E Shtunë, 31 Tetor 2026

Themelvënës i kritikës letrare shqipe

Arshi Pipa vjen në skenën shqiptare, në vitet 1912-1944, momenti i artë i letrave shqipe. Në këtë kohë, krahas Mjedës, Çajupit, Asdrenit etj. , shkruanin; Fishta e Konica, Skiroi e Santori, Kuteli e Koliqi, Noli e Migjeni, Poradeci e Haxhiademi etj. Çasti i ndritshëm, në kuptimin letrar, si frymë dhe tekstologji e ligjërimit letrar, rryma dhe shkolla letrare, e bëri të pashmangshme shqyrtimin në optikën kritikës letrare. Pra, realiteti letrar modern, liruar prej prangimesh patriotike, diturake dhe fetare, krijon gjasat e interpretimit të faktologjisë artistike. Ardhja e Pipës, me shkrimin letrar autorial, e veçmas me plotninë e vetë si poet, kritik dhe studiues, ishte fatlume për letrat shqipe. Vepra kritike e Pipës, si model, dëshmi dhe si shenjë, është një pikëpërkim i habitshëm me nivelin teorik dhe ligjësoritë e letrares. Shqyrtimet e tij, zbulojnë se ka gjasa dhe vlerë që të flitet për kritikë, nëse ka shenja literariteti, përndryshe kritika letrare shndërrohet në fasadën e përpëlitjes letrare. Prurja e Pipës, e rrafsheve teorike dhe tekstologjike, biografike dhe ideore, e zemëratës dhe pohimit, shënjon një realitet më vete, që ka në fokus letraren, por që është shndërruar edhe vetë në letrare. Pra, Pipa, vjen në arenën e letrave shqipe, atëherë kur duhet, siç e pohon vetë: …kritika zhvillohet mbas nji periode pjekunije o së pakut mbas nji prodhimi letrar të mjaftueshmë… (2006: 6), ku dëshmohet hedhja e themeleve të kritikës letrare shqipe, si institucion. Kritika letrare, përpara Pipës, ka njohur disa nivele ligjërimi: Kritikë letrare përshkrimore, tekste dhe kontekste, me ngjyresa reaguese dhe shprehësi recesionale, personale dhe me zemërim, kronikë dhe polemikë e pastër, çka shënjohet në faqet e "kohëtores" "Albania" të Konicës.

Kritika e gërshetuar me kahje teorike, që gatit kushtet për fillesat e shkrimit kritik, e cila preket në shqyrtimet e Fishtës, në "Hylli i Dritës", të Skiroit dhe Koliqit në shtypin e kohës.

Kritika me tezë angazhimi, social dhe ideologjik, me introduktat e Nolit, të cilat shoqërojnë shqipërimet e tij. Parathëniet ideore, çelin udhën letërsisë me tezë shërbese, e cila kulmon me gjedhin letrar socrealist. Në këtë tip kritike janë edhe shkrimet e N. Bulkës, Dh. Shuteriqit, V. Koçës, T. Zavalanit etj. , që botonin në faqet "Bota e Re", ku lëshonin thirrje për letërsi të re.

Kritikë pohuese/pozitiviste, pra që i ndërthur vlerësimet për autorin edhe me analizën e tekstit, e cila shoqëron botimin e librave, e ku veçohen shënimet e Kutelit, të lidhura me poezitë e Emineskut, Poradecit, Nolit.

Kritika letrare studimore, me epiqendër psikanalizën e Frojdit, që megjithatë nuk shkëputet prej shtysave jashtëletrare, e cila kulmohet me studimet e Krist Malokit.

Me tekstet e A. Pipës zë fill kritika si institucion letrar-kulturor, që jo vetëm dekodon letraren, por i vendos themelet e saj, duke i ndërlidhur me kulturën dhe qytetërimin. Kritika si institucion, si shenjë e vetëdijes dhe përndritjes, lajmohet nga vetë ai, kur shkruan: N‘art e ndër letra, në shkencë e në filozofi, e deri në fe, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë. Kritika asht sheji i mendjes së pjekun.(2005: 163), sipas autorit themelvënës të kritikës letrare, si vetëdije e përtrimjes kulturore, por që hapi edhe themelet e kritikës si institucion i gjerë i vlerave të qytetërimit. Tekstet kritike, formatojnë qartazi institucionin e kritikës letrare, sepse shqyrtimet e Pipës, përherë bashkëjetojnë me materien tekstologjike. Kritika letrare/metatekstet, që dekodojnë letërsinë, tashmë është kthyer në institucion rrezatues kulturor. Kritika letrare e Pipës merret me qëmtimin e letrares, si dhe me lirimin e pengimit prej faktorëve jashtëletrarë. Vepra studimore dhe kritike e A. Pipës shndërrohet kështu në institucion dhe materie shkencore, që shërben si shtrat i kritikës letrare në shqip. Ky përfundim, i verifikueshëm në metatekstet kritike, të shpie tek faktorët e interpretimeve kritike të autorit:

Në radhë të parë: Botimi i revistës "Kritikë", i pari organ i specializuar për kritikën, kryer në vitet ‘43-‘44, themeluar nga Pipa, duke e shpërndërruar këtë lami të mendjes, në një institucion funksional të botës shqiptare. Kritika letrare e mëparshme ishte vërtet shumëformëshe, polemizuese e denigruese, recesionale e ideore, hyrje librash të përkthyera, por letraren e kundronte si shërbesë ndaj rrafsheve joletrare.

