Gjeneva, qyteti me “histori shqiptare”
Këtë fillimshtatori e gjeta Gjenevën "të përlotur" nga kapriçot e natyrës. Shiu i imët e kishte prishur paksa bukurinë e natyrës brilante dhe konfigurimin estetik, por jo imazhin që shfaqet fill pas lindjes së diellit. Nën petkun e pasqyrës së tij, një ndër 10 qytetet më të bukura dhe më të pasura të Evropës, shkëlqen si askush nga simotrat e tjera. Gjeneva është bërë më i zhurmshëm se kurrë nga prova historike e lindjes së Universit. Në të vërtetë, më shumë se 60 për qind e popullsisë prej 185 mijë banorësh përbëhet nga të huajt, të cilët e kanë parë "me zili" këtë perlë botërore dhe kanë kryer aty procese historike shumë të rëndësishme, duke instaluar edhe një sërë institucionesh ndërkombëtare. Gjeneva është po ashtu një prej qyteteve më të gjelbra në botë, falë numrit të madh të parqeve dhe një numri të madh të vendeve për pushim dhe relaksim. Pas Zyrihut, Gjeneva është vendi më i banuar në Zvicër ku flitet gjuha frënge dhe është pa mëdyshje në listën e qyteteve me standard të lartë të jetesës. Në mes shenjave dalluese të këtij qyteti historik është selia e Kombeve të Bashkuara, që mund të shihet dhe vizitohet në këtë qytet vetëm përmes grupeve turistike, për shkak të sigurisë së numrit të madhe të emrave të njohur ndërkombëtar, të cilët punojnë atje. Rrugës për në parkun kryesor të qytetit vihet re edhe selia e parë e "Kryqit të Kuq", një institucion human i themeluar pikërisht në këtë qytet. Veç institucioneve të tjera, më krenar ngjan Liqeni i Gjenevës, si një prej simboleve etiketuese të këtij qyteti. 'Floëer clock' është një kopsht i mrekullueshëm, që rrethohet nga tufa të mëdha lulesh. Është i përbërë nga 6500 lule dhe disa herë në vit bëhet ndryshim i aranzhimit të tyre. Në udhëtim e sipër, s'ka si të mos të bëjë përshtypje ishulli i Rusoit, që është krijuar në kujtim të filozofit nga Gjeneva, Jean-Jacques Rousseau, shumë pranë lumit Ron dhe ofron një pamje të mrekullueshme, nëse gjendeni në një prej restoranteve të tij. Rreth tij, në pjesën jugperëndimore shtrihen dy vargje malore: Alpet dhe Jura.
Perla e Gjenevës
Është një ndër liqenet më të vjetër të botës më një ekosistem me gjallesa ujore si koran, belushke etj. Peizazhet magjepsëse liqenore nuk mund të lënë askënd pa u mahnitur. Sapo del me tren në të përparmen e Kodrës së Lozanës, syri të rrok pamje të mrekullueshme ujore të liqenit fantastik të Gjenevës, majtas e djathtas në Lozanë e deri ne qytetin princëror. I shtrirë në një sipërfaqe të madhe me anije dhe varka të pafund me vela, liqeni i Gjenevës i jep mrekullinë vetë qytetit. Stola të bukur përgjatë shëtitores liqenore të pambarimtë, pisha e drurë të tjerë zbukurues, lule nga më të ndryshmet e me të gjitha ngjyrat e ylberta, shpend që fluturojnë lirisht…Kjo është Gjeneva e vjetër dhe e re, muzetë, katedralet, institucionet ndërkombëtare, parqet, lojërat, patinazhi në ujë, fontana e famshme që përcjell ujin në 80 metra lartësi etj.
Sa shumë shqiptarë!
Shqiptarët e tregojnë si anekdotë; kur të zbresësh në Gjenevë, personit të tretë që do takosh mund t'i flasësh shqip, do të kuptojë e do të drejtojë nga të shkosh. Në këtë qytet dominon një simbol shqiptar, pikërisht busti i Skënderbeut, që ndodhet pas ndërtesës së Organizatës Botërore të Tregtisë, ngjitur me liqenin. E si të mos ndihesh krenar për një hero të ngulitur një herë e përgjithmonë në mendjen e europianëve. Studiuesi Albert Ramaj tregon se në Zvicër jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë, shumica e të cilëve janë nga Kosova, pastaj nga Maqedonia, Serbia jugore, Mali i Zi dhe një pjesë e vogël nga Shqipëria. Rreth zanafillës së pranisë së shqiptarëve në Zvicër nuk ka ndonjë studim të veçantë deri më tani që mund të shpjegonte historikisht kontaktet e para të Zvicrës dhe popullit shqiptar. Në shumicën e studimeve në gjuhën shqipe apo gjermane që janë bërë rreth shqiptarëve në Zvicër, merren në konsideratë vetëm periudhat e pas Luftës së Dytë Botërore. Kontaktet mes popullit shqiptar dhe zviceran datojnë vetëm nga vitet 1960 dhe me këtë, lihet mënjanë aktiviteti i shqiptarëve që kanë vepruar në Zvicër para Luftës së Dytë Botërore dhe zviceranëve në Shqipëri. Kontaktet e para në mes Zvicrës dhe shqiptarëve datojnë qysh në vitin 1431. Në këtë vit është mbajtur Këshilli i Bazelit, në të cilin ishin ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë dhe për të debatuar mbi çështjet kishtare të asaj kohe edhe etërit kishtarë nga Shqipëria. Një aktivist shumë i shquar në këtë këshill ishte edhe Andreas Von Kram, apo edhe që është i njohur me emrin e tij Andrea Zamometich. Zamometich ishte lindur më 1420, në Nin dhe vdes në Bazel në vitin 1484. Ai kishte jetuar po ashtu edhe në Granea të Shqipërisë, si ipeshkëv i atij vendi.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)