E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arkitekt i mjerimit, nuk komentoj deklaratat e një gënjeshtari”

23/04/2009  Shefi i ekzekutivit hedh poshtë pretendimet e Ramiz Alisë

Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur ish-presidentin Ramiz Alia, drejtuesin e vendit në periudhën e fundit të diktaturës komuniste, një gënjeshtar. I pyetur për të dhënë një koment për deklaratën e dhënë pak ditë më parë nga Alia se ai (Berisha) ka ndikuar në prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe ka penguar më tej zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën, kreu i qeverisë ka dhënë vlerësimin e tij të prerë ndaj rolit që Ramiz Alia ka luajtur në drejtimin e vendit. “Alia është arkitekt i mjerimit dhe terrorit në Shqipëri, kështu që nuk ia vlen të komentoj deklaratat e një gënjeshtari”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Gjatë konferencës për shtyp të pasdites së djeshme kushtuar vizitës së tij në Republikën Popullore të Kinës, Berisha ka shigjetuar ish-drejtuesit komunistë të vendit. “Klika e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, Mehmet Shehut e të tjerëve, kur ata (kinezët) nisën të ndërtonin Shenxhenin (qytet me zhvillim të madh në Kinë), e ndëshkuan këtë vend me numrin e pafund të bunkerëve dhe tuneleve dhe përfunduan në një nga 3-4 vendet më të varfra të planetit”, - tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha ka komentuar edhe bojkotin që opozita i ka bërë Parlamentit dhe qëndrimet e saj ndaj procesit të pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Sipas tij, opozita është sovrane në vendimet e saj, por nuk duhet të ndikohet nga interesat e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Ai ka sulmuar ashpër vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës për dhënien e lejeve të ndërtimit me interesat të pastër korruptiv. “Garantoj se t’i biesh planetit kryq e tërthorë një gjë të tillë nuk e gjen përveçse me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhe ky përbën një akt poshtërues për qytetin, qytetarët dhe për vendin”, - ka deklaruar Berisha. Shefi i ekzekutivit ka folur në konferencën për shtyp edhe për kriteret që do të duhet të plotësojnë kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, këta kandidatë duhet të kenë së pari integritet moral dhe politik, të kenë dhënë kontribute dhe të tregohen të aftë. Ndërsa i pyetur në lidhje me procedurat që u ndoqën për dhënien e licencës për operatorin e katërt të telefonisë së lëvizshme në vend, Kryeministri Berisha u shpreh se ajo licencë iu dha ofertuesit më të mirë, atij grupimi investitorësh që ofruan më shumë.

Centrali bërthamor

Berisha ka deklaruar se kryetari i PS-së Edi Rama ka ngritur përmes mashtrimeve dhe trillimeve ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër, i cili do të bëhej përmes bashkëpunimit mes Kroacisë dhe vendit tonë. Berisha tha se Rama kishte bërë të mundur që në Kroaci të botohej një shkrim që fliste për këtë çështje. “Botoi artikullin në Koraci. Më thanë miqtë e mi kroatë se kishte mbërritur nga Tirana artikulli dhe shkon në Shkodër dhe thotë se nuk do të lejojmë të ndërtohet centrali. Por ne edhe Bushatin e hoqëm dhe e çuam në Ashtë dhe e ulëm jo pak, por rreth 40-50 megavat kapacitetin vetëm për të ruajtur ekosistemin e Shkodrës”, - tha Berisha. Sipas tij, tani Rama do të paguajë një gazetë në Korfuz, në të cilën të shkruhet se centrali bërthamor do të ndërtohet në Sarandë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›