Në radhë të dytë: Metatekstet kritike, realizuar në faqet e revistës "Kritikë", dëshmojnë vendosjen në qendër të materies tekstologjike dhe dukurive letrare. Përqendrimi në tekstin letrar, në kreativen dhe receptuesen (marrësin), është shenjëzimi i funksionit të kritikës letrare.

Në radhë të tretë: revista "Kritikë" shenjon aparatin kritik, me objektin dhe nivelin e vlerësimit të letrares. Interpretimi dhe shqyrtimi i teksteve, ku do veçoheshin trajtesat për De Radën, Migjenin etj., të cilin e zbërthen në jetën dhe vlerat letrare të poezisë dhe prozës së tij, si dhe vështrimet për prozodinë e shqipes, në vargëzimin klasik dhe modern, tregon jo vetëm themelet e kritikës moderne, por që ende nuk janë kapërcyer nga kritika shqipe. Në radhë të katërt: shkrimet e Pipës, llojet e kritikës, ligjëratat dhe shqyrtimet e krijimtarisë së Montales, Camajt, Kadaresë etj., po kaq edhe sendërtimin e dhjetëra eseve, interpretimet studimore të përqasjes midis Dantes dhe Montales, të ligjëratave teorike të artit dhe filozofisë, përmbushin zbrazëtirën në lëmin e kritikës dhe studimeve letrare të shqipes. Në radhë të pestë: perfomanca teorike dhe praktika shkrimore e Pipës në lëmin e kritikës letrare, tashmë në distancë kohore, pra si një pasvajtje e domosdoshme, kryen edhe funksionin e një pasqyre për të parë nivelin e përdorimit dhe të shërbesës të shkencës letrare zyrtare të socrealizmit, po ashtu edhe të kritikës letrare rakitike të shërbesës ndaj ideologjisë dhe sistemit diktatorial. Në radhë të gjashtë: metatekstet kritike njëherësh e shkëpusin kritikën shqipe nga rrafshet empirike dhe polemizuese, pavarësisht ngjyresave të një zemërate të hapur, si dhe e fusin në hullinë e trajtesave shkencore, gjithnjë në kërkim të shenjave estetike, porse bashkëngjitur me të, shqyrtimet e gjera të Pipës çelën shtigjet e interpretimeve strukturaliste dhe filologjike, tekstologjike dhe semiotike, që shpërfaqet më vonë në trajtimet dhe librat e I.Rugovës, S.Hamitit, M.Raifit, A.N.Berishës, K.M.Shalës etj. Dija teorike moderne sugjeron se metakujtesa/metateksti krijon gjasat e komunikimit me letraren, madje e të jetuarit më vete si tekst dhe frymë shprehëse. Metateksti i Arshi Pipës ngrihet mbi një tekst gjuhësor, që zakonisht bën jetë autonome. Vehtësia e tekstit kritik, si verifikim, buron prej shqyrtimit të letrares, e cila krijon hapësirë të re përmes përthyerjes shkencore dhe subjektive. Kritika e Pipës, trashëgimia më e vyer e tij, e lënë jashtë rrymave të shqyrtimit letrar, për mote dhe shkaqe absurde, bart mbi vete disa shenjime të prekshme: shenja pohuese të teksteve, me ngjyrime të mirëfillta kritike letrare. Pohimi si optikë shqyrtimi ka të bëjë me qëmtimin dhe gjurmimin, verifikimin dhe pohimin e vlerave letrare, duke gërshetuar interpretimin me qëndrimin e autorit. Shenja shqyrtuese/zbërthyese, pra si një verifikim dhe shqyrtim të letrares, ku bie në sy interpretimi i dukurisë migjeniane, sipas kodeksin estetik. Shenja analitike/sintetike e qasjes ndaj veprës letrare, si tekst. Shenja konotative/ngjyruese e metatekstit, që tenton dhe rrok letraren. Kritika e Pipës, përveç interpretimit të formës, përmbajtjes dhe shprehësisë, shenjon edhe një rast unik, tashmë kritika bëhet vetë letërsi dhe komunikon si letrare.

Shenja letrare/gjuhësore, si faktologji e ndërthurjes së analizës dhe zbërthimit të letrares, ku ligjërimi i variantit të gegnishtes fakton dyfishim gjuhësor dhe letrar, pra duke përfshirë kritikën filologjike në historinë e gjuhës shqipe.

Shenjën e strukturës/shprehësisë, shqyrtimet e kërkojnë në vatrat letrare. Shenjimi dhe ndërlidhja e këtyre tipareve dhe atributeve dëshmon gjeninë shkrimore në lëmin e kritikës letrare. Shenja verifikuese i jep metatekstit kritik një ngjyresë kërkimore, në qëmtim të letrares. I.Rugova, një prej zërave të shquar të kritikës në kohërat moderne, nënvizon: "Ai e përkufizon kritikën si rikrijim të veprës artistike… si letërsi për letërsinë". Përmasat letrare të Pipës, ku kritika letrare ka peshën specifike dhe kryesore, dëshmohet në klithmën e Camajt, i cili shprehet: "Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë vetëm atëherë kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë dhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të mëdhenj si Arshi Pipa, që zbulojnë dobinë që shenjtëron vepra e Pipës, krijuesit dhe mendimtarit të thekur të botës shqiptare në modernitet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›