E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbarimi i afateve të burgimit liron 3 nga Banda e Lushnjës

21/09/2011  Gjykata e Krimeve të Rënda liroi dje Hoxhën, Ginën dhe Aliçon nga burgu

TIRANE- Lirohen tre pjesëtaret e Bandës së Lushnjës Afrim Hoxha, Rexhep Gina, si dhe i dënuari tjetër i këtij grupi Arjan Aliço. Vendimi që ka sjellë dhe lirimin e tyre është marrë dje nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Pas dëgjimit të palëve në proces togat e zeza vendosën të lenë në fuqi dy vendimet me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për shtetasit Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu. Ndërkohë që për sa i përket tre të dënuarve të tjerë nga shkalla e parë, Gjykata e Apelit ka vendosur të prishë vendimin fillimisht duke nxjerrë të pafajshëm të pandehurin Afrim Hoxha, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 17 vjet burg për një sërë veprash penale. Ndërkaq Apeli vendosi për një tjetër anëtar të bandës, Rexhep Gina që nga 16 vjet të pësojë ulje dënimi me 10 vjet burg. Por, sipas avokatëve të tij mbrojtës, Gina duhet të lërë qelinë, pasi i kanë përfunduar afatet e burgimit, për shkak se Gina ka kaluar 7 vite burg. Duke llogaritur kohën në paraburgim dhe atë në burg, avokatët shtojnë se Gina automatikisht lirohet, pasi ka përfunduar periudha e dënimit. Ndërkohë i akuzuari tjetër Arjan Alico duket se është në prag lirimi, pasi me dënimin e dhënë dje nga Apeli me 5 vjet heqje lirie, duket se i akuzuari ka konsumuar vitet e burgut. Pritet që lirimi i Arjan Aliços të bëhet për një periudhë më të vonë, ndërsa avokati i tij paralajmëroi se do i drejtohej gjykatës me një kërkesë për shuarjes e masës së arrestit. Për sa i përket anëtarëve të tjerë të këtij procesi, Gjykata e Apelit vendosi që i pandehuri i Bandës së Lushnjës Erjon Cici të qëndrojë në burg, duke lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg dhe Jorgo Muzaka të dënohet me 6 vjet burg. Të gjithë të pandehurit e bandës së Aldo Bares, përfshirë edhe këtë të fundit e kanë ankimuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ata akuzohen për krime tepër të rënda si vrasje, tortura e pengmarrje.

Anëtarët e gjykuar

Akuzat e Bandës së Lushnjës

Të akuzuarit si anëtarë të Bandës së Lushnjës, akuzohen për disa vepra të rënda penale, si vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale, disa vjet me parë, në vendin tonë. Ndërsa, në proces gjykimi në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda është edhe kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Të pyetur rreth vendimit të Gjykatës së Apelit, i cili liron nga qelia tre anëtarët e këtij grupi famëkeq, prokurorët nuk pranuan të japin komente, por shtuan fare shkurt se menjëherë pasi gjykata ta ketë zbardhur vendimin ata do i drejtohen me një rekurs Gjykatës së Lartë, ku do kërkojnë prishjen e vendimit të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›