E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenevë, publicisti Balliu i dhuron botimin “La Femme du Diable” Presidentit të Zvicrës, Pascal Cauchepin

23/04/2009  Në panairin më të madh të librit frankofon në Zvicër dhe njërin nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme të Evropës, në Sallonin e Librit në Gjenevë, publicisti Fahri Balliu pati një takim me Presidentin e Zvicrës, Pascal Cauchepin, të cilit i dhuroi edhe botimin në frëngjisht të monografisë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Presidenti vlerësoi suksesin e librit në Zvicër e Francë dhe shprehu shpresën se botime të tjera shqiptare do të vijnë në gjuhën frënge.

Publicisti Fahri Balliu i ka dhuruar dje librin e tij “La Femme du Diable”, versioni frëngjisht i best-sellerit në shqip “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” presidentit të Konfederatës së Zvicrës, zotit Pascal Cauchepin. Presidenti i Shtëpisë Botuese “55” është i ftuar nominal i presidentit të Panairit të Librit të Gjenevës Pierre-Marcel Favre dhe mori dje pjesë në çeljen e panairit të librit, evenimenti më i madh kulturor i Zvicrës dhe njëri nga panairet më të rëndësishme të librit frankofon në botë. Sivjet ky panair po funksionon edhe si një festival arti dhe po i kushtohet gjerësisht shkëmbimit të kulturave. Shtëpia Botuese “55” është e vetmja që prezantohet me një stendë të veçantë në panairin që vjet tërhoqi vëmendjen e më shumë se 100 mijë vizitorëve.

Në ditën e parë të panairit, publicisti Balliu pati një takim me presidentin e Konfederatës Zvicerane, Pascal Cauchepin, të cilit i dhuroi edhe publikimin e tij në frëngjisht, “La Femme du Diable”, libër i cili është publikuar nga edicionet “Favre”, krenaria e publikimeve zvicerane në frëngjisht. Gjatë takimit të përzemërt, Balliu u ndal në tematikën e librit, i cili i kushtohet rolit të fortë që ka luajtur gruaja e diktatorit komunist në egërsimin e regjimit komunist në Shqipëri, duke e shndërruar diktaturën tonë në regjimin më shtypës në Evropë. Pasi u informua nga prezantuesi i panairit, se zoti Balliu ishte edhe një përfaqësues i politikës shqiptare, Presidenti zviceran shprehu interes edhe për situatën parazgjedhore në vendin tonë.

Stenda e Shtëpisë Botuese “55” në Panairin e Librit në Gjenevë është shndërruar që ditën e parë të çeljes së tij, në një pikë referimi për diasporën e fuqishme shqiptare që jeton në Konfederatën Zvicerane. Duke qenë e vetmja përfaqësuese e publikimeve në gjuhën shqip, intelektualë, përfaqësues të shoqatave të emigrantëve, por edhe dashamirës të librit, të ardhur nga Gjermania e Italia, vizituan stendën dhe shprehën vlerësim të lartë për cilësinë e lartë të botimeve, që prezanton Enti Botues “55”. Përveç librit “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, mjaft publikime të tjera, si “Historia e Shtetit Shqiptar, 1912-2005” e Kastriot Dervishit, memuarët e Pater Zef Pllumit apo edhe publikime të tjera historike e shkencore, të përfshira edhe në kolanën e posaçme “Intelligenda”, nën kujdesin e dr. Aurel Plasarit, zgjuan interesin e vizitorëve, çka solli edhe tërheqjen në masë të tyre. Vizitorët shprehën kënaqësinë që botuesit e “55”-s kishin mundur të ishin të pranishëm në këtë aktivitet elitar të librit evropian, çka përbënte një krenari për të gjithë bashkatdhetarët tanë në Zvicër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›