E Shtunë, 31 Tetor 2026

"VATRA" e shqiptarëve të Amerikës

Në historinë e lëvizjes sonë ko
mbëtare për liri dhe pavarësi, një
rol shumë të rëndësishëm kanë
luajtur kolonitë shqiptare të mërgimit.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim
të shekullit që ne lamë pas, emigrantët
shqiptarë, krahas rrugëve të njohura të
emigracionit për në Bullgari, Rumani, Greqi,
Misir, etj., filluan të drejtohen për në
SHBA. I pari shqiptar që shkeli tokën
amerikane ishte At Kolë Sotir Kristofori, i
lindur më 1860 në fshatin Katund të zonës
së Vakëfeve nga Korça. Ai shkoi në Amerikë
në vitin 1884 dhe u vendos fillimisht në
Boston, ku filloi të zhvillonte veprimtarinë
e tij patriotike, për të cilën është dekoruar
me medaljen "Për veprimtari patriotike".
Pas tij shkuan dhe shumë të tjerë, kryesisht
nga Korça dhe Gjirokastra.
Emigrantëve shqiptarë iu desh të përballonin
vështirësi të mëdha. Ata niseshin
me karroca drejt Manastirit dhe mbërrinin
në Budapest e prej andej me trenat
ndërkombëtarë shkonin në portet gjermane
e franceze, nga ku niseshin drejt
Amerikës. Ata shkonin në një vend ku çdo
gjë ishte e huaj për ta: gjuha, zakonet, organizimi
shtetëror, ekonomia. Emigrantët
shqiptarë nuk kishin ndonjë profesion
dhe kështu detyroheshin të punonin në
punët më të vështira. Java e punës ishte
56-60 orë në javë (Kostandin Demo "Të
parët shqiptarë në Amerikë", Boston,
1960.) Ata jetonin në grupe prej 7-10
vetash në një vend, hanin bashkërisht
dhe kryenin të gjitha nevojat e tyre.
Shumë shqiptarë, për shkak të pagës së
ulët që merrnin dhe duke mos përballuar
nevojat e tyre e të familjes, detyroheshin
të punonin edhe në lokalet e natës, si pjatalarës,
ndihmëskamerierë etj.
Shqiptarët jetonin me problemet e
punës së përditshme dhe me problemet
e atdheut. Për të ndihmuar njëri-tjetrin,
për të kontribuar së bashku në luftën për
liri dhe pavarësi kombëtare, për të
zgjidhur problemet e mëdha që qëndronin
para tyre, u krijuan shoqëritë shqiptare
të mërgimit.
Për të ruajtur dashurinë për atdheun,
për të kontribuar më shumë në luftën çlirimtare,
për të përballuar me sukses përpjekjet
e organizuara të shovinistëve
grekë, për të bashkuar shqiptarët e ndihmuar
njëri-tjetrin, patriotët punuan për
formimin e shoqërive patriotike nën
shembullin e shoqërive patriotike shqiptare
të Rumanisë, Bullgarisë, Egjiptit
etj. Në këtë drejtim rol të rëndësishëm
luajti Petro Nini Luarasi, i cili shkoi në
SHBA më 1904. Me iniciativën e tij, më
1905, u formua shoqëria e parë me emrin
"Pellazgët", e cila çeli rrugën e formimit të
mjaft shoqërive të tjera. Ajo luajti një rol të
madh në organizimin e shqiptarëve.
Mbas disa muajve, me iniciativën e Petro
Nini Luarasit, Mina Gramenos dhe Llambi
Bimblit, më 1 janar 1906, u themelua në
Jamestown shoqëria "Malli i Mëmëdheut".
Po aty u krijua edhe një shoqëri
tjetër me emrin "Allovoithja". Si duket nga
emri, ajo ishte nën influencën e elementeve
greke. Programi i kësaj shoqërie
kërkonte arritjen e çlirimit të Shqipërisë
përmes ndihmës së Greqisë. Shoqëria
"Malli i Mëmëdheut" i vuri detyrë vetes që
të sqaronte anëtarët e shoqërisë "Allovoithja",
se çlirimi i Shqipërisë mund të
realizohej vetëm me luftën e shqiptarëve
të bashkuar. Puna këmbëngulëse e argumentuar
deri në detaje bëri që shoqëria
greke të shkrihej me shoqërinë "Malli i
Mëmëdheut" dhe anëtarët e dy grupimeve
të punonin për çështjen shqiptare.
