E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët blejnë të drejtat e 'Luftës...'

Shtëpia botuese gjermane, S. Fischer Verlage, blen të drejtat e dramës "Lufta në kohën e dashurisë", të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj.

Autori sapo ka nënshkruar një kontratë me S. Fischer Verlage, e cila në këtë mënyrë i merr të gjitha të drejtat për vënien në skenë, në radio, televizion dhe mediume tjera, të dramës në Gjermani, Austri dhe pjesën gjermane të Zvicrës. Kjo shtëpi botuese ka botuar, ndër të tjera, edhe disa prej romaneve të Kadaresë.

Nga fusha e teatrit, S. Fischer Verlage mban të drejtat e dramave të shumë autorëve botërorë, përfshi edhe Edward Albee, Woddy Allen, Samuel Beckett, Ariel Dorfman, Christopher Durang, Marguerite Duras, Margaret Edson, Sam Shepard, etj.

"Është lajmi më i mirë që kam marrë deri më tash në karrierën time prej autori dramash. Përpos vlerës monetare, kjo kontratë hap mundësi të shumëfishta që drama të distribuohet dhe menaxhohet në tërë hapësirën gjermane", - u shpreh Neziraj.


Drama pritet të përkthehet nga Joachim Röhm, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanishte, sidomos i veprave të I. Kadaresë.
"Lufta në kohën e dashurisë" është shkruar në vitin 2007. Në tetor të po atij viti ka pasur prezantimin e parë në Kent të Londrës, nga Teatri Nomad. Sivjet do të vihet në skenë nga Teatri Shqiptar në Shkup, me regji të Kushtrim Bekteshit. Përkthimit në gjermanisht i paraprijnë të tjera në anglisht, frëngjisht dhe bullgarisht.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›