Berisha, Shqipëria dhe ndryshimi
Ngjarja shokuese dhe e përsëritur e dhunës ndaj një prej gazetarëve të vetëm, që dritaren e emisionit të tij "Faktor +" dhe të gazetës "TemA" ia ka kushtuar korrupsionit, Mero Bazes, na kthen në vitet kur Sali Berisha qeveriste dhunshëm si president i këtij vendi (‘92-‘97), kur gazetarët rriheshin dhe burgoseshin, sepse guxonin. Disa prej tyre, që edhe u burgosën apo u rrahën, sot janë partnerë në biznese me Kryeministrin e sotëm dhe ish-presidentin e djeshëm, ndërsa disa të tjerë, si Zamir Dule, mbetën invalidë përjetë. Por e shkuara dihet, absurdi është se po përsëritet. Po përsëritet në vitin 2009, kur ne presim aq shumë që të liberalizohen vizat. Ndoshta për të ikur... për të mos u rrahur. Kam dashur shumë ta besoj zotin Berisha kur thoshte në vitin 2005 se kishte ndryshuar, pavarësisht se ai kurrë nuk e tha se si ka qenë dhe si ka ndryshuar, por unë thjesht doja të besoja. Doja ta besoja sepse thoshte se do të luftonte korrupsionin, se do t‘u kursente shqiptarëve 3 miliardë dollarë, që vidheshin sipas tij nga qeveritarët, por jo kurrsesi se dora korruptive përreth tij do rrihte një ditë gazetarët. Berisha u betua se nuk do t‘i çonte kurrë më në gjyqe gazetarët për shpifje, si paraardhësi i tij. Shtypi është i lirë - thoshte ai. Më mirë në gjyq do thosha unë, se sa të rrihesh rrugëve nga kushedi se kush, pavarësisht se drejtësia kryesisht, që pas shpërthimit të Gërdecit është më e shtrembër se kurrë. Sot ditët tona prej gazetarësh janë të errëta, jo se nuk dimë se çfarë ndodh përreth Kryeministrit, apo dhe vetë me të, por sepse jemi rrahur, të gjithë, nga disa njerëz të cilët Kryeministri i quan thjesht dhe vetëm fajtorë. Ata janë kriminelë besoj unë, sepse kështu do thoshte zoti Berisha po të ishte në opozitë, sepse emrat e tyre nuk do ngurronte t‘i përmendte, ashtu siç gjente dhe përmendte dikur emrin e vrasësve 15 minuta pas ngjarjes, vetë dhe jo përmes zëdhënëses. Unë nuk dua të them se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe se dhuna ndaj kujtdo është krim, as që Shqipëria është vend aspirant për në BE dhe se kjo që ka ndodhur na përlyen me turp. Unë kam thjesht dhe vetëm një pyetje: Cila polici do ta arrestojë dhunuesin e gazetarit Mero Baze, Rezeart Taçi? Ajo Tatimore, që i bllokoi biznesin e karburanteve në Fier, apo Policia e Shtetit, që u kacafyt me atë Tatimore për ta zhbllokuar atë? Në fakt, historia fillon pikërisht këtu... dhe fajtorët duhen kërkuar gjetiu. Më habit shumë fakti se fill pas zgjedhjeve të 2009-ës, ekranet tona janë mbushur me lajme konfliktesh për pronat, me lajme për ndryshime të dyshimta të ligjeve për pronat në bregdet, apo të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Dhe pas çdo përplasjeje del dikush që është afër Kryeministrit. Kam dëgjuar para vitit 2005 shumë militantë demokratë që thoshin: Të paktën Berisha është i ndershëm. Kam dëgjuar edhe të tjerë që thoshin se Berisha është më i pasur se Nano. Të parën kam dashur ta besoj, kurse të dytën jo. Zoti Berisha i bëri shumë jehonë në vitin 2005 sloganit se ai kishte ndryshuar, kurse në vitin 2009, në zgjedhjet e qershorit, sloganit se Shqipëria po ndryshon. Duhet të presim çdo të thotë në zgjedhjet e ardhshme, ose në rastin më të keq tonin, në vjedhjet e ardhshme. Por natyrisht që ne nuk do të presim gojëmbyllur.