Kjo ishte një fitore e rëndësishme e shoqërisë
"Malli i Mëmëdheut" për bashkimin
e shqiptarëve në luftë kundër
shovinistëve grekë.
Në propagandën e luftës për çlirim
kombëtar dhe rolin e shqiptarëve të SHBA
në këtë luftë, një veprimtari të gjerë zhvilloi
në këtë periudhë Sotir Peci e Fan Noli.
Sotir Peci i ndjekur nga autoritetet
turke emigroi në SHBA. Për të realizuar
"bashkimin kombëtar të popullit shqiptar
në luftën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare"
dhe për ta bërë atë të njohur në
opinionin publik, me iniciativën e
drejtimin e vet, Peci filloi botimin e gazetës
"Kombi". Shtypshkronja u ble nga Sotir
Peci, Goni Katundi dhe Thimi Naçi e u
vendos në qilarin e një dyqani në Boston.
Numri i parë i "Kombit" doli më 9 qershor
1906. Gazeta "Kombi" shumë shpejt u bë
një organ i dashur për shqiptarët e
Amerikës, për kolonitë e tjera shqiptare
jashtë SHBA dhe filloi të lexohej edhe në
Shqipëri.
"Kombi" propagandoi nevojën e bashkimit
të shqiptarëve. Në tipografinë e saj
gjithnjë bisedohej për këtë. Me nismën e
Pecit, Nolit e patriotëve të tjerë u organizua
një mbledhje e shqiptarëve të Bostonit,
ku u vendos të themelohej një tjetër
shoqëri e shqiptarëve. Më 6 janar 1907,
mbledhja e drejtuar nga Fan Noli, me propozimin
e tij themeloi shoqërinë "Besa-
Besën". Kjo shoqëri shpalli si qëndrim
kryesor të saj ngritjen e ndërgjegjes kombëtare
nëpërmjet arsimimit të shqiptarëve,
çeljes së shkollave shqipe në
Shqipëri, përgatitjen e kuadrove për këto
shkolla, botimin e revistave shqipe etj.
Shoqëria "Besa-Besën" i vuri detyrë vetes
të krijonte degët e saj në të gjitha qytetet
dhe qendrat e banimit të shqiptarëve të
Amerikës. I ngarkuar nga shoqëria "Besa-
Besën", Noli shkoi në qytetin Natric për të
ngritur degën e parë të shoqërisë. Ai u foli
bashkatdhetarëve të tij për domosdoshmërinë
e bashkimit dhe qëllimet e shoqërisë
"Besa-Besën". Shqiptarët e
Natrikut formuan degën e tyre më 10 shkurt
1907 me kryetar Ilo Elias Tromarën
dhe më pas ata të Manchesterit, më 10
mars 1907, të Concorad Hudson Mass të
Worcesterit Mass me kryetar Llambi Polenën,
më 7 prill 1907. Shoqëritë "Malli i
Mëmëdheut" dhe "Besa-Besën" u bënë
shoqëritë kryesore të shqiptarëve të
Amerikës. Krahas tyre vepronin edhe shoqëri
të tjera, si "Koha e lirisë" në New York
që më 1906, "Lidhja" në Sant Louis që më
1906. Më 13 mars 1907 u krijuan edhe dy
shoqëri të tjera "Mbarësi" dhe "Lidhja";
"Mirëbërëse e Dardharëve", gusht 1907,
"Nderi shqiptar", "Dielli i Shqipërisë",
"Fatbardhësi", tetor 1907 (sipas "Kalendarit
të Vatrës" 1918). Shoqëria "Mbarësi"
ngriti me forcë problemin e hartimit të një
alfabeti të vetëm të shqipes, problem ky
shumë aktual dhe një nga problemet
kryesore të luftës për gjuhën, shkollën
dhe shkrimin shqip.
Krijimi i shoqërive patriotike dhe rritja
e anëtarëve të tyre janë shprehje e forcimit
të ndërgjegjes kombëtare në radhët e shqiptarëve
të mërgimit. Por detyrat që
parashtroheshin para lëvizjes sonë kombëtare
kërkonin bashkimin e tyre në një
organizatë të vetme dhe koordinimin e
veprimeve me lëvizjen kombëtare brenda
në Shqipëri. Këtë problem e shtroi me
forcë gazeta "Kombi" që në fillim të prillit
1907. Thirrjes për bashkim iu përgjigjën
të parat shoqëritë "Besa-Besën" dhe "Malli
i Mëmëdheut". Në mbledhjen e mbajtur
më 16 mars 1907 anëtarët e shoqërisë
"Besa-Besën" diskutuan çështjen e bashkimit.
