E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetë militantë humbin jetën pas një shpërthimi në Karachi

Tetë militantë të dyshuar kanë humbur sot jetën, pas shpërthimit me gjasë aksidental të një bombe, të cilën e kishin fshehur në shtëpinë e tyre në qytetin Karachi, në Pakistan, ka njoftuar policia.

Karachi gjatë disa viteve të fundit kryesisht është kursyer nga dhuna e militantëve, por sulmi me bombë javën e kaluar, gjatë një procesioni të shiitëve myslimanë në këtë qytet, ka shtuar brengën se militantët po e zgjerojnë luftën e tyre edhe në këtë qendër tregtare të Pakistanit.

Shpërthimi i sotëm, i cili ndodhi në një lagje të varfër të Karachit, me gjasë do të forcojë edhe më shumë këtë brengë.

“Duket se personat që ishin brenda shtëpisë kanë qenë militantë”, deklaroi shefi i policisë, Ghulam Korai.

Tetë persona kanë humbur jetën pas shpërthimit, i cili e shembi edhe shtëpinë, ndërsa në gërmadha u zbulua armatim.

Si qendër industriale e Pakistanit, Karachi siguron 65 për qind të të ardhurave të përgjithshme të qeverisë dhe 25 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

Përderisa investuesit janë mësuar me dhunën pothuajse të përditshme në veriperëndim, në afërsi të kufirit me Afganistanin, gjakderdhja e mundshme në Karachi me gjasë do të përkeqësonte dukshëm situatën në Pakistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›