E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali ose Diplomati

Një gjeneral francez dhe një diplomat gjerman janë pretendentë për të udhëhequr Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, pasi të largohet Yves de Kermabon, kanë thënë burime të Gazetës Express.

Kermabon ka paralajmëruar se do të largohet nga EULEX’i më së largu kah fundi i këtij viti, por nëse Brukseli gjen së shpejti një zëvendësim për të, kjo do të ndodhë disa muaj më herët.

Burime ndërkombëtare kanë përmendur dy emra, të cilët konsiderohen pretendentët kryesorë për të zënë karrigen e Shefit të Misionit më të madh të BE’së në botë.

Njëri nga ata, Xavier Bout de Marnhac, është gjeneral francez njëjtë si Kermabon, kurse tjetri është gjermani Herbert Salber, diplomat karriere që aktualisht punon në OSBE.
Për gjenerali De Marnhac, Kosova nuk është vend i panjohur. Ai ka shërbyer në vendin tonë gati dy vjet të plota.

Ai ka udhëhequr trupat e KFOR’it në një periudhë të ndjeshme për Kosovën, përfundimin e negociatave për statusin si dhe gjashtë muajt e parë pas shpalljes së pavarësisë.

Ndërkaq, në vitet 2005-2006 si zëvendëskomandant i trupave të NATO’së në Kosovë.

Mes viteve 1993 dhe 1996, De Marnhac ka qenë këshilltar për inteligjencë i ministrit francez të Mbrojtjes. Tri vite më vonë ai është bërë pjesë e Agjencisë Franceze për Inteligjencë (DGSE), ku fillimisht ka qenë zëvendësdrejtor për operacione, ndërkaq katër vite drejtor.

Pretendenti tjetër, Herbert Salber, është drejtor i Qendrës për Parandalim të Konflikteve në selinë e OSBE’së në Vjenë, që nga gushti 2006.

Trajnimi i tij në diplomaci përfshinë edhe qëndrimin në Beograd dhe Nikaragua, në fund të viteve 80’të. Më pastaj ka përfaqësuar Gjermaninë në misione të ndryshme diplomatike, në OKB dhe OSBE. Ai ka mbajtur poste të ndryshme në Ministrinë e Jashtme dhe ambasada të ndryshme gjermane.

Salber ka vizituar disa herë Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të OSBE’së dhe është takuar shpeshherë me liderët më të lartë të vendit.

Ndryshe, Yves de Kermabon ka ardhur në krye të EULEX’it në shkurt të vitit 2008. Viti i parë i qëndrimit në Kosovë i ka shkuar në pritje të aprovimit për zbarkim në të gjitha pjesët e vendit dhe marrje të përgjegjësive në fushën e sundimit të ligjit, të cilat i mbante UNMIK’u.

Ai është kritikuar për pasivitet të EULEX’it, për nënshkrimin e protokollit për bashkëpunim policor me Beogradin dhe për gjendjen në pjesën veriore të vendit.

Javëve të fundit, reputacioni i Misionit është ngritur për shkak të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

EULEX ka paralajmëruar se i ka në thumb të dyshuarit për korrupsion nga të gjitha partitë politike që kanë qenë në pushtet, por edhe serbë në Veri, të dyshimtë për përfshirje në krim të organizuar dhe kërcenim të sigurisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›