Në këtë mbledhje Petro Nini Luarasi
foli mbi problemet e luftës për çlirim
kombëtar.
Kontribut për lëvizjen kombëtare është
edhe nota që iu dërgua Konferencës së
Hagës më 8 korrik 1907 në emër të shoqërive
"Besa-Besën", "Malli i Mëmëdheut",
"Lidhja" dhe "Koha e lirisë", të cilat,
si shprehej në notë, përfaqësonin moralisht
9/10 e kombit shqiptar. Në notë u
paraqitën këto kërkesa:
1) Të njihej zyrtarisht nga Perandoria
Osmane kombi shqiptar mbi bazën e gjuhës
dhe pavarësisht nga dallimet fetare.
2) Qeveria osmane të lejonte mësimin
e shqipes.
3) Të sigurohej liria e tregtisë dhe të
hiqeshin të gjitha pengesat e kufizimet
për shqiptarët.
Këto kërkesa të çonin në autonominë e
Shqipërisë si hap drejt krijimit të një shteti
të pavarur shqiptar. Paraqitja e këtyre
pikave në një kohë kur autoritetet turke
dhe shovinistët fqinjë mohonin ekzistencën
e shqiptarëve si komb më vete, ka
rëndësi për lëvizjen kombëtare shqiptare.
Kërkesat dilnin edhe një herë para botës,
duke mohuar fjalët se Shqipëria ishte
thjesht një shprehje gjeografike.
Konferenca e Hagës nuk i mori parasysh
dhe nuk i shqyrtoi kërkesat e shqiptarëve,
duke treguar edhe një herë
qëndrimin armiqësor të fuqive evropiane
ndaj lëvizjes sonë kombëtare. Në
përgjigje të kësaj fryme antishqiptare,
"Kombi" bënte thirrje se "çlirimi i Shqipërisë
nuk duhej pritur nga fuqitë e
mëdha po nga bashkimi i shqiptarëve dhe
lufta e tyre" ("Kombi", 15 korrik 1907).
Një ngjarje me rëndësi në historinë e
kolonive shqiptare në SHBA ishte dhe krijimi
i Kishës Autoqefale Shqiptare. Iniciativën
për këtë akt e morën degët e shoqërisë
"Besa-Besën" në Natrick Mass,
Hudson Mass dhe Marlboro Mass. Për
këtë ato iu drejtuan peshkopit të kishës
ruse në New York, imzot Platonit, për të
dorëzuar priftin shqiptar. Me këtë detyrë
u ngarkua Fan Noli. Ceremonia e dorëzimit
të Nolit prift u zhvillua më 24 shkurt
1908 dhe mesha e parë u krye në një sallë
të Bostonit në Tremont St. Noli tregoi se
"liturgjia në gjuhën shqipe transmetonte
lutjet, këndonte psalmet aq bukur, aq
shkoqur, aq kuptueshëm dhe për të pagdhendurin
sa dhe gjuha e ‘pazëvendësueshme‘
greqishtja" (Goni Katundi "Kujtime
nga lëvizja për çlirim kombëtar",
1962, faqe 12). Në këtë mënyrë, mesha e
parë shqipe e kryesuar nga Fan Noli ishte
një shërbim i madh për gjuhën shqipe dhe
një armë e patriotëve për të luftuar për
gjuhën shqipe në luftë kundër armiqve të
gjuhës, shkrimit dhe shkollës shqipe.
Noli, duke punuar për Kishën Autoqefale
Shqiptare, e vazhdoi me forca të reja
luftën për çështjen kombëtare dhe për
mendimin tonë kjo përbënte veprimtarinë
kryesore të tij. Krijimi i Kishës Autoqefale
Shqiptare nuk ishte një veprim
vetëm fetar, por edhe politik. Ajo u përdor
me mjeshtëri nga patriotët tanë me mjeshtëri
për të propaganduar lëvizjen kombëtare
dhe për të luftuar Fanarin grek
dhe Patriarkanën e Stambollit.
