Gjeni eshtrat!
Lekë Tasi prezanton librin e tij të dytë, "Grabjani rrëzë kodrave", skena, personazhe dhe histori nga fshati i internimit. Në këtë takim, regjisori Mihallaq Luarasi i kërkon publikisht qeverisë të gjejë eshtrat e viktimave të komunizmit.
Janë pak botimet që dëshmojnë dhunën dhe krimet e komunizmit në Shqipëri. Pak në raport numrin e atyre që janë dëshmitarë, të burgosur, të dënuar, të persekutuar, të internuar. Sapo ka ardhur një dëshmi e përpunuar në vite e vite, mban titullin "Grabjani rrëzë kodrave", dhe është shkruar nga artisti Lekë Tasi.
Vepra u prezantua dje në Muzeun Historik Kombëtar. Prezantimi, ku merrnin pjesë më së shumti njerëz që i kanë përjetuar ato që Tasi përshkruan për fshatin e internimit, hetuesinë, survejimet etj., u shndërrua në një debat publik, ku nuk munguan kërkesat ndaj politikës.
Qysh kur ra regjimi komunist, të përndjekurit politikë kanë pasur vetën një kërkesë: dëmshpërblim financiar (ose forma të ndryshme shpërblimesh, si bursa studimi për fëmijët, etj.).
Por, në këtë takim miqësor, u shpreh në publik një tjetër kërkesë. Regjisori Mihallaq Luarasi kërkoi që qeveria të nisë të kërkojë eshtrat e atyre qindra njerëzve që u pushkatuan apo u zhdukën në forma të tjera, gjatë komunizmit, dhe që familjarët e tyre të kenë ku t'i kujtojnë.
Gjatë këtyre 19 viteve, shoqata e të përndjekurve politikë nuk ka pasur kërkesë tjetër veç kompensimit financiar të viteve të burgut politik, por asnjëherë nuk është dëgjuar një kërkesë e tillë, kaq njerëzore. Qendra për Rehabilitimin e Traumës dhe të Torturës, prej kohësh e kërkon një gjë të tillë, por vetëm me shkresa dhe në mënyrë zyrtare, asnjëherë publikisht.
Luarasi, i cili e bëri këtë kërkesë në cilësinë e një qytetari, është një nga ata që ka vuajtur vetë në të tilla vende. Pikërisht në vitet '70-të, kur "u gjet" grupi armiqësor në kulturë dhe arte, Luarasi, së bashku me kolegë të tjerë, dënohen dhe dërgohen në kampe të tilla të punës dhe larg qyteteve.
Por, ndërsa ata arritën të mbijetonin dhe të kenë mundësinë të tregojnë sot për atë të shkuar, shumë të tjerë nuk ia dolën dot, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Sipas Mihallaq Luarasit, bëhet fjalë për afro 7 mijë viktima që kanë vdekur gjatë atij regjimi, nga të cilët 6 mijë janë pushkatuar dhe 1 mijë të tjerë kanë vdekur gjatë kohës që kryenin dënimin në burgje.
Pas viteve '90-të, një pjesë atyre njerëzve që kanë familjarët mes këtyre viktimave, kanë bërë kërkime personale për gjetjen e eshtrave, që kanë rezultuar të dështuara.
Shqetësimi i Luarasit nuk ishte diçka e dalë aty për aty, nga vala e përjetimeve dhe kujtimeve që përfshiu të pranishmit dje në Muze, por diçka që ai e kishte menduar prej kohësh.
Madje ka shkruar dhe një dramë, "Antigona kërkon të atin" dhe projektin për vënien në skenë e ka depozituar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. "Bën fjalë për një vajzë, e cila kërkon eshtrat e të atit", - thotë ai dhe më tej shton se kjo pjesë do të shfaqet dy-tri herë në qershor, në rrethet e ish-të persekutuarve politikë dhe vetëm në shator do të shfaqet për publikun e gjerë.
Gjatë kërkimeve për materialin e kësaj drame, ai pohon se ka njohur dhe kontaktuar shumë njerëz që kanë të njëjtin shqetësim: gjetjen e eshtrave të familjarëve.
Jo më kot, Lekë Tasi ka marrë përsipër një detyrë të tillë të vështirë, dokumentimin e historisë që ka parë dhe jetuar.
Autori është anëtar i një familjeje të përndjekur në të gjitha drejtimet gjatë regjimit komunist. Katër pjesëtarë të saj u dënuan me burgim, i ati i Lekës, Koço Tasi, ungji Akile, vëllai Napoleon dhe motra Tefta. Ungji i tij, Akile, vdiq në burg dhe ende nuk i dihet varri.
Por, kalvari për këtë familje nuk do të përfundonte këtu, pasi Leka së bashku me pjesën e mbetur të familjes, në tetor të 1975-ës do të dërgohej në Grabjan, ku do të qëndronin deri në vitin 1985.
Kjo është koha kur Leka nisi të shkruajë rrëfimin e tij, "Grabjani rrëzë kodrave", aq të pasur me detaje, të cilat nuk i njohim, sepse i përkasin një kohe të ikur, por jo të fshirë nga kujtesa e autorit. I janë dashur 24 vjet për të hedhur në letër dhe për të bërë gati për botim kujtimet që kishte mbledhur në këtë vend.
Janë skena, personazhe dhe histori nga fshati i internimit në Lushnjë që ai jep në 590 faqe. Gjithçka ka parë në këtë vend e ka dokumentuar në libër, të cilin përkthyesi Islam Spahiu e quajti "një enciklopedi të vuajtjeve.
Leka nuk flet për veten e tij, por për të tjerët, i tregon ngjarjet i distancuar. Madje, edhe punët e bujqësisë i tregon si të ishte agronom".
Ndërsa vetë Leka preferoi të mos fliste për librin.
Ai u kushtëzua, duke treguar se pas rënies së komunizmit kishte shkuar disa herë në Grabjan. Kishte ndryshuar mjaft. Por zemra do t'i lëndohej në vitin 1997, kur dy të rinj nga ky fshat grabitën dhe vranë një të moshuar.
"Ky krim më bëri që t'i hedh sytë në gjithë Shqipërinë, ku shpirti i dhunës ekziston akoma. Ky nuk është shpirti i shqiptarëve, por i komunizmit. Për sa kohë nuk do të dënohen krimet e komunizmit, ne nuk do të kemi paqe", - përfundoi prezantimin e librit Lekë Tasi.
Kush është Leka
Lekë Tasi u lindi në Athinë, në vitin 1929, nga prindër shqiptarë. Vjen të jetojë në Shqipëri në vitin 1941. Për pothuajse 20 vjet ai ka qenë violonçeli i parë i Teatrit të Operës dhe Baletit. Në vitin 1975, së bashku me familjen, do të internohej në fshatin Grabjan, në Lushnjë.
Në vitin 1985 lirohet dhe vendoset në Tiranë, ku ende jeton. Lekë Tasi nuk është vetëm në muzikant, ai ka treguar se një artist është i zoti të shprehet në shumë mënyra. Kështu, në vitin 1992 hap ekspozitën e tij të parë me piktura, gjë që do të përsëritet sërish në vitin 2003. Ndërsa një vit më vonë boton romanit "Korridori me vetratë".