E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Nuk vijmë me një hartim elektoral, por me një program qeverisës

Partia Socialiste është angazhuar e tëra në zbërthimin e programit të saj elektoral dhe qeverisës për të gjithë shqiptarët në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që ai të bëhet i prekshëm për të gjithë zgjedhësit që, më 28 qershor do t'u drejtohen kutive të votimit. Për këtë qëllim, jo vetëm kryetari i PS-së, por edhe të gjitha figurat qendrore të kësaj partie, kanë nisur prej ditësh turin e prezantimit të këtij programi.

Kështu, kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, si i dërguari i kryesisë për Qarkun e Fierit, ka prezantuar në fshatin Çerem, të rrethit të Lushnjës, pjesë të programit të ri qeverisës, që kanë të bëjnë me çështjet e arsimit. Deputeti socialist u ka bërë të ditur banorëve në këtë zonë, se pas fitores së zgjedhjeve, Partia Socialiste ka programuar transport dhe libra falas për fëmijët në shkolla.

Sipas Ruçit, nxënësit dhe prindërit nuk do të ndihen më të braktisur nga ana e shtetit, sepse krah tyre do të jetë gjithmonë një qeveri e mirëkujdesur për problemet në arsim.

"Ne nuk vijmë me një hartim elektoral para jush, por me një program qeverisës, ku kemi përcaktuar 7 shtylla kryesore. Do të përmendja disa, 4 nga të cilat kanë lidhje direkte me ju. E para, bujqësia, e dyta arsimi, e treta shëndetësia dhe e katërta infrastruktura.

Bujqësia do të jetë prioritare në qeverisjen tonë të ardhshme, sepse jeton 50 % e popullit shqiptar, jeton në nivelin e minimumit të jetesës dhe kjo 50 %, i jep buxhetit të shtetit 22 % të saj dhe merr nga ky buxhet vetëm 1-2 %. E pra, duke parë dhe gjykuar kështu, ky do të jetë mandati i fermerit, ky do të jetë mandati jonë i qeverisjes për fshatin", - tha Ruçi.

Duke u ndalur tek çështja e tokës, ai ka garantuar se socialistët, pas 28 qershorit do të kujdesen që të marrin fund një herë e mirë me rregullimet ligjore, problemet me pronësinë.

"Me përmirësimet ligjore, secili nga ju do të ketë dokumentin dhe do të gëzojë vërtetë pronësinë mbi tokën që ka në dispozicion. Nuk mjafton vetëm kjo, por me infrastrukturën ligjore që e ka të gatshme, PS-ja, që në vitin e parë, do të rregullojë të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore, lidhur me qiramarrjen e tokës, me shitblerjen e tokës dhe me ruajtjen e tokës", - tha Ruçi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›