Shoqëritë patriotike në SHBA zhvilluan
një aktivitet të gjerë në përhapjen e
arsimit shqip në radhët e shqiptarëve. Ato
hapën shumë shkolla shqipe (të
mbrëmjes). Në këto shkolla u përdor alfabeti
i Stambollit. Gjithashtu ato u bënë
qendra për edukimin patriotik, sidomos
për të rinjtë. Në mbarëvajtjen e këtyre
shkollave një meritë shumë të veçantë ka
Petro Nini Luarasi. Ai ishte një "librari me
dy këmbë", me xhepa të mbushur me
panfleta, revista e gazeta (Demo:1960,
faqe 60). Kurse Noli në një letër të tij shkruante
"Ishte propagandist i palodhur
dhe kudo që kishte qëndruar në Amerikë,
linte pas nga një grup patriotësh entuziastë".
Shoqëria "Malli i Mëmëdheut" krijoi
bibliotekën e saj me të gjitha veprat e rilindësve.
Shumë shkolla u hapën me
kujdesin e saj. Në to punonin mësues vullnetarë,
ku midis të cilëve u dallua patrioti
nga Korça, Thanas Visso Mborja. Duke
vlerësuar drejt problemin e alfabetit kombëtar,
shqiptarët e Amerikës dërguan
Sotir Pecin, si përfaqësues të tyre në Kongresin
e Manastirit më 1908.
Patriotët e kolonive shqiptare të
mërgimit e panë me dyshim politikën
xhonturke në Shqipëri dhe nuk u gënjyen
prej saj. Që në prill 1908 "Kombi" shkruante
se xhonturqit nuk kanë qëllim
tjetër veçse të shuajnë çështjen tonë kombëtare.
Ajo dënoi me forcë përpjekjet e
tyre për t‘u mohuar popujve të pushtuar
kombësinë e tyre e për t‘i paraqitur ata
me kombësi osmane.
Patriotët shqiptarë në Amerikë mbështetën
me të gjitha forcat lëvizjen kombëtare
brenda në Shqipëri kundër
xhonturqve.
Kryengritjet e vitit 1909-1912 u
përkrahën prej patriotëve dhe nëpërmjet
gazetës "Dielli", organ i shoqërisë "Besa-
Besën" që u botua nga 15 shkurti 1909, u
propaganduan gjerësisht qëllimet e veprimet
e shqiptarëve në atdhe.
Në kushtet e rritjes së luftës së armatosur
kundër sundimit turk në Shqipëri,
bashkimi i shoqërive shqiptare në SHBA
u bë një domosdoshmëri për të kontribuar
me sukses në lëvizjen tonë
kombëtare. Nëpërmjet
gazetës "Dielli", patriotët
duke trajtuar problemin
e luftës për çlirim të Shqipërisë,
ngritën zërin
për bashkim. "Dielli"
shkruante: "Le të bashkohemi
me një mëndje.
Le t‘u japim shkelmin
disa intrigantëve dhe
çdo armiku dhe së fundmi
le të sulemi të lëftojmë
me gjithë zemër për të
mundur të shohim një
ditë flamurin tonë gjer në
qiell" ("Dielli", tetor 1911).
Ngjarjet e vitit 1911 dhe
qëllimet e shteteve evropiane
e monarkive ballkanike ndaj
Shqipërisë, rreziku i copëtimit
ftonin çdo shqiptar të kryente
detyrën e tij ndaj atdheut. Në këto
momente të vështira kërkohej bashkimi
i të gjithë shqiptarëve në luftë në
luftë kundër Perandorisë Osmane dhe
planeve të Fuqive të Mëdha.
"Dielli" shkruante: "Ka ardhur
koha të tregojmë me vepra se
jemi patriotë, duhet vepruar o
sot o kurrë, ka ardhur koha që shqiptarët
të mos lejohen të përdoren
si mish për top... ç‘duhet
bërë? Duhet bashkuar... duhet
krijuar një komitet qendror. O
burra! Të gjithë bashkohuni,
kërkoni bashkimin, thërrisni të
gjithë me një zë: Rroftë bashkimi!
Ja liri e atdhe, ja hi e nabeti"
("Dielli", 2 nëntor 1911).
Shoqëria "Besa-Besën" mori
iniciativën për bashkimin e shoqërive.
