E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhorxh Kluni, "dhëndër" në dinastinë Buto?

Pasioni i fundit i Xhorxh Klunit nuk është ndonjë bukuroshe "Playboy", as ndonjë striptiste apo aktore, por një gazetare dhe njëkohësisht shkrimtare, shumë ndryshe nga të tjerat, edhe për faktin se është mbesa e ish-kryeministres pakistaneze të vrarë në 27 dhjetorin e 2007-ës, Benazir Buto. Bëhet fjalë për Fatima Buton. Të paktën kështu shkruan tabloidi amerikan "National Enquirer", që ka një traditë të gjatë në zbulimin e këtyre gjërave dhe përcjelljen e lajmeve ekskluzive te lexuesi. Fatima Buto, vajza e vëllait të Kryeministres së vrarë, Murtaza, është inteligjente, e shkolluar jashtë (është diplomuar në Columbia University të Nju Jorkut) dhe nuk heziton t‘i shprehë hapur opinionet e saj, shpesh edhe të forta. Fatima ka shkruar dy libra dhe ka një rubrikë në një të përditshme politike në vend, ku shkruan vazhdimisht analiza. 26 vjeçe, me një bukuri të mahnitshme, (Benazir, në autobiografinë e saj "Bija e Lindjes", i referohet shpesh mbesës së saj, që me sa duket e adhuron) Fatima është e vendosur dhe kokëfortë. "Enquirer" shkon më tej, duke thënë se Kluni duket se e ka marrë shumë seriozisht këtë lidhje, për të cilën ka bërë gjithçka për ta mbajtur të fshehtë. Një burim anonim i gazetës tregon se Fatima që jeton me të vëllain në një ndërtesë luksoze në Karaçi, ka pranuar për të kaluar një periudhë kohe me Klunin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas asaj që raportohet aty, aktori dhe bukuroshja pakistaneze janë takuar vitin e kaluar në një konferencë ndërkombëtare. Po ashtu, aty tregohet se Fatima nuk ka pranuar kollaj të dalë me aktorin bukurosh, duke parë suksesin e padiskutuar të tij me femrat dhe moshën paksa të madhe, 47-vjeçare. Megjithatë, përmes e-mail-eve dhe telefonave ka arritur ta bindë për ta takuar. Sipas "National Enquirer", tani po kërkon ta marrë me vete në Hollivud. Vitin e shkuar i njëjti tabloid shkroi se ish-kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale, Xhon Eduards, tradhtoi të shoqen e sëmurë me kancer, me një gazetare, me të cilën bëri edhe një fëmijë. Pas kësaj, Eduards u detyrua ta pranojë këtë lidhje, gjë që e detyroi t‘i japë fund karrierës së tij politike. Për këtë arsye, lajmi për lidhjen mes Klunit dhe Fatima Butos konsiderohet si plotësisht i vërtetë. Pastaj, në tregun amerikan, kjo gazetë është e njohur për përcjelljen e lajmeve ekskluzive dhe zbulimin e lidhjeve të tilla mes njerëzve të famshëm.

Fatima Buto

Edhe pse shumë e shohin Fatimën si një pasuese të Benazirit, ajo ka kërkuar vazhdimisht që të distancohet nga trashëgimia dhe fama e hallës së saj, e cila humbi jetën vetëm një vit më parë. Ajo e kreu masterin në Londër në Shkollën e Studimeve Afrikane dhe Orientale në Oksford. Ka përfunduar një punim mjaft interesant në lidhje me vitet e qeverisjes diktatoriale të Zias në Pakistan, ka shkruar një libër me poezi në moshën 15-vjeçare me titullin "Pëshpërima e shkretëtirës" dhe në vitin 2006 doli me një përmbledhje tregimesh të shkurtra, e frymëzuar nga tragjedia e tërmetit të dy viteve më parë në Pakistan, ku humbën jetën më shumë se shtatëdhjetetre mijë veta. "Krahasimet me hallën time nuk qëndrojnë. Për sa i përket ideologjisë politike, jemi shumë larg njëra-tjetrës, por edhe në aspekte të tjera të këndvështrimit të jetës. Jemi krejtësisht të ndryshme dhe unë nuk i përafrohem personalitetit të saj në asnjë aspekt", pati thënë ajo dikur. Analiza e saj e përjavshme, që ajo boton në shtyp, ka të bëjë kryesisht me aspektet sociale të jetës dhe më pas edhe me ato politike. Ajo mori shumë përgëzime për raportin që bëri në vitin 2006, në lidhje me luftën në Liban. Në muajt më kritikë të luftës, ndodhej në Liban dhe shkroi në ditar çdo ditë të konfliktit, i cili e ndihmoi më pas që të përgatiste një material mjaft interesant. Mes dëshirave të saja, është ajo për të vizituar Kabulin, vendin e lindjes, por ka frikë sepse vizita mund të paraqiste një rrezik të madh. Për sa i përket Benazirit, ajo e donte shumë të mbesën, të paktën kështu shkruan në autobiografinë saj "Bija e Lindjes". Pas vdekjes së hallës, është përpjekur që përmes shtypit ta distancojë veten prej saj. Ajo çka nuk i ka pëlqyer kurrë te Benaziri ka qenë zelli i saj i tepruar dhe dëshira për pushtet. Më e shqetësuar është për fatin e vendit.

Për lidhjen e saj me aktorin amerikan, vajza 26-vjeçare nuk është prononcuar ende.

Xhorxh Kluni

Aktori 46-vjeçar është një ndër më të preferuarit dhe më të paguarit në Hollivud, përveçse një nga meshkujt më seksi, sipas një klasifikimi të përvitshëm të bërë nga "People". Pjesë e fushatave të shumta publicitare, Kluni, që renditet edhe mes pesë meshkujve më të paguar, historinë e fundit të dashurisë e ka përjetuar me striptisten Sarah Larson. Në fakt, aktori bukurosh njihet si Don Zhuan, madje e ka pranuar se një nga pasionet e tij në jetë janë femrat. Në vitet 1989 dhe 1993 ka qenë i martuar me Talia Balsam, vajzën e aktorit Martin Balsam. Për 18 vjet me radhë ka jetuar me një derr me emrin Max, që ngordhi në 2006-ën dhe për shumë vite edhe nën shoqërinë e dy qenve. Kluni është një mbështetës i Partisë Demokratike amerikane dhe një nga përkrahësit e flaktë të fushatës ku fitoi Barak Obama. Është i angazhuar edhe me çështjen e Darfurit, gjë që e ka bërë që shpesh të jetë pjesë e konferencave dhe apeleve për ndërhyrje humanitare. Që nga viti 2008 është emëruar edhe ambasadori i OKB-së për paqen.

Çifti

Sipas gazetës amerikane, Kluni dhe Fatima u takuan në një konferencë ndërkombëtare në Amerikë. Fatima, gjithmonë prezente me problemet që lidhen me rajonin e saj, ndërsa Kluni si ambasador i OKB-së për paqen. "Çifti u pëlqye menjëherë", tregon një burim që nuk pranon të identifikohet. Kluni ka ndërmend ta marrë të dashurën e tij të re në Amerikë, por angazhimet e saj në politikë dhe çështjet e mprehta të vendit kanë qenë pengesa e vetme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›