Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman, vjen në gjuhën shqipe
Për herë të parë në gjuhën shqipe vjen vepra Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman në dy vëllime. Ky libër botohet nën përkujdesjen e veçantë të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) dhe hedh dritë plotësisht mbi historinë e Perandorisë Osmane. Të shkruash mbi historinë e një perandorie të madhe, e cila përmblodhi shumë shtete në qendër të tre kontinenteve dhe mbikëqyri rrugët ndërkombëtare për më shumë se 500 vjet, është njësoj si të shkruash historinë e botës.
Libri Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman është hartuar nga një grup historianësh turq, ku vlen të përmendësh disa nga emrat më të shquar të studimeve historike, si: Prof. dr. Ekmeleddin ?hsanoglu, Prof. dr. Feridun Emecen, Prof. dr. Mehmet Âkif Aydin etj. dhe është përkthyer në gjuhën shqipe nga AIITC. Ky grup ekspertësh ka inspektuar arshivat e pasura në thellësi dhe ka nxjerrë në pah elementë të rinj të pikturës historike. Pa dyshim që kjo punë kolosale, ka regjistruar një hap shumë të rëndësishëm, që meriton vëmendjen e duhur nga lexuesit. Autorët, për hartimin e librit, përdorën burimet e arkivave, kronikat osmane, studimet e historianëve bashkëkohorë, si dhe burimet perëndimore. Synimi i librit është prurja e një perspektive të re, duke u bazuar në informacion objektiv dhe të besueshëm nga kërkimet e fundit shkencore. Libri nuk përmban përafrimin klasik të kronologjisë në historiografi me përshkrimet e ngjarjeve gjatë sundimeve të sulltanëve. Përshkrimet jepen vetëm kur është e nevojshme. Gjithçka paraqitet në mënyrë analitike, në përpjekje për ta shpalosur të plotë subjektin dhe në të njëjtën kohë, për të përcaktuar lidhjen ndërmjet shkaqeve dhe pasojave të ngjarjeve politike. Nuk bëhet thjesht paraqitje faktesh, por qartësohen dhe shpjegohen me baza argumentuese institucionet e civilizimit osman, duke pasur si pikësynim përfshirjen e të gjithë Perandorisë Osmane, pa përjashtuar Anadollin, Rumelinë dhe Arabinë. Studiues të njohur, specialistë në fushat e tyre, shkruajnë artikuj në këtë libër. Përveç zhvillimeve politike, është trajtuar gjerësisht struktura sociale, ushtarake, studimore dhe e organizimit administrativ, por pa lënë mënjanë aspektin ekonomik, tregtinë dhe industrinë apo jetën shkencore dhe atë kulturore. Sigurisht, që për të shkruar historinë e një shteti që ka sunduar për më shumë se pesë shekuj dhe që bashkoi shumë shoqëri të ndryshme duke respektuar kombësinë, besimin, kulturën dhe gjuhën, është nevojitur punë kërkimore shumë e gjerë dhe përpjekje të stërmëdha, është pothuajse e pamundur që një person i vetëm të përfundojë një studim të këtyre përmasave, duke kërkuar burimet e rëndësishme osmane dhe perëndimore. Botimi origjinal turk u publikua në dy vëllime (1994 dhe 1998) dhe mbulon periudhën nga themelimi i principatës osmane deri në shpalljen e Republikës së Turqisë. Këto vëllime u përkthyen dhe botuan në arabisht në vitin 1999, në anglisht në vitin 2002 dhe së fundmi, falë punës këmbëngulëse të AIITC, ky libër vjen edhe në gjuhën shqipe. Së shpejti ky botim do të kristalizohet edhe në gjuhën ruse e boshnjake. Vëllimi i parë trajton organizimin politik, historik, administrativ dhe ushtarak, si dhe sistemin ligjor, ekonominë, financën dhe strukturën sociale osmane. Ndërsa vëllimi i dytë i librit trajton jetën fetare, gjuhën së bashku me letërsinë, historinë e artit dhe arkitekturën, jetën intelektuale, arsimimin dhe fushën shkencore.