Bujar Alimani: Kinematografia shqiptare vuan nga skenari
Amnistia me regji nga Bujar Alimnai është i pari projekt, i cili do të mbështetet financiarisht nga Eurimage. Në një intervistë dhënë për gazetën regjisori i filmit tregon për skenarin e përfunduar, aktorët që ka zgjedhur, historinë njerëzore të rrëfyer dhe bashkëpunimet.
Alimani flet mbi synimet që prijnë punën në vazhdim për filmin "Amnistia". Në këtë intervistë Alimani zbulon më tepër rreth projektit, që kaloi me sukses provën në Eurimage (Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane). Është i pari projekt që miratohet nga ky organizëm qysh prej anëtarësimit të Shqipërisë në të, shtator 2009. Projekti Amnistia arriti të financohet nga Eurimage dhe ka siguruar mbështetjen e shtëpisë filmike greke Fantasia Audiovizual dhe asaj franceze Arrizona Film. Në këtë intervistë veç të tjerave, e rëndësishme për regjisorin është dhe promovimi që Eurimage i siguron filmit për të marrë pjesë nëpër festivalet e ndryshme evropiane. Regjisori Alimani tregon se projekti kinematografik Amnistia trajton një histori të thjeshtë njerëzore, që zhvillohet mes personazheve që nuk flasin shumë për veten, por lejojnë të zbulohen. Veç emrave të aktorëve protagonistë, Ornela Kapedanit dhe Karafil Shenës, Alimani tregon se në kastin e aktorëve është dhe Todi Llupi. Regjisori Alimani është po ashtu i njohur dhe me filmat "Katoj", "Gaz" dhe "Busulla", ndërkohë që ai jeton prej disa vitesh në Greqi. Filmi Gaz i regjisorit Bujar Alimani disa kohë më parë fiton tre çmime në Festivalin Kombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër në Greqi. Janë çmimet për Regjinë më të Mirë të Festivalit dhënë nga Qendra Kinematografike Greke, Çmimi i Filmit më të mirë dhënë nga shoqata e kritikëve të filmit të shtypit grek dhe Çmim Special i Jurisë. Gaz është prodhim i Radio-Televizionit Grek, dhe nuk ka të bëjë aspak me Shqipërinë apo me një temë shqiptare. Vite më parë regjisori Alimani është pritur shumë mirë dhe vlerësuar me çmime në Greqi dhe me filmin tjetër Katoj, ku trajton një temë sociale, atë të fateve të pashmangshme në rrjetën e të cilave bien fqinjët shqiptarë e grekë, e ndërkohë që një tjetër sukses i tij ka qenë dhe filmi Busulla. Në këtë intervistë ai nuk harron të flasë si dhe të japë mendimin e tij për nivelin e kinematografisë shqiptare. Sa i takon projekteve të tij në fushën e kinematografisë regjisori Alimani na i zbulon në vijim të kësaj interviste.
-Para disa kohësh bordi i Eurimage miratoi projektin tuaj, si ndjeheni?
Deri sa një projekt nuk është analizuar akoma sigurisht producenti ose regjisori janë relativisht më të qetë. Pas miratimit sigurisht ka mbaruar periudha e gjumit....e qetësisë..tashmë shakatë kanë mbetur pas e ti je përballë projektit tënd që pret ta prekësh..Çështja është si, domethënë si do menaxhosh saktë temperaturën krijuese që ka filluar të të mbërthejë.
-Sa e rëndësishme është për ju Eurimage, përveç financimit të projekteve?
Eurimage natyrisht që ka një rëndësi tepër të madhe përveç financimit. Një projekt i mbështetur nga Eurimage ka mundësi absolutisht më të mëdha sesa një projekt pa mbështetjen e tij. Eurimage në këtë rast është si një sitë ku projektet analizohen rreptë dhe me disa faza dhe kjo vështirëson ose lehtëson rrugën e një projekti filmik. Ky institucion i rëndësishëm ka lidhje të drejtpërdrejtë me dy festivale nga më prestigjiozët në botë, Festivalin e Kanës dhe Festivalin e Berlinit. Në këtë sferë mendoj se duhet parë Eurimage përpos fenomenit pozitiv të financimit. Po ju them një fakt se 80% të filmave të mbështetur nga Eurimage janë lauruar me çmime në festivale ndërkombëtare.
-Një histori dashurie në Shqipërinë e tranzicionit. Diçka rreth projektit tuaj, si u bë skenar?
