E Diel, 1 Nëntor 2026

Mes parasë dhe humanizmit

Pak ditë më parë, kryeredaktori i lajmeve të "Top Channel", Mentor Kikia, një nga njerëzit më të angazhuar shoqërisht që unë kam njohur, trajtonte në një shkrim rastin e një shtetasit Ndrekë Ismaili, i cili pavarësisht kufizimit fizik me të cilin fati e kishte dënuar, luftonte çdo ditë për të jetuar si njeri normal, por, ndikuar nga ndjeshmëria për mjerimin e një familjeje, vendosi që të heqë një pjesë nga paga e tij shtetërore, për t‘ia kaluar fëmijëve të kësaj familjeje për ushqim.
Në fakt, ky është një argument të cilin e kanë trajtuar të gjitha besimet e mëdha monoteiste, jude, kristian, islam e në vazhdim besime të tjera, sa më thellë në lindje të futesh.
Si duket, njeriu ka trashëguar shumë nga instinktet e kafshës, ku individualizmi dhe instinkti i mbijetesës e shtynte të ishte i pamëshirshëm me konkurrentët. Por organizimi në shoqëri njerëzore, në vend t‘i jepte sigurinë e mbijetesës, i dha njëkohësisht edhe tahminë për të akumuluar më shumë sesa nevojat e tij dhe të ishte i pamëshirshëm në arritjen e synimit.
Të ishte i pajisur me mendjen, i dha armën më të rrezikshme për t‘u përdorur ndaj racës së vet.
Ishin këto instinkte që ishin bërë rrezik për racën njerëzore, të cilat besimet e mëdha tentuan t‘i zbusnin e t‘i mbanin nën kontroll.
Mos vidh; mos duaj gjënë e tjetrit; mos ji koprrac; mos ji krenar; ndaje gjënë tënde me të tjerët; e shumë thënie të tilla të cilat në forma të ndryshme janë në bazat e librave të shenjtë të këtyre feve, me të cilat tentonte të mbante nën fre egërsinë e bishës që vlonte në brendësinë e njerëzve.
Krahas besimeve të mëdha, edhe mendje të ndritura të racës njerëzore krijuan mekanizmin që rregullonte jetët e njerëzve, në fillim në organizimin primitiv fisnor, e më pas me ardhjen e mendjeve të ndritura të helenëve të lashtë me qytete-shtete. E më vonë romakët me republikën e më pas perandorinë e tyre, që hodhën themelet praktike dhe ato teorike të shtetit, si mjet i organizimit e mbrojtje, por mbi të gjitha si pakt social dhe rregullator i shoqërisë.
Shumë klerikë ose njerëz të thjeshtë të cilët shenjtëroheshin, burra shteti dhe liderë, të cilët mbahen mend pas mijëra vjetësh, yje të mendimit njerëzor, janë shënuar në librin e artë të njerëzimit, pikërisht sepse në themel të lëvizjes së tyre kishin qëllimin për t‘i shërbyer dhe ndriçuar njerëzimin.
Aktet dhe veprimet e tyre, ishin shtysa që frymëzonte edhe shumë njerëz të zakonshëm që të kryenin në jetën e tyre veprimtari në mos të njëjta, të paktën të ngjashme me të atyre që kishin mbetur në histori.
Ecja përpara e shoqërisë njerëzore, kalimi i shoqërisë nga stadi primitiv, pastaj skllavopronar, feudal, kapitalist; pastaj ideologjitë e mëdha të shekullit të 20-të, fashizmi e komunizmi, bashkë me iluzionet dhe zhgënjimet që ato prunë; arritja në stadin e sotëm ku një grusht kombesh, gëzojnë një mirëqenie të pashoqe, dhe qindra të tjerë kanë në dyshim ekzistencën fizike, mungesa e opozitës në rang planetar, ku kapitalizmi rezultoi fitimtar, po nuk di çfarë të bëjë me fitoren e tij, ka prurë edhe krizën e madhe të objektit të besimit.
Rrëzimi i teorive të mëdha, ka sjellë që njerëzit të besojnë vetëm në atë që ka qëndruar e pandryshuar në të gjitha kohërat, dhe pasja e saj, gjithmonë të nxirrte nga rreziqet faqebardhë: Paraja.
Kulti i saj ka pushtuar sot botën. Nuk ka gjë që s‘mund të arrish pa të. Mund të blesh nga makinat deri te qeveritë; nga kënaqësitë afrodiziