E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjergj Fishta dhe zanat që më frymëzuan"

Edhe për pak kohë Gjergj Fishta do të qëndrojë në studiot e skulpturës, bashkë me muzat e vargjeve të "Lahutës së Malcisë" dhe elementët e tjerë simbolikë që plotësojnë figurën e tij poliedrike. Skulptori Ilmi Kasemi ka vetëm disa detaje për të plotësuar, para se kompleksi monumental kushtuar Fishtës të shkojë për derdhjen në bronz. Boceti i tij u shpall fitues në qershor të 2007-ës, në një konkurs për veprën në skulpturë të Fishtës, organizuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pas shumë diskutimesh, vërejtjesh e sugjerimet që komisioni përzgjedhës i përbërë nga artistët Perikli Çuli, Ali Oseku, Rubens Shima, Pashk Përvathi e përfaqësuesi i MTKRS-së, Agron Gjekmarkaj, pati për paraqitjen e dimensionit të Fishtës poliedrik, fitues u zgjodh boceti i Kasemit. Skulpturës së poetit dhe priftit djaloshar (në gjatësinë e 3 metrave), skulptori i ka shtuar edhe një shtyllë monumentale, 5 metra e gjatë, ndërtuar me figura simbolike që vijnë jo vetëm nga vargjet e "Lahutës së Malcisë". Titani i thirrur nga mitologjia dhe dy muzat e frymëzimit të poetit vendosur mbi krahët e tij, do të shënojnë njëkohësisht edhe të parën skulpturë nudo që vendoset në hapësira publike, pikërisht në sheshin e qytetit të Lezhës. Skulptori shprehet se gjithçka lindi gjatë procesit të modelimit dhe jo si një tendencë për të kafshuar mollën e ndaluar. Në këtë shtyllë monumentale, ndërtuar sipas parimeve të skulpturës klasike, Ora e Shqipërisë, lahuta, libri dhe koka e dhisë janë elementët e tjerë që plotësojnë simbolikën. Së pari ishte menduar që kjo shtyllë të realizohej në mermer, por për shkak të vështirësive të sigurimit të këtij materiali dhe mundësisë së dëmtimit më vonë, u zgjodh që të derdhet në bronz. Deri më 22 prill përfundon realizimi i skulpturës në bronz, e më pas pritet vetëm data e inaugurimit të vendosjes së skulpturës në sheshin e Lezhës.

Jeni gati në përfundim të realizimit të statujës së Gjergj Fishtës. Si ka qenë ky proces gati dyvjeçar?

Kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla. Puna në allci dhe realizimi i modelit përfundimtar në dimensionet reale ka përfunduar. Tashmë mbetet vetëm bashkëpunimi me fonderinë për derdhjen në bronz. Prania ime në këtë fazë ndoshta nuk do të ishte e domosdoshme, por duke marrë parasysh nivelin teknik të fonderisë, ndonëse teknicienët e kësaj ndërmarrjeje kanë eksperiencë 40-vjeçare dhe kanë bërë vepra të mira, duhet ta ndjek realizimin deri në fund. U bë më shumë se një vit e gjysmë që punoj për realizimin e këtij kompleksi skulpturor, por artisti asnjëherë nuk është i kënaqur. Mund ta mbaja edhe një vit tjetër.

Ju keni zgjedhur të realizoni portretin e Gjergj Fishtës në një moshë të re. Pse pikërisht në këtë fazë të jetës?

Janë disa arsye që më çuan këtu. Është vendi ku do të vendoset, në vendlindjen e tij në Lezhë. Por më së shumti, portretin e tij e kam përshtatur në funksion të konceptimit tërësor të ansamblit monumental. Përveç statujës kam realizuar edhe një kolonë, e cila për nga pikëpamja formale formon një situatë dinamike përmes lëvizjes së figurave: zanave, Titanit Atlas (i cili mban peshën e botës), vendosja e lahutës në marrëdhënie me librin dhe me të tërën. Kështu që krijohet një harmoni mes dy vëllimeve skulpturore, kolonës dhe statujës, e cila edhe në bocelin e pranuar është vertikale, por me një ndryshim: ka pësuar një rrethrrotullim që shoqërohet me lëvizjen e krahëve dhe të duarve. Ndryshim jo vetëm për të plotësuar harmoninë tërësore, por për të sintetizuar nga pikëpamja ideore edhe Fishtën poet, edhe Fishtën klerik, kërkesa të cilat me të drejtë kanë qenë kritere që në konkurrim.

Një statujë përfshin artistikisht gjithë kontributin e figurës së cilës i kushtohet. Si e keni krijuar ju modelin tuaj për Gjergj Fishtën?

Një vepër arti dhe veçanërisht një skulpturë monumentale nuk ngrihet mbi bazën e fotografive apo përngjashmërive fizike. Është më tepër një përgjithësim sa ideor, aq edhe i tipareve reale. Arritja e kësaj shprehje është një preokupim i gjithmonshëm, kur flitet për realizimin e veprave për një person historik dhe më shumë akoma për personazhe të cilëve iu njihen kontributet, siç është Gjergj Fishta. Këto figura kërkojnë edhe një sens lapidar, glorifikues, kërkojnë një madhështi që ndoshta shkon edhe pak më tej përfytyrimit real dhe momentalitetit të fotografisë.

Sa e keni njohur Fishtën gjatë këtyre dy vjetëve që jeni marrë me statujën e tij?