Shpesh në jetë gjurmon ngjarjet, që me një shikim të parë nuk do të bënin përshtypje. Duhet të arrijë një kineast të vështrojë përtej faktit gazetaresk ose mediatik. Them këtë sepse Amnistia është një skenar i mbështetur në një lajm gazetaresk tepër të rëndomtë. Por lajmi nuk kishte brenda histori njerëzish, sigurisht, atëherë më duhet të ndërtoja një treatment, pra rreth 10-15 faqe ku historia ishte pak a shumë si do ta thoshim ne shkurt. Dhe kjo ishte embrioni mbi të cilin më vonë u zhvilluan skenat dhe u bë skenari. Personazhet janë ata, të cilët sa herë vij në Shqipëri i gjej kudo, në rrugë, në autobus, në furgona, në aeroplan, në kafe, në Tiranë në qytetin tim të lindjes në Patos..kudo..nuk ishte e vështirë për ti ndërtuar ata. E vështirë është marrëdhënia midis tyre, intriga, pra metamorfoza që pëson lidhja e të dyve e për pasojë e gjithë karaktereve të tjerë që janë rreth tyre. Akset qendrorë në një skenar filmi duhet t i ngjanë rrymës elektrike, të cilën nëse e prek njëri dhe të gjithë jemi të kapur duarsh ajo do të na elektrizojë të gjithëve. Ky është një parim i imi në krijimin e skenarëve kinematografikë.
-A ka marrë formë përfundimtare projekti Amnistia?
Një skenar apo vepër arti nuk përfundon kurrë. Këtë e ndjen i penduar sa herë jeta dhe ngjarjet e jetës të tejkalojnë ty. Atëherë e kupton se ajo që quhet jetë është tepër përpara nesh, e ne ndërkohë vetëm sa jemi munduar t i afrohemi pak. Një mori ngjarjesh diku në një qytet të vogël më bënë që disa gjëra edhe pse besoja se skenari kishte përfunduar, më bënë që t i rikthehesha sërish. Me detaje që vazhdoj ti shtoj vazhdimisht. Sigurisht që kjo nuk mund të vazhdojë muaj, sepse dikur duhet të xhiroj filmin, por sa mundem e riparoj skenarin.
-Çfarë mund të na thoni për aktorët, që interpretojnë në film?
Unë kam përmendur shpesh aktorët Karafil Shena dhe Ornela Kapedani, të cilët do të jenë në rolet kryesore. Një kënaqësi për mua ka qenë oferta, që i bëra aktorit të talentuar fierak Todi Llupi, me të cilin në vitin 1992 kam mbrojtur diplomën në Trupën e Estradës së Fierit dhe më ka habitur me plastikën e jashtëzakonshme dhe talentin e madh që zotëron. Prisja vite që të kisha në duar diçka që ti ofroja, diçka serioze, si një rol i tillë që kam për të në skenarin tim.
-E ndërkohë për të konkretizuar këtë projekt, me cilat shtëpi filmike do të bashkëpunoni?
Amnistia do jetë një bashkëprodhim i kompanisë filmike shqiptare 90 Production me kompaninë filmike greke Fantasia Audiovisual dhe kompaninë franceze Arrizona Films.
-Eurimage ka një strukturë tepër të vështirë. Sa ka ndikuar bashkëprodhimi shqiptaro-greko-francez, që të mbështetej nga kjo strukturë?
Sigurisht që bashkëprodhimet janë një kusht për Eurimage, por këtu nuk është kyçi i suksesit, këto janë gjëra pozitive sigurisht sidomos kur shtëpitë filmike janë jo detyrimisht të mëdha, sesa të bindshme për ta e për më tepër të kenë përvojë e të drejtohen nga njerëz, që në fund të fundit japin garanci të plota për realizimin e filmit. Mendoni se u kam sugjeruar dy producentëve të huaj, që me të nisur xhirimet materialet të transferuara nga film në format elektronik do ti postohen Eurimage, që të kenë bindjen se projekti po ecën. Kjo nuk është e detyrueshme, por Eurimage është tepër strikt me këto gjëra.
-Disa nga filmat tuaj si Gaz, Busulla, Katoj janë prezantuar denjësisht para publikut. Nëse ndaleni te çdo prodhim, sa e vështirë ka qenë realizimi i tyre?
Unë pas filmit tim të tretë Busulla realizova vjet filmin tim të 4 të shkurtër Një histori dashurieme skenar të Dhespina Ladhit. Ishte një prodhim i Televizionit Publik grek ERT dhe filmi tani ka filluar të bëjë ciklin e festivaleve. Katoj ishte filmi im i parë dhe sigurisht ruan freskinë që ka gjithnjë puna e parë. Gaz ishte një histori prej të cilës isha ndikuar mjaft edhe si njeri, kurse Busulla ishte një