E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli sulmon tunelet e kontrabandës në Gazë

Forcat ajrore të Izraelit kanë sulmuar sot tunelet e kontrabandës, përgjatë brezit kufitar mes Gazës dhe Egjiptit, me ç’rast janë vrarë tre persona, kanë njoftuar zyrtarët palestinezë.

Sulmi u ndërmor si reagim ndaj sulmeve me raketa, të cilat u shkrepën nga militantët palestinezë në drejtim të Izraelit gjatë ditës se enjte.

Kufomat e dy militantëve, të cilët u vranë pasi që raketat goditën tunelet nën brezin kufitar mes Gazës dhe Egjiptit, janë dërguar në spitalin e Rafahut, deklaroi mjeku Salam Salem. Më vonë, një kufomë e tretë u nxor nga i njëjti tunel.

Me dhjetëra trafikues palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve të Izraelit kundër tuneleve për trafikim, të cilët shfrytëzohen për trafikimin e të gjitha mallrave të mundshme, duke filluar nga cigaret, e deri te armatimi. Izraeli ka imponuar një bllokadë, për të dobësuar pushtetarët në Gazë, militantët nga radhët e Hamasit, të cilët e siguruan me dhunë pushtetin në këtë territor në vitin 2007.

Ushtria e Izraelit njoftoi se krahas tuneleve, aeroplanët izraelitë kanë sulmuar edhe një fabrikë për prodhimin e armatimit dhe një tunel tjetër, të cilin militantët e kanë shfrytëzuar për të hyrë në territorin e Izraelit, me qëllim që të ndërmarrin sulme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›