Në mbledhjen e saj të
datës 5 nëntor 1911 diskutoi
gjerësisht këtë problem. Ajo
vendosi t‘u bënte thirrje gjithë
shoqërive për t‘u bashkuar dhe
krijoi një komision për të drejtuar
punën. Në këtë komision u
caktuan Fan Noli, Paskal Aleksi,
Kristo Floqi, Faik Konica etj.
Nëpërmjet "Diellit" u ftuan të
gjitha shoqëritë të dërgonin përfaqësuesit
e tyre në Boston, më
24 dhjetor 1911. Gjithashtu në
gazetën "Dielli" u botua "Kanunorja"
e shoqërisë së bashkuar,
duke ftuar gjithë shqiptarët të shprehnin
mendimet e tyre mbi të.
Në projekt "Kanunoreja" shpallte se
qëllimi i shoqërisë së bashkuar do të ishte:
Së pari- bashkimi i shqiptarëve dhe çlirimi
i Shqipërisë. Së dyti- Përhapja e arsimit
dhe kulturës në Shqipëri dhe në shqiptarët
e Amerikës.
Shoqëria do të ndërtohej mbi baza
demokratike. Anëtar i saj mund të bëhej
çdo shqiptar që kishte mbushur moshën
18 vjet dhe të paguante rregullisht kuotat.
Shoqëria do të drejtohej nga kryetari,
nënkryetari, sekretari i përgjithshëm, sekretari
i dytë, kujdestari dhe 6 këshilltarë,
të cilët do të zgjidheshin me shumicë votash
nga mbledhja e përgjithshme e shoqërisë
për një vit. Të gjithë këta, me përjashtim
të sekretarit të përgjithshëm, do
të punonin falas dhe në fund të vitit do të
jepnin llogari për aktivitetin e zhvilluar.
Degët e shoqërisë do të krijoheshin në çdo
vend ku kishte më se 20 shqiptarë dhe do
të drejtoheshin nga një pleqësi prej 5
anëtarësh.
Bashkimi i shoqërive i parashikuar për
më 24 dhjetor nuk u arrit të bëhej. Por po
atë ditë u krijua komisioni për bashkimin,
i cili u dërgoi fjalë shoqërive që të dërgonin
një përfaqësues me të drejta të plota
për të përfaqësuar shoqërinë në
mbledhjen për bashkimin e për këtë të
njoftohej sekretari Fan Noli deri në fund
të shkurtit 1912.
Në një mbledhje që u mbajt më 3 mars
1912, komisioni deklaroi se kërkesës për
bashkim iu përgjigjën 8 shoqëri. Për sa i
përket programit të shoqërisë së bashkuar,
4 shoqëri ishin për qëllime politikopropagandistike,
2 për qëllime edukative
kurse dy të tjerat miratonin dy programet.
Mbledhja e delegatëve të shoqërive
"Besa-Besën", "Malli i Mëmëdheut", "Kombëtarja",
"Përlindja", "Flamuri i Krujës",
"Mirëbërëse" dhe "Dallëndyshja" u
mblodhën më 17 mars 1912 së bashku me
komisionin organizativ në kishën e Shën
Gjergjit të Bostonit.
Që në seancën e parë u dukën kontradiktat
lidhur me programin e shoqërisë
së bashkuar. Seancat e mbledhjeve vazhduan
më pas më 24 mars dhe 31 mars
1912.
Në mbledhjen e 31 marsit u njoftua
vendimi i shoqërisë së Garry-int "G.
Skënderbeu" për të marrë pjesë në bashkimin
e shoqërive. Në seancat e 9 dhe 14
prillit u diskutua kanunorja e hartuar prej
Faik Konicës e Kristo Floqit dhe në atë të
28 prillit iu dha fund debateve. Komisioni
i bashkimit të shoqërive dhe delegatët
në mbledhjen e 28 prillit 1912 vendosi:
Të quajnë të formuar "FEDERATËN PANSHQIPTARE
TË AMERIKËS VATRA" prej
shoqërive "Besa-Besën", "Komiteti", "Flamuri
i Krujës", "Kombëtare" dhe
"Dallëndyshja" ("Dielli", 2 maj 1912).
