Gjeorgjianët fluturojnë sërish për në Rusi
Një aeroplan i kompanisë shtetërore ajrore të Gjeorgjisë ka fluturuar sot nga Tbilisi për në Moskë, fluturimi ky i parë i drejtpërdrejte ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë, që nga lufta e shkurtë mes dy vendeve në gusht të vitit 2008.
Aeroplanët e Georgian Airways planifikojnë të fluturojnë për në Moskë në periudhën prej 8 deri më 10 janar, gjatë kohës së festave, duke shtuar kështu shpresën e rivendosjes së plotë të fluturimeve të rregullta mes dy shteteve fqinje.
“Georgian Airways është e gatshme që të rifillojë fluturimet e rregullta, por ne jemi duke e pritur palën ruse”, theksoi zëdhënësja e kësaj kompanie, Nino Giorgobiani.
Gjeorgjia dhe Rusia gjithashtu janë pajtuar që të hapin edhe një kalim të rëndësishëm tokësor, ndërsa një peshkop rus theksoi se kryesuesi i Kishës ortodokse ruse mund të vizitojë Gjeorgjinë, për të promovuar lidhjet më të ngushta mes dy vendeve.
Sidoqoftë, nuk ka shenja për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tbilisit dhe Moskës, të cilat Gjeorgjia i shkëputi në gusht të vitit 2008, pas vendimit të Kremlinit për të njohur pavarësinë e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, Abhazisë dhe Osetisë së Jugut.
“Është mrekulli që kemi sërish fluturime, ngase ne kemi shumë të afërm dhe miq në Rusi”, deklaroi udhëtarja gjeorgjiane, Nana Samadalashvili.