Në muajt e punës për realizimin e bocetit nuk pretendoj që e kisha njohur tashmë Fishtën në konturet e tij. Me kalimin e kohës u maturuan shumë ide që u shfaqën papritur apo morën rëndësinë e duhur në kohën që e modeloja.

A do ta kishit bërë një figurë si Fishta nëse nuk do të kishte qenë për një konkurs?

Mund të kishte ndodhur sepse këtë figurë e kam bërë 12 vjet të shkuara. Kam realizuar një statuet në vitet ‘95, kur Fishta i harruar e i mohuar u shfaq në tërë madhështinë e tij. Ishte më tepër një përgjigje momentale ndaj kontaktit të parë me këtë figurë. Por nëse këtë statujë që e kam punuar për rreth dy vjet, do ta kisha bërë 12 vjet më parë, me punën e ngjeshur dhe voluminoze që më ka kushtuar, mendoj se nuk do t‘i kisha prekur dot dimensionet e kësaj figure. Kam fatin që kjo gjë nuk më ndodhi, jo vetëm me Fishtën, por edhe figura të tjera, sepse mendoj se do të isha nxituar shumë. Kjo nuk nënkupton se tani kam arritur maturimin dhe pjekurinë profesionale. Por koha që më është lënë në dispozicion vetëm për këtë monument, puna që kam bërë me bashkëpunëtorët e mi, ish-shokun tim të klasës, skulptorin Anesti Shuraja, dy miqtë e mi skulptorë, Ilmi Lala dhe Bujar Vani, dhe dy djemtë e mi që studiojnë për skulpturë, Pirro dhe Sulid, më bën të mos kem dyshime për atë që nuk ka ndodhur 10 apo 20 vjet më parë. Nganjëherë është edhe fat që nuk ke realizuar diçka tjetër në moshë të re.

Kolona që do të shoqërojë statujën është një tjetër element i rëndësishëm ideor në këtë kompleks monumental. Por njëkohësisht për herë të parë do të jetë një statujë publike që ka brenda nuditetin...

Nuditeti i tre figurave simbolike, Titanit dhe dy muzave të frymëzimit të poetit, është një evolucion që ndodhi gjatë punës. Kjo për arsye sepse çdo veshje që mund të jetë edhe shumë interesante, shumë e bukur, që mund të bëjë edhe një lidhje direkte me folkun, mendoj se do të më zbehte të vërtetën e madhe, frymëzimet titanike të Fishtës si poet dhe figurë poliedrike. Kjo nuk ka ndodhur si qëllim në vetvete, si një lloj "kafshimi i mollës së ndaluar". Të gjithë e dimë se më parë jo vetëm që ka qenë e ndaluar paraqitja e një personazhi nudo në një monument publik, por edhe e paragjykuar. Ndoshta edhe sot e kësaj dite artisti shqiptar, dhe në rastin konkret skulptori që ka të bëjë me krijimin e një vepre publike që komunikon në mënyrë të përditshme, është në një dilemë të tillë. Por këto tri figura që janë në unitet me idenë e një peme lisi, emër të cilin e mban edhe qytetit, nuk janë personazhe konkretë, janë ide dhe koncepte. Edhe Fishta mund të ishte nudo. Raste analoge kemi në skulpturat botërore, siç është ajo e Viktor Hygosë në kopshtin e Pallatit Mbretëror të Francës. Shumë miq, shokë e kolegë, ndër ta dhe unë natyrisht, e pranojmë nuditetin. Por ka dhe skeptikë. Si në shumë gjëra të tjera mentaliteti ynë nuk është i përgatitur. Por artisti nuk mund të presë që forma të tjera edukacioni emancipues që të kultivojnë mentalitetin që të mund të pranojë edhe skulptura të realizuara në situata të tilla.

Skulptura e Fishtës do të vendoset në sheshin e qytetit të Lezhës. Çfarë mund të mendojë një artist që është në të përfunduar të një skulpture, në një kohë që nga sheshet hiqen monumente?

Autoritetet e Bashkisë së Lezhës kanë qenë ato që kanë bërë kërkesën për ngritjen këtij monumenti dhe besoj se kjo është bërë në bazë të planit rregullues të qytetit. Ne nuk jemi të parët që vendosim apo heqim monumente. Veçse ndiej keqardhje për autorët e tyre. Veprat e artit kanë një praktikë rigjykimi; nëse për to ka kontestime ideore apo formale, por arsyet për heqjen e tyre duhet të jenë serioze. Për heqjen, spostimin, ri-impostimin në ambientet e reja të pyeten artistë dhe specialistë të fushës, që në Shqipëri nuk janë të paktë. E them këtë sepse ndiej një mungesë jo të vogël dhe mosprezencë të njerëzve të fushës, skulptorëve, piktorëve, kritikëve e studiuesve. Këto probleme nuk zgjidhen vetëm me stafe.

Ashtu si edhe shumë skulptorë të tjerë që kanë realizuar skulptura apo buste për figura kombëtare, ju keni punuar në studiot e skulpturës, të vetmet ambiente të mundshme, por jo të përshtatshme për punë të tilla...

Aleati i vetëm i këtyre ambienteve të trashëguara është hapësira. Kundërshtarë ka shumë: lagështira, thatësira (mungesa e ujit), mungesa e mirëmbajtjes. Nëse ambiente të tilla do të mbeten në pronësi të shtetit, duhet menduar seriozisht që të rikompozohen në parametrat që kërkon koha për t‘u vënë në dispozicion të artistëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›