E Diel, 1 Nëntor 2026

Izrael, zgjedhjet pa zgjidhje

Partia Kadima e formuar nga Sharoni vetëm disa javë para shtrimit në spital, me në krye kyreministrin aktual Ehud Olmert, është fituesja e zgjedhjeve në Izrael. Kadima arriti të marrë 28 vende në zgjedhjet e të hënës, më pak se ç’parashikonin anketat dhe shpresonin drejtuesit e saj, kryesisht si pasojë e pjesëmarrjes relativisht të ulët në zgjedhje. Partia Punëtore e Amir Peretzit ka siguruar 20 vende në parlamentin 120 vendësh, ndjekur nga Shas me 13. Likud e drejtuar nga Netanjahu pas ndarjes së partisë së Sharonit, ka pësuar një humbje të rëndë dhe rradhitet e pesta me 11 vende, pas partisë popullore mes emigrantëve ardhur nga vendet e ish Bashkimit Sovjetik, Yisrael Beytenu (Izraeli Shtëpia Jonë), e cila ka siguruar 12 vende ne Parlamentin Izraelit, Ksenet.

Për kryeministrin e përkohshëm Olmert, vështirësitë fillojnë pas fitores në zgjedhje. Formimi i një koalicioni të nevojshëm për të qeverisur prej të paktën 61 vendesh në parlament, nuk do të jëtë një detyrë e lehtë. Kadimas do t’i duhet të sjellë bashkë parti me platformë zgjedhore krejt të ndryshme nga e saja. Premtimi i saj kryeser gjatë fushatës elektorale ishte caktimi i kufijve përfundimtarë të Izraelit brenda 4 viteve, me ose pa pëlqimin e Palestinezëve. Populli dhe partitë Izraelitë janë tepër të përçara për sa i përket politkës që duhet ndjekur me Palestinën. Ndërkohë që mund të arrijë marrëveshje për sa i përket çështjeve ekonomike-sociale, Olmert nuk do t’a ketë të lehtë të bindë partitë e koalicionit për vazhdimin e tërheqjes së njëanshme të filluar nga Sharon.

Fitorja madhështore, surprizë për botën dhe vetë Hamasin në zgjedhjet e Janarit e ndjekur nga qeverisja qe filloi zyrtarisht këtë të mërkurë me kryministër Ismail Hanijan, e komplikojnë më tej gjendjen ne rajon. Bashkësia ndërkombëtare e përfshirë në procesin e paqes në Lindjen e Mesme papritur e gjen veten larg vendimeve në rajon; partia fituese në Izrael është e vendosur të veprojë njëanshmërisht dhe një organizatë e cilësuar terroriste fiton zgjedhjet në Palestinë. Kanadaja deklaroi se i ndërpreu ndihmat për Palestinezët pas ardhjes në fuqi te Hamasit, ShBA-ja ka deklaruar se nuk do ofrojë ndihma dhe nuk deshiron të ketë kontakte me një qeveri të Hamasit, BE-ja edhe pse me një ton më të butë mban të njëjtin qëndrim. OKB-ja mban ende një qëndrim të hapur, duke dhënë shpresa për bashkëpunim, ndërsa Rusia, pala e katërt në planin e fundit të paqes për rajonin qe ende nuk ka dështuar Harta e Rrugës (Road Map) nuk ngurroi të ftonte liderët e Hamasit në Moskë, në fillim të muajit Mars. Mbështetja politike dhe ndihmat ekonomike për autoritetet Palestineze është në nivelin më të ulët, dhe fatkeqesishit pasojat direkte bien mbi kurrizin e popullit. Jeta është bërë edhe më vështirë në një Palestinë me kufij të kontrolluar nga Izraeli dhe të varur nga ndihmat ndërkombtare.

Por më tepër se e vështirë ajo është bërë edhe më e pasigurtë jo vetëm për Palestinezët por edhe për Izraelitët. Po të shihet historia e shkrutër por intensive e rajonit, do të vihet re që popujt dhe liderët e të dyja palëve nuk shquhen për mirëkuptim me njëri-tjetrin. Do duhej një mrekulli për një paqe të mirëfilltë mes një qeverie Izralite, që megjithë kundërshtimin e ndërkombëtarëve, kërkon të vazhdojë ndërtimin e murit ndarës duke shkelur rezolutën 242 të OKB-së pasi anekson një pjesë të tokave Palestineze dhe izolon tërësisht pjesën tjetër, dhe një qeverie Palestineze me në krye Hamasin që pretendon se të gjitha tokat në te dyja anët e murit i përkasin Palestinës. Në votimet e fundit në Izrael fituan bindshëm partitë qe premtuan mirëqënie ekonomike dhe siguri, në Palestinë populli nuk ia dha votën bombave por një force të re të pakorruptuar, me shpresën se kjo do të sjellë paqe, liri dhe përmirësim të kushteve të jetesës. Dyshoj se ëndrra e dy popujve për paqe dhe mirëqënie mund të jetë tepër e brishtë për të përballuar vështirësitë në rrugën e gjatë të përmbushjes së saj. Mënyra më e lehtë për të derdhur më tepër gjak në rajon pas zhvillimeve të fundit do të ishte braktisja e bashkësise ndërkombtare, e cila do të miratonte një besim të vjetër të përhapur në popullatën vendase se eklipset sjellin fatkeqësi.

*Marrdhenie Ndërkombëtare, Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme, Ankara-Turqi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›