E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjenerali i ushtrisë së vdekur" shkon në Shkup

Këto ditë, personazhet e "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur" janë rizgjuar. Në sallën e provave të Teatrit të Shkupit jepet e merret për të krijuar imazhin përfundimtar të tyre. Prej pak kohësh puna ka nisur për të sjellë një version të ri teatror të kësaj pjese, mbështetur mbi romanin e shkrimtarit Ismail Kadare. Është regjisori i njohur boshnjak Dino Mustafiç, i ftuar për t‘i dhënë konceptin e tij regjisorial kësaj pjese në skenën e Shkupit. Një dramatizim tërësor i është bërë pjesës posaçërisht për këtë projekt. Adem Karaga, drejtori i Teatrit të Shkupit shprehet se ka qenë dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj, ai që e ka përshtatur veprën për këtë vënie skenike. Më parë u fol se një version i mundshëm mund të kishte qenë një dramatizim i bërë nga i ndjeri Serafin Fanku. Sipas Karagës provat tashmë kanë filluar, por një version përfundimtar i tekstit do të përcaktohet këto dy ditë, për të vazhduar punën normalisht. Bajrush Mjaku, Xhevdet Jashari, Mysherete Llozhana, Adem Karaga e të tjerë është kasti i aktorëve i përzgjedhur për t‘i dhënë jetë personazheve, të njohura për publikun e gjerë shqiptar. Realizimi i kësaj premiere u propozua nga Karaga që në kohën e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes tre teatrove shqipfolëse, Tiranës-Shkupit-Prishtinës. Një hap që u prit me entuziazëm edhe nga komunitetet teatrore. Por "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" nuk arriti të ishte fryt i një bashkëpunimi të tillë. "E propozuam që kjo shfaqje të realizohej mes Tiranës-Shkupit dhe Prishtinës, por këto dy teatro nuk iu përgjigjën financiarisht projektit. Për shkak se buxhetet parashikohen në fillimviti, do të duhej të ishte biseduar më parë", shprehet Karaga, duke theksuar se "kjo nuk do të thotë që bashkëpunimi nuk do të vazhdojë në të ardhmen". Para se të niste faza e provave, regjisori Mustafiç bëri një vizitë edhe në Tiranë me synimin për të kontaktuar dhe për të zgjedhur ndonjë aktor të mundshëm shqiptar që do të luante në këtë pjesë. Pati disa bisedime, por si përfundim duket se nuk u ra dakord për një zgjedhje. I vetmi nga rrethi artistik shqiptar, që i është bashkuar shfaqjes, është koreografi Gjergj Prevazi. Ndërsa për muzikën e pjesës do të kujdeset këngëtarja e njohur shqiptare e xhazit, Eda Zari, e cila jeton prej vitesh në Gjermani, por e pranishme në disa festivale muzikore nëpër botë. Regjisori Dimo Mustafiç do të synojë që të ngjisë në skenë një vepër që përcjell mesazhe bashkëkohore. "Duhet të kemi parasysh se vepra e shkruar prej Kadaresë është shumë bashkëkohore pavarësisht kohës kur është shkruar. Pikërisht duke u mbështetur te ky modernizëm, regjisori Mustafiç do të sjellë një shfaqje teatrale që qëndron jo vetëm si ngjarje e një kohe të caktuar, por që dialogun për situatat në të cilat ndodhemi", thekson Karaga. Në funksion të konceptit regjisorial, balancat mes personazheve të pjesës kanë ndryshuar. Përveç figurave qendrore të gjeneralit, plakës Nicë, priftit, të tjera më pak të theksuara në roman, marrin peshë përmes veprimeve të tyre. Nga dinamika e ndryshuar e ngjarjeve, sipas Karagës do të shohim ushtarë, varrtarë, të burgosurin e mullixhiut, prostitutën etj. "Tmerre të tilla të përshkruara në vepër nga Kadare i gjejmë edhe sot në të gjithë Ballkanin. Të gjallët dhe të vdekurit në ditët e sotme janë kaq afër sa këtij Ballkani do t‘i duhet të vazhdojë të kërkojë të vdekurit. Dhe pyetja e madhe apo reflektimi që do të përcillet nga skena teatrore ka të bëjë me të ardhmen: Ku do të shkojmë apo ku do të na çojë kjo situatë?", thotë drejtori i Teatrit të Shkupit, duke iu referuar edhe mesazhit që kërkohet të përcillet përmes shfaqjes. Kjo nuk është hera e parë që vepra përshtatet për skenë. "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" ka qenë një frymëzim edhe për disiplina të tjera të artit. Nëse Teatri Kombëtar i Tiranës do të ishte bërë pjesë e këtij projekti, atëherë për të do të shënohej premiera e dytë e kësaj shfaqje. Kujtojmë se në vitet ‘70, "Gjenerali..." është vënë me regji të Piro Manit dhe me një grup aktorësh nga emrat më të mirë të historisë së teatrit shqiptar, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më. Naim Frashëri, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Vangjush Furxhi, Anastas Kristofori, Prokop Mima, Gjon Karma, Fatos Haxhiraj, Luan Qerimi, Ferial Alibali, Mimika Luca, Violeta Manushi, Besa Imami, Drita Pelinku, Marije Logoreci, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Shkëlqim Basha, Ilia Shyti, Xhemil Tagani, kanë sjellë atëkohë një shfaqje të suksesshme që bëri turne edhe në skena të tjera shqiptare, përveç asaj të Teatrit Kombëtar. Ndërkohë, për ata që i përkasin një brezi të mëvonshëm, gjenerali që kërkon eshtrat e ushtarëve të rënë në tokat shqiptare, plaka Nicë e personazhet e tjera, janë përjetësuar nga filmi i Dhimitër Anagnostit në vitin 1989, "Kthimi i ushtrisë së vdekur". Shfaqja e regjisorit Mustafiç do të jetë një version i ri i kësaj pjese. Mustafiç, i cili është edhe drejtori i "Mess Festival Sarajevo" ka një përvojë të gjatë në teatër, duke punuar me tekste të emrave të njohur botërorë si Sartri, Jonesko, Mrozhek, Molier, Koltes, Shekspir, Wilder, Dorfman, etj. Gjatë viteve të karrierës ka punuar si regjisor për dokumentarë, për shou muzikorë, por ka realizuar edhe një film që pati jehonë, "Remake".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›