër të Kosovës, që nga pak na ka dhëmbur të gjithëve. Goranin nuk e kam gjykuar, por ja ku erdhi koha për ta gjykuar dhe dënuar. Unë nuk shkoj në koncertin e tij. Ky është dënimi im për të, dhe jua sugjeroj edhe miqve të mi të mos e bëjnë. Goran Bregoviç ishte ndër artistët që mbështetën me zë të lartë masakrat politiko - ushtarake. Ata e vranë artin e tyre, ndërsa ishte ai që do t`i bënte të pavdekshëm, dhe u ngatërruan në fekalet e politikës dhe nacionalizmin e verbër. S`kam asnjë paragjykim për artin dhe muzikën serbe. "Lane Mojen"e dëgjoj me kënaqësi dhe e ruaj në kompiuterin tim. Kam patur rastin të njihem edhe me artistë të tjerë nga Serbia, për të cilët ushqej respekt. Ne shqiptarët jemi nga kombet me më pak komplekse në fushën e artit e aq më tepër në muzikë. Muzika greke, turke, italiane, sllave dhe ajo perëndimore në tërësi, është po aq e mirëpritur sa muzika shqiptare në ambjentet tona. Nuk ndodh kjo as në Itali, as në Greqi, as në Turqi apo Serbi. Sepse në dimë të respektojmë, dhe të bëhemi pjesë e vlerave të të tjerëve. Por unë nuk mund të respektoj ata që sadopak, shpirtërisht dhe moralisht u bënë palë e masakrave më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore në Europë . Ndaj do ta quaja tradhëti ndaj ndjenjave të mia, ndaj atyre thirrjeve që nxorrëm nga gjokset sëbashku me bashkëkombas të mi, para ambasadës serbe në kryeqytetin e largët, kur dënonim ato që Millosheviçët dhe beniaminët e tij bënin në Kosovë, ende pa u mbyllur plaga e Bosnjës. Jam vetëm një ndër 3.5 milionët që i them mirëseerdhe në Tiranë kompozitorit të madh, por për të shkuar në koncertin e tij, të orkestrës së Martesës dhe Funeralit i përgjigjem: "Ne, hvảla*!”

*Jo, falemnderit!(Serbisht)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›