E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjergj Prevazi “Danci kontemporan, pse nuk mund t’i thotë jo Shqipëria”

21/09/2011  Një prej pjesëmarrësve shqiptarë në festivalin “Off Europe” që mbahet në Gjermani, kompania e dancit e Gjergj Prevazit është në fakt e vetmja e këtij lloji në Shqipëri. Vetëm pak ditë më parë, nën siglën e saj dhe emrin e Prevazit u mbajt në Durrës edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan. Festivali në këtë edicion u çel nga shfaqja “Ne-Ku-Ndër”, e “Abanian Dance Theatre”, me koreografi të Gjergj Prevazit. Shfaqja, e mbështetur në krijimtarinë poetike të Migjenit dhe Kim Mehmetit zhvendosi problematikat shqiptare të viteve ’30 në kohët e sotme, duke gërshetuar interpretimin e 9 balerinëve me aktrimin e Ema Andreas.

Organizuar nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit”, në festival u prezantuan 13 shfaqje, mes të cilëve pjesëmarrës trupa nga Greqia, Zvicra, Sllovenia, Izraeli dhe Franca.

Në këtë intervistë, Prevazi flet për problemet e dancit bashkëkohor sot në Shqipëri dhe format e kërkimit artistik që iu duhet të ndërmarrin artistët në këtë fushë.

Vetëm pak ditë më parë u mbyll festivali i Dancit Kontemporan i drejtuar prej jush dhe i organizuar për të disatën herë në Durrës. ǒmund të thoni për edicionin e këtij viti?

Festivali u mbyll të shtunën me trupën franceze të baletit “Actuell”. Festivali sivjet prezantoi 13 shfaqje nga të cilat një premierë botërore e trupës nga Izraeli. Gjithashtu prezantoi dy nga 20 shfaqjet më të mira të dancit europian kontemporan të 2010-ës. Me gjithë vështirësitë financiare të këtij viti që dihen, festivali mundi të ruajë nivelin e tij të lartë artistik dhe professional të performancave që performuan në festival, mundi të ruajë strukturën e tij; kam parasysh shfaqjet në Durrës dhe në Tiranë, ëorkshopet etj., tryezat e rrumbullakëta, megjithëse festivali u reduktua nga një muaj në një javë. Relativisht jam i kënaqur me shkallën e shikueshmërisë, megjithëse në disa raste të caktuara kam pritur më tepër spektatorë sidomos specialistë të fushës: balerinë, koreografë, pedagogë. Pasi festivali sigurisht që në radhë të parë bëhet për të kënaqur spektatorët, për të treguar në Shqipëri se kush janë drejtimet, arritjet, kërkimet më të reja në fushën kontemporan, por kjo sigurisht bëhet jo vetëm për spektatorin e thjeshtë por për profesionistët. Mendoj se ata duhet të jenë më të interesuar pasi ne nuk mund të rrimë në të njëjtët pozicione apo në të njëjtat forma të kërkimit artistik në fushën e koreografisë, të themi qoftë edhe si 20 vjet më parë. Teknikat, mënyrat, format, kërkimet, shkollat përparojnë çdo ditë kështu që adiptimi i profesionistëve shqiptarë të fushës me zhvillimet më të fundit të teatrit kontemporan është jo vetëm një obligim profesional por edhe i komunitetit, për të rregulluar të ardhmen paralelisht me teatrin evropian të atij komuniteti vendesh, popujsh, kulturash në të cilin edhe ne duam të hyjmë.

Si e shihni realisht zhvillimin e dancit kontemporan në Shqipëri?

Mbetet problematik. Ka pak aktorë në Shqipëri, të cilët janë vërtet aktivë në këtë fushë. Për mendimin tim jemi ende shumë mbrapa. Sigurisht kërkon politika të qarta, konkrete në këtë drejtim qoftë nga institucionet shtetërore, qoftë edhe nga iniciativat e tjera. Por nuk u bie barra shumë e madhe individëve në këtë rast, se pa investim asgjë nuk bëhet. Por sigurisht mosprania e tyre për të ndjekur këto shfaqje bie në sy për keq. Thirrja është tejet e hapur, festivali është tejet i hapur për bashkëpunim, për debate, për dialogje profesionale gjithnjë në shërbim të këtij arti në Shqipëri.

Çfarë do t’i sugjeroni të rinjve që merren me danc kontemporan në Shqipëri?