Mbledhja zgjodhi sekretar të përgjithshëm
Fan Nolin, arkëtar Llambi Cikozin,
menaxher të "Diellit" Kristo Kirkën; si organizatorë
të degëve të "VATRËS" u zgjodhën
Faik Konica dhe Kristo Floqi; si
mbikëqyrës së "Diellit" u zgjodhën
Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta
Vasil. Procesverbalet e themelimit të
Federatës janë firmuar nga personat e
lartpërmendur.
Krijimin e Federatës "VATRA" gazeta
"Dielli" e vlerësoi si një ngjarje shumë të
rëndësishme: "Mbas shtatë muajsh përpjekje
të vazhdueshme bashkimi i shoqërive
mori fund. Duke filluar që sot për
ne hapet një udh‘ e re, një rrug‘ e mbarë,
në të cilën çdo shqiptar i vërtetë thirret të
përveshë llërët e pëqitë e të veprojë me
gjithë zellë e dëshirën e tij, me gjithë afshin
e zjarrtë që ndjen për kombin e vet...
Le të mos dëgjojmë gjë tjetër veç
ndërgjegjes sonë dhe zërit të kombit"
("Dielli", 2 maj 1912).
Themelimi i Federatës "VATRA" në prill
të vitit 1912 në pragun e ngjarjeve të mëdha
për vendin tonë, ishte një ngjarje me rëndësi
në lëvizjen tonë kombëtare. Ajo grumbulloi
rreth saj forcat patriotike të SHBA,
mori pjesë drejt për së drejti në luftën e
popullit shqiptar për liri e pavarësi, propagandoi
lëvizjen kombëtare shqiptare në
opinionin publik dhe mbroi çështjen shqiptare
në arenën ndërkombëtare. Federata
"VATRA" punoi për ruajtjen e traditave
dhe dashurisë ndaj atdheut.
Pas prillit 1912 filloi me të shpejtë organizimi
i degëve të Federatës nga Kristo
Floqi dhe Faik Konica. Deri në fund të vitit
1918 ata kishin hapur 65 degë të shtrira
në të gjithë territorin e SHBA. Pas kësaj
arritjeje, Federata punoi për të bashkuar
edhe shoqëritë e tjera që mbetën pa u
bashkuar që më 28 prill. Më 18 maj 1912 u
bashkua shoqëria "Mirëbërëse" e Syracuse-
lit, më 4 tetor 1913 u shtuan anëtarët
e "Flamurit të Shqipërisë" nga Çikago, më
25 nëntor 1913 u bashkua "Malli i Mëmëdheut",
"Atdheu" e Filadelfias.
Më 13 qershor 1913 Federata u njoh
zyrtarisht nga sekretari i shtetit Massachusetts,
zoti Albert P. Langtry dhe mori
diplomën prej tij. Emrat e atyre që
kërkuan ligjërimin e Federatës dhe që
janë të shkruar në diplomë, janë: Faik Konica,
Llambi Cikozi, Fan Noli, Kristo Floqi,
Elia Tromara, Naum Cere, Koço Kota.
Njohja zyrtarisht nga autoritetet e
SHBA e Federatës "VATRA" ishte një fitore
e madhe për lëvizjen tonë, sepse erdhi në
një moment kur Shqipëria po mohohej
prej Turqisë dhe shteteve fqinje.
Federata "VATRA", duke parë vështirësitë
financiare që po kalonte Mësonjëtorja
e Parë e Korçës, hapi një llogari në
ndihmë të saj nga ku mblodhi një sasi të
konsiderueshme të hollash që më pas iu
dërguan shkollës së Korçës. Gjithashtu në
nëntor të vitit 1912, "VATRA" përshëndeti
nxehtësisht Kuvendin e Vlorës dhe miratoi
vendimet e tij, duke i siguruar kabinetit
"Qemali" përkrahjen e gjithë shqiptarëve
të Amerikës.
Federata Panshqiptare "VATRA" e
Amerikës krijoi edhe bandën e saj, të quajtur
"Banda Kombëtare Vatra", e cila u
themelua më 11 dhjetor 1916 me drejtues
artistik patriotin nga Dardha e Korçës,
Thoma Nassi, dhe me kryetar Kosta
Panon.
Aktiviteti i kolonive shqiptare dhe Federata
"VATRA" në SHBA është mjaft i gjerë,
por në këto shënime të shkurtra u munduam
të japim vetëm një vështrim të
përgjithshëm nga krijimi i tyre deri në
Shpalljen e Pavarësisë, pa pretenduar një
analizim të plotë të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›