E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsi, prezantohet Salloni i Librit Italo - Shqiptar

Tiranë, 21 prill, NOA Shkrimtarë, studentë dhe admirues të letërsisë do të kenë mundësinë që përgjatë kësaj jave të njihen me vlerat më të mira të artistëve të shqiptarë dhe italianë. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojnë Sallonin e Librit Italo Shqiptar, në datat 22-25 prill.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të 23 prillit Ditës Botërore të Librit. Pjesë e këtij aktiviteti është dhe Salone del Libro di Torino (Salloni i Librit të Torinos), si edhe Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Në ceremoninë e hapjes në Galerinë e Arteve, në datën 22 do të jenë të pranishëm 2-3 autorë italianë, si edhe autorë shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Itali.

Kjo veprimtari do të përfshijë një panair të vogël libri që do të vendoset para Galerisë së Arteve, duke filluar nga pasditja e datës 22 prill, ora 18:00, koha kur do bëhet inaugurimi i hapjes së saj, dhe do të vazhdojë deri më datë 25 në mbrëmje, njofton Ministria e Kulturës.

Përveç kësaj, do të ketë disa takime mbi letërsinë italiane dhe mbi autorët shqiptarë me banim në vendin fqinj. Tema e këtij aktiviteti do të jetë Letërsia dhe integrimi. Takimet do të zhvillohen paraditen e datës 23 prill.

Ndërsa një takim tjetër mbi letërsinë shqipe, do të jetë në sallën e Galerisë së Arteve, në të cilin do jenë të pranishëm shkrimtarët shqiptarë. Pasditen e datës 23 prill do të zhvillohet edhe një tjetër takim mbi gazetarinë, çka do të shtojë larminë dhe përgjegjësinë e pasqyrimit me sa më objektivitet të këtyre veprimtarive.

Një aktivitet tjetër pjesë e Sallonit të Librit Italo - Shqiptar është dhe ceremonia e përkujtimit të botuesit Ismail Mal'Osmanit. Në këtë ceremoni do të prezantohet botimi Ismail Mal'Osmani - Njeriu i Librit nga shkrimtari Spiro Mehilli.

m.xh/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›