E Shtunë, 31 Tetor 2026

GND mbështet sovranitetin dhe integritetin e Kosovës

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi bindshëm kanë deklaruar se Kosova nuk është vend i inkriminuar nëse dikush përpiqet ta paraqes atë si të tillë, ndërkohë kanë mirëpritur mbështetjen që u jep EULEX-i institucioneve të Kosovës në zbatimin e rendit dhe ligjit. Krerët e Republikës pas takimit me përfaqësuesit e Grupit Ndërkombëtar Drejtues e kanë vlerësuar Kosovën si storie të suksesshme, e cila paraqet një tabllo të mirë të zhvillimit, ndërkaq Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith ka shprehur qëndrimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Duke folur në emër të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, shefi i ICO-së Piter Feith ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe institucionet e saj kanë përparuar dhe po konsolidohen, duke shënuar përparime në zbatimin e planit të Ahtisaari.

“Gjithashtu mund të them qëndrimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ne e mbështesim fuqishëm atë dhe gjithashtu shfaqim përkushtimin tonë të përbashkët për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tuaj”, ka thënë Feith.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shprehur përkushtimin e tyre për zbatimin e plotë të Planit të Ahtisaarit dhe për përmbylljen e suksesshme të pavarësisë së mbikëqyrur, ndërkohë u kanë bërë ftesë përfaqësuesve të vendeve të Grupit Ndërkombëtar Drejtues që të japin një ndihmë të veçantë për njohje të mëtejshme të Republikës së Kosovës.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka theksuar se institucionet e Kosovës e mirëpresin mbështetjen që u jepet nga komponenta e EULEX-it dhe me rëndësi është që në asnjë mënyrë politika të mos përzihet dhe të mos i diktojë çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë.

“Çdo shtet në nismën e vetë ka nisma të tilla. Kjo natyrisht që për Kosovën mund të thuhet se ka përballje me fenomene që në një formë a një tjetër mund të quhen si pjesë e përpjekjeve nganjëherë të drejtpërdrejta për të zbeh imazhin e vendit, por ajo që e them dhe e përsëris është që Kosova është me tabllo të mirë të zhvillimit të saj. Them po ashtu se Kosova nuk është e inkriminuar, flas nëse dikush dëshiron ta lexojë asisoj për fenomene të caktuara, por janë njerëzit, që s’mund të them numra apo emra, që eventualisht mund të kenë rënë në kundërshtim me ligjin me sjelljet e tyre. Prandaj ligji duhet të veprojë dhe organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e vetë”, ka thënë Sejdiu.

Edhe për kryeministrin Hashim Thaçi, Kosova është storie e suksesshme dhe se askush nuk mund ta paraqes si vend të inkriminuar.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se nuk do të ketë tolerim për askënd dhe se hetimet do të përfshijnë gjithë periudhën dhjetëvjeçarë duke nisur nga 10 qershori i vitit 1999.

“Askush shtetin tonë nuk mund ta paraqes të inkriminuar, sepse nuk është i inkriminuar. Përkundrazi është strorie e suksesit në ndërtimin e shtetit demokratik. Vendosmëria e qeverisë dhe institucioneve është aty se ne kemi arritur që pas 10 vjetëve të heshtjes ndaj korrupsionit dhe tolerimit të tij, të marrim vendimin për ndërprerjen e këtij trendi të rrezikshëm dhe ndihem mirë që gradualisht po jemi në vijën e parë apo në ballë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në këtë drejtim nuk do të ketë kompromis. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe gjithçka do të fillojë nga 10 qershori 1999 e deri në ditët e sotme dhe në gjithë territorin e Kosovës, pa asnjë interferim politik”, ka thënë Thaçi.

Deklaratat e krerëve të Kosovës janë inkurajuese për Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar Piter Feith, i cili duke folur në emër të përfaqësuesve të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është proces i vështirë, por është domosdoshëm, sepse është ndër kërkesat kryesore që Kosova t’i afrohet Bashkimit Evropian.

Ky proces, sipas tij, është i domosdoshëm edhe për faktin se garanton investime në Kosovë, jetë më të mirë për qytetarët dhe kthen besimin e tyre tek institucionet e vendit.

“Është shumë e rëndësishme ajo që kanë theksuar edhe presidenti edhe kryeministri se hetimet nuk do të mund të bëhen subjekt për politizim dhe ndërhyrje politike. Institucionet e drejtësisë së Kosovës janë në krye të kësaj lufte duke u mbështetur fuqishëm nga EULEX-i, por përgjegjësia kryesore është e tyre për të ecur më tej me këto hetime”, ka thënë Feith.

Takimi i sotëm me Grupin Ndërkombëtar Drejtues, sipas krerëve të institucioneve të Kosovës hapi një kapitull të ri për Republikën e Kosovës në prag të prezantimit të opinionit në Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku pas këtij opinioni presin të ketë njohje të reja dhe proces integrues edhe më të shpejtë për në NATO, BE dhe OKB. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›