E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet e Hollivudit "pro" Barak Obamës

 

NJU JORK- E njohin fuqinë e fjalës së tyre. E dinë që janë të ndikueshëm tek fansat e tyre. Dhe në këtë rast, kanë menduar ta thonë hapur mendimin e tyre për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ta ai është Barack Obama. Oprah Winfrey
Moderatortja e famshme në Amerikë, Oprah Winfrey e ftuar në një emision televiziv, është shprehur se: "Në fakt unë do të votoj për Barack Obama. Mendoj se kam të gjitha arsyet e mundshme për ta bërë këtë. Është politikani që më pëlqen të jetë në krye të këtij vendi"
Matt Damon
I ftuar në një tjetër show, pyetjes se nga një deri në dhjetë cili është politikani që do të donte të shihte në krye të vendit, ka thënë, "duhet vetëm një?! Epo ai është Barack Obama".
Robert De Niro
Të njëjtës pyetje Robert De Nire iu përgjigj, se "unë mendoj se një person mund të drejtojë këtë vend dhe ky është Obama".
Halle Barry
Aktorja me ngjyrë, fituese e çmimit Oskar, Halle Barry njihet si një nga simpatizantet më të flakta të kandidatit për president Barack Obama. Përveç simpatisë që shpreh ajo dhe mbështetjes që bën përmes bluzave që mbajnë prej kohësh fytyrën e kandidatit Obama, e pranishme në një emision ajo është shprehur se: "Për mua president është Obama. Unë e dua atë dhe nuk jam e vetmja. Ai duhet të jetë në krye të vendit".
George Clooney
Aktori i preferuar i mjaft femrave, George Clooney është një tjetër personazh në botën e Hollivudit që është pro kandidaturës së Obamës për drejtues të Shtëpisë së Bardhë. Nga një studio televizive në Amerikë, ai ka dhënë dhe arsyet përse duhet të votohet ai. "Obama më pëlqen. Është fytyra e politikanit që duhet të jetë në krye të vendit. E mbështes politikën e tij. Unë i kam njohur programet e drejtuesve të shtetit amerikan dhe rruga e tij më duket më e mira në këto çaste. Unë e njoh biografinë e tij, vizionin e tij dhe ajo që më ka pëlqyer është se ai nuk është një njeri që ndalon. Ai asnjëherë nuk thotë stop. Mendoj se ai është njeriu, politikani që duhet të jetë në këto momente në krye të vendit dhe që do t'i japë një fytyrë të re Amerikës. Ai është lideri i ri i Amerikës", - ka përfunduar aktori.
Chris Rock
Aktori komik i cili edhe luan rolin e presidentit të Amerikës në një nga filmat e tij, ka qenë një nga personazhet e botës së Hollivudit që ka shoqëruar Obamën në disa shtete gjatë fushatës së tij. Gjatë prezantimit të kandidatit për president, ai është shprehur: "Obama është ndryshimi. Është koha për ndryshim, çdo gjë do të jetë më mirë se në kohën e zotit Bush. Është personi në të cilën ne duhet të besojmë. Kemi nevojë të fikim flakët që ka ndezur Bush. Ai është një njeri me mendje të hapur. Është një njeri që duhet ta besojnë jo vetëm njerëzit me ngjyrë dhe ky është presidenti i ardhshëm i shteteve të Amerikës. Obama duhet të jetë presidenti i ardhshëm i Amerikës".
Pamela Anderson
Më 15 shtator, e pranishme në një spektakël në Romë (Itali), aktorja Pamela Anderson ka deklaruar se: "Bëj tifo për Obama, por nuk ofrohem si dëshmitare, pasi nuk e di nëse një personazh si unë mund të ishte e pranishme si një ikonë politike". "Jam kanadeze dhe këtë herë unë do të votoj për herë të parë, pasi kam mbajtur dy nënshtetësi. Dhe do të votoj për Obama. Mendoj se fitorja e tij është e mundshme dhe do të jetë një president i përkryer për Shtetet e Bashkuara të Amerikës". Ajo ka shtuar se "është lideri botëror i duhur në këto momente".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›