Sigurisht që festivali është start shumë i mirë për çdo të ri që do të shohë të prezantojë, të njohë, të komunikojë, të marrë pjesë si spektator, si student në ëorkshope që festivali prej gjashtë vitesh organizon. Të përpiqet të flasë me gjuhën e sotme, me problematikën e sotme të gjithë fenomenet dhe dukuritë që shfaqen në jetën tonë personale, në komunitet e kështu me rradhë pa pasur kompleksin e gabimit por të tentojmë të kërkojmë më tepër rrugë dhe forma të reja të shfaqjes skenike. Në vetvete baleti kontemporan është tejet i hapur, tejet demokratik për të gjithë background-et e mundshme. E rëndësishme është që në skenë të performohet një koncept i qartë, të vijnë risi, të ofrohen qasje të reja dhe interesante, me energji dhe kualitet.

Shpesh keni theksuar se problem kryesor në këtë fushë të artit mbetet investimi dhe përkrahja shtetërore (Kemi parasysh se festivali këtë vit nuk u përkrah financiarisht nga Ministria e Kulturës). Mos ka ardhur koha që vetë artistët të kërkojnë të zhvillohen në rrugë private financimi?

Shpesh gazetarët e bëjnë këtë pyetje. Përse një biznes duhet të mbështesë aktivitetin e një të riu që nuk ka një emër, nuk është në treg dhe nuk ka një publicitet të madh? Ky nuk është art komercial. Nuk mund të presësh për një art jokomercial të investojë komerci. Absolutisht në të gjithë Evropën pjesa më e madhe e gjithë donacioneve që lëvizin vijnë nga shteti. Kur them shteti nuk kam parasysh vetëm një institucion shtetëror dhe as vetëm Ministrinë e Kulturës. Kam parasysh pushtetin lokal, format e ndryshme me të cilat shteti mund të suportojë artin. Kam parasysh ligjin për sponsorizimet që natyrisht duhet parë dhe duhet riparë. Sa janë të gatshëm donatorët privatë që nëpërmjet investimeve financiare të investojnë aktivitete artistike? Ka 1001 forma e 1001 mënyra. Duhet thënë që në start se nëse një vajzë e re ose një djalë i ri kërkon të bëjë diçka, në rradhë të parë ku të gjejë paratë që të japë shfaqjet? Edhe sikur ta bëjë këtë shfaqje pa para, çfarë teatri i ofrohet atij? Kjo varet kryesisht nga drejtuesit e institucioneve, por nuk ka një ligj që ia jep lirë. Nëse një drejtues ësshtë dashamirës karshi një individi në rregull, nëse jo, atëherë si i bie? Mundësitë dhe vendet ku mund të ekspozohet janë të pakta.

Mendoni se publiku në Shqipëri është mjaftueshëm i edukuar për të vlerësuar dancing kontemporan në formën e duhur?

Në çdo fushë të artit publiku ka nevojë të informohet, të edukohet, të marrë informacion, të vijë në sallën e shfaqjes. Sigurisht çdo gjë sot ka lidhje me financat, me publicitetin, me organizime të llojit të bashkëbisedimit. Të gjitha bëhen përmes financave, asgjë nuk bëhet pa financën. Dancit kontemporan nuk mund t’i thotë jo vetëm Shqipëria. Është formë e kësaj kohe. Nuk mund të rrimë gjithnjë te baleti tradicional dhe te folku.

Kompania juaj është e vetmja e këtij lloji në Shqipëri. Si funksionon ajo? Ka një grup artistësh të përhershëm apo “të lëvizshëm” sipas projekteve? Cilat janë projektet aktuale që do të prezantoni pas festivalit?

Kompania jonë nuk ka një grup artistësh “të përhershëm”. Numri I artistëve që angazhohen ndryshon në varësi të projektit. Në projektin e fundit kanë qenë 10 artistë, nëntë balerinë dhe një aktore. Ndërsa në dy projektet në vazhdim kanë qenë vetëm pesë.

Pas dy ditësh nisemi në Gjermani në një festival që quhet “Off Europe”, ku prezantohemi në Lajpcig dhe në Dresden, në dy shfaqje. “Off Europe” është një aneks i një festivali të madh në Lajpcig, i cili ofron nga vende të caktuara të botës dhe të Evropës çdo vit performanca dhe artistë. Në këtë vit është ftuar kompania ime dhe ajo e një djali të ri, regjisor Enton Kaca, dramaturgu Stefan Çapaliku, të cilit do t’i lexohen disa pjesë.

Ne do të prezantojmë dy shfaqje, “Parfumi” dhe “Njeriu në këllëf”. Të dyja së bashku zgjasin rreth një orë e 10 minuta. Do të performojnë në dy teatro, në Lajpcig dhe në Dresden. Duhet thënë se Dresdeni sot është një nga qendrat e dancit në Gjermani dhe Gjermania veçanërisht është në avangardë përsa i përket dancit kontemporan. Është një obligim i madh për tu paraqitur sa më mirë.

Bisedoi: B. Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›