E Diel, 1 Nëntor 2026

"Femra, zgjidhini burrat më të rinj se vetja!"

Pas shfaqjes në ekran të filmit "Lidhje të rrezikshme", regjisori Stefen Frirs ka zgjedhur sërish pas 20 vitesh të bashkëpunojë me aktoren Mishel Fajfer për filmin e ri "Sheri", një dramë romantike, e përshtatur në Parisin e viteve 1900. Në këtë film, aktorja amerikane luan rolin e një kurtizaneje 50-vjeçare, e cila krijon lidhje sentimentale me një djalosh shumë më të ri në moshë se ajo. Edhe pse detyrohet të martohet me shkuesi me një moshataren e tij, djaloshi nuk do ta harrojë kurrë gruan që ka dashur dhe do të përpiqet të rikthehet tek ajo, duke sfiduar bindjet shoqërore. I prezantuar në konkursin e Festivalit të Berlinit, filmi është pritur me shumë entuziazëm nga shtypi, i cili ka vlerësuar dialogët brilantë dhe zbavitës, tipikë të personazheve, sidomos atë të Kejthi Bejtis që në film luan rolin e nënës së Sherit. Për të prezantuar filmin në kryeqytetin gjerman kanë ardhur regjisori Stefen Frirs, skenaristi Kristofer Hampton dhe protagonistët Mishel Fajfer e Rupert Friend.

"Nuk ka qenë e vështirë të sillja në ekranin e madh këtë film, sepse skenari i Kristoferit ishte i mrekullueshëm. Gjëja që më intrigonte më shumë është kjo tragjedi që ‘jeton‘ edhe në histori", thotë regjisori.

Sipas shumë opinioneve, filmi "Sheri" ngjan me "Lidhje të rrezikshme", por regjisori e mohon një fakt të tillë, duke thënë se ndryshimi i parë mes dy filmave fillon që nga aktorët protagonistë. Në filmin "Lidhje të rrezikshme" luan Xhon Malkoviç, ndërsa në "Sheri" jo.

Aktorja Mishel Fajfer

Të them të drejtën filmin nuk e kam parë ende të përfunduar. Kur më propozuan që të isha protagonistja kryesore, ndihesha e elektrizuar, sepse do të punoja sërish si me regjisorin Stefen Frirs, ashtu edhe me skenaristin Kristofer Hempton. Përveç kësaj, ishte një mundësi e mirë për të qëndruar përkrah aktores së madhe Kejthi Bejtis. Është kënaqësi të punosh me të, sepse zbavitesh, por në të njëjtën kohë për mua ka qenë shumë e vështirë të përshtatesha me këtë rol kaq të ndërlikuar.

Në film, Fajfer interpreton një 50-vjeçare të dashuruar, që përpiqet t‘i tregojë të dashurit të saj, se edhe pse diferenca e moshës mes tyre është e madhe, ata janë shumë të lumtur me njëri-tjetrin. Nëse në jetën reale Mishel do të përballej me këtë histori, a do të vepronte si personazhi i saj? "Mënyra e të sjellurit e personazhit tim varet nga epoka ku ai jeton. Mendoj se sot gjërat kanë ndryshuar shumë. Në botë jetojnë çifte që martohen, edhe pse kanë diferencë të madhe moshe dhe askush nuk i paragjykon".

A i lejon Hollivudi aktorët të plaken? Mishel mendon se i lejon dhe ajo është shembulli konkret i saj. "Natyrisht që sa më shumë të plakesh aq më pak role do të të besojnë, por mua më pëlqen të punoj dhe nuk i refuzoj rolet që më ofrojnë. Sa më ‘e moshuar‘ të jesh, aq më interesante bëhen rolet".

Në Festivalin e Berlinit aktorja bukuroshe është pyetur se cili është sekreti i bukurisë së saj: "Kur punoj trukohem shumë, ndërsa kur marr pushimet mbyllem në shtëpi. Bëj çdo ditë ushtrime fizike, por dua ta theksoj se një prej faktorëve kryesorë të bukurisë është lumturia. Më pëlqen jeta që bëj. Veç të tjerash, mund të vesh ende xhinse, ndërsa duhanin e kam lënë që kur isha 30 vjeçe, gjë që e ka rinuar organizmin tim". Çfarë do t‘u këshillonit personave që ëndërrojnë të bëhen aktorë? "Ta ushtronin këtë zanat vetëm nëse nuk kanë gjë tjetër më të mirë për të bërë".

Gjermanët kërkojnë të dinë më shumë për të dhe e pyesin për mbiemrin dhe prejardhjen e saj: "Nuk e njoh origjinën time, por e di që rrënjët janë hebraike dhe gjermane". Mishel thotë se njërin sy e ka më të vogël se tjetri dhe fytyrën asimetrike. Ndoshta mund të jetë kështu, siç thotë ajo, por bukuria e saj eklipson gjithçka, përfshi dhe moshën.

Aktori Rupert Friend

Sfida më e madhe për mua ka qenë përshtatja me personazhin, që në fillim ishte krejtësisht pasiv, pa dëshira, pre e ngjarjeve. Rrugëtimi dhe zhvillimi i personazhit nga fëmijëria deri në maturimin final është mjaft interesant. Për të tjerat ia besova veten regjisorit Stefen Frirs. Puna me të ka qenë vërtet zbavitëse dhe mbresëlënëse.

Skenaristi Kristofer Hempton

Gjithmonë më kanë pëlqyer librat dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë të shkruaj versionin kinematografik. Stefen është një regjisor që u lejon skenaristëve të marrin pjesë bindshëm në një film dhe më besoni, nuk është e thjeshtë të gjesh profesionistë të tillë. Kur Stefen lexoi skenarin u kënaq pa masë dhe natyrisht kjo gjë më bën të jem krenar.

Filmi

"Sheri" është një dramë romantike e përshtatur në Parisin e viteve ‘20. Kurtizania bukuroshe Lea de Lonval, ka marrë përsipër t‘i mësojë djaloshit Sheri artin e të dashuruarit. Pas pesë vitesh lidhjeje me kurtizanen, Sheri detyrohet të martohet me shkuesi me një vajzë të re, por duke mos e harruar dot dashurinë për "edukatoren" e tij, do të zhduket nga realiteti, duke u mbyllur në një botë fantazie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›