E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambicia e Albinit

Dy ditë pas vendimit për të hyrë në garën politike, Lëvizja Vetëvendosje pretendon se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të arrijë të bëhet forca më e madhe politike në Kosovë, por analistë politikë nuk parashikojnë se subjekti i ri mund të marrë këtë numër.

Njëri nga udhëheqësit e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, sqaron se ku mbështeten pritjet për fitoren subjektit të tij.

“Nga vullneti që kemi parë në terren, nga hulumtimet del se Lëvizja Vetëvendosje mund të dalë si subjekti i parë politik”, ka thënë Konjufca për Express, të dielën.

Sipas tij, Vetëvendosja do të merr vota nga qytetarë të zhgënjyer të Kosovës, që kanë bojkotuar zgjedhjet, pa e përjashtuar edhe votuesin e partive aktuale.

“Kemi një simpati tek të gjitha shtresat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

“Ne do t’i synojmë të gjitha shtresat e qytetarëve të Kosovës. Do të përqendrohemi kryesisht te të rinjtë, por pa i përjashtuar as pensionistët, studentët, arsimtarët, mjekët, të varfëritë, të papunët, shtresën e mesme dhe natyrisht edhe bizneset”, ka shtuar ai.

Konjufca pajtohet se shumica e votuesve aktualë janë tifozë të partive politike, por thotë se kjo praktikë do të ndryshohet dhe do të krijohet një qytetari politike që kërkon llogari nga udhëheqësit.

Ai ka thënë se përkrahja dhe simpatia që gëzon Vetëvendosja te qytetarët, presin të shndërrohet në kontratë politike dhe në vota.

Në pesë vitet e fundit, udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje vazhdimisht i kanë thirr qytetarët e Kosovës për bojkot të procesit zgjedhor, kurse në zgjedhjet e ardhshme do të shohim Albin Kurtin duke kërkuar vota, sikurse e bëjnë të gjithë liderët aktualë politikë.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar, të shtunën, vendimin për hyrjen e saj në politikë dhe ka konfirmuar se shumë shpejt do t’i kryejë edhe procedurat e regjistrimit, mbajtjen e zgjedhjeve brenda Lëvizjes, publikimin e Statutit dhe zgjedhjen e strukturave udhëheqëse.

Natyrisht, në krye të partisë së re pritet të jetë Albin Kurti, i cili u arrestua të shtunën, pak orë pas kumtimit të vendimit për hyrje në garën politike.

Glauk Konjufca ka sqaruar se pozicioni i Vetëvendosjes në politikë do të vazhdojë të jetë anulimi i Pakos së Ahtissarit.

“Ne po hyjmë me një qëndrim të qartë: po bëjmë diçka si një metodë më shumë për të arritur anulimin e Planit të Ahtissarit. Kjo është një metodë më shumë, përveç demonstratave që nuk do t’i ndalim kurrë dhe tubimeve të ndryshme”, ka konfirmuar ai.

Ky zyrtar i Vetëvendosjes ka thënë se nëse Pakoja bëhet pengesë për të hyrë në Parlament, atëherë jashtë ndërtesës së Kuvendit do ta shpallin të pavlefshëm Dokumentin e Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

“Do të bëjmë gjithçka që të hyjmë në Parlament, të fitojmë shumicën dhe të ndryshojmë të gjitha ato dokumente të dëmshme për Kosovën”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i partisë më të re në Kosovë ka paralajmëruar se do të pranojnë kuadro të reja, duke mos përjashtuar aderimin edhe të ndonjë zyrtari nga partitë aktuale që janë në pushtet.

Por, Konjufca sqaron se për t’u bërë pjesë e Vetëvendosjes duhet plotësuar disa kushte.
“Nuk do të duhej t’i ketë shërbyer pushtuesve në të kaluarën. Nuk duhet të jetë i korruptuar dhe së treti të pajtohet me konceptin politikë të Lëvizjes Vetëvendosje. Vija e kuqe politike e Vetëvendosjes është Plani i Ahtissarit”.

Ndryshe, analistë politikë vendimin e Vetëvendosjes për të hyrë në politikë e shohin si të qëlluar për shkak se aktualisht ka një krizë besimi ndaj partive në Kosovë.

Analisti Baton Haxhiu konsideron se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë zgjedhur kohën më të mirë për t’u bërë pjesë e politikës.

“Ky është momenti më i duhur për arsye se ka një humbje të besimit të qytetarëve ndaj pozitës dhe opozitës dhe sinqeritetin e të dyjave për me ndërtu Kosovën”, ka konstatuar Haxhiu.

Ai thotë se profili intelektual i dy liderëve të Vetëvendosjes – Albin Kurti dhe Glauk Konjufca - i bënë favoritë për fitoren e betejave përballë konkurrencës politike.

“Kjo strukturë politike mund të fitojnë dhjetë për qind pa kurrfarë problemi, duke marrë vota nga të gjithë, për arsye se shumica e partive politike tashmë e kanë elektoratin goxha të luhatshëm për shkak të veprimeve të këqija të viteve të fundit”, ka thënë Haxhiu.
“Njerëzit do të votojnë për ndryshime të mentalitetit dhe Albin Kurti do të marrë vota nga të gjithë”, ka thënë Haxhiu.

Moment i mirë për rritje të elektoratit, sipas Haxhiut, është edhe arrestimi i Albin Kurtit dhe pozicionimi i Vetëvendosjes si viktimë.

“Rritja e Albinit mund të jetë për dy arsye: E para, gjithmonë ata që votojnë janë në anën e viktimës. E Albin Kurti është në anën e viktimës, ose është i sulmuar nga të gjithë.
E dyta, Kurti nuk ka afinitete të dhunshme, por ka afinitete rezistuese që janë dy konceptet të ndryshme. Ndërkombëtarët nuk po arrijnë të kuptojnë afinitetet e tij rezistuese”, vlerëson publicisti Baton Haxhiu.

Ai ka thënë se partitë e mëdha politike do të vazhdojnë të ekzistojnë, por elektorati i lëvizshëm do ikë drejt Kurtit.

Edhe pse e konsideron si intelektualin më të mençur në politikën në rajon, Baton Haxhiu thotë se kjo vlerë mund t’i sjellë edhe probleme Albin Kurtit.

“Albini ka një retorikë të jashtëzakonshme. Për nga pjesa intelektuale është më i zgjuari në politikën ballkanike që unë njoh. Për mentalitetin çfarë është Kosova, intelektualiteti i tij ndoshta mund të jetë pengesë për shkak se e krijon si person autokrat në kuptimin e mirë të fjalës”, shton ai.

Sipas Haxhiut, udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje janë të orientuar kah e majta, sikurse partia e dikurshme ORA.

“Të dy liderët, Albini dhe Konjufca, janë të nivelit eurpianë të dijës. I takojnë shtresës së majtë dhe atë e mbrojnë me mburrje. Për një shoqëri çfarë është Kosova, e meriton një strukturë të tillë, një strukturë e cila nuk do të tërhiqej nga politika siç bëri ORA në mënyrë goxha të turpshme”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›