E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, 33 për qind e përdoruesve, adoleshentë

Ilda Lumani 

Në Shqipëri deklarohen rreth 30.000 përdorues droge. Nga këta, 33 për qind të tyre i përkasin moshës nga 15-17 vjeç. Është kjo mosha më e prekur aktualisht jo vetëm nga përdorimi i drogave të lehta, por edhe nga konsumimi i lartë i alkoolit. Të dhënat e pakëndshme
janë bërë të njohura këtë javë përmes projektit “Jeto Shëndetshëm”. Shifrat bazohen në një studim që është bërë në shkollat e mesme të Tiranës. Rezultatet shokuese kanë ardhur këtë fillimviti shkollor dhe detyrimisht kanë çuar në vendosjen e rregullave në shkolla. Në fakt një vit më parë, nga sondazhet e bëra nga “Gjimnazistët” mes nxënësve të shumë shkollave, vetë këta të fundit e pranonin që së paku një herë kishin provuar hashashin, por dhe mjaft të tjerë që ishin përdorues të zakonshëm të saj.
CIGARJA
Nuk përbën më as risi dhe as çudi të qënit me cigare në dorën e një adoleshenti. Kjo është një pamje që të ofrohet nga të gjithë gjimnazistët. Banjat janë streha e tyre në ambientet e shkollës më së shumti. E megjithatë, ka nga ata të guximshmit që e pinë në oborret e shkollave. Edhe pse në shkollat më të mëdha rregullat janë arbitrare, përsëri nuk mund të kontrollohen të gjithë. Minutat e pushimeve mes orëve apo orari i pushimit të gjatë, është koha kur ndodhin “prapësitë”. Pastaj janë lokalet, ku nxënësit janë të pavëzhguar në mënyrë absolute dhe është streha e tyre më e dashur. Në fakt, mbyllja e portës së shkollës e ka eliminuar disi këtë fenomen, të paktën brenda mureve të saj.
DROGA
Të flasësh për drogë mes gjimnazistëve, tashmë nuk është më tabu. Kjo është një nga temat më të diskutuara mes tyre. Në të dy aspektet, qoftë për pasojat negative të saj, qoftë për ata që janë tashmë vartës të tyre. Fakti se 33 për qind e përdoruesve të drogës në Shqipëri janë adoleshentë, e tregon më së miri këtë. Shifra e frikshme e publikuar pak ditë më parë, ka vënë përpara përgjegjësisë drejtuesit e shkollës dhe prindërit e nxënësve. Por nga sa është konstatuar deri më tani, ky fenomen ndodh jashtë mureve të shkollës, por pas mësimit, kur nxënësit nuk janë të kontrolluar. Zonat rreth e rrotull shkollës, është vërtetuar se janë pikërisht vatrat ku gjenden edhe shpërndarësit e drogës.
Rregullat
Ky është edhe motivi i hermetizimit të shkollës dhe mbylljes së portës së saj. Pikërisht për të evituar daljet e nxënësve gjatë orarit të mësimit. Masa, që padyshim do të ndikojnë në zvogëlimin e këtij fenomeni, por që nuk janë definitive. Megjithatë, organizata të shumta rinore po punojnë për ndërgjegjësimin e nxënësve ndaj këtyre dukurive, e nga ana tjetër, një kontroll i rreptë në zonat rreth shkollave po bëhet edhe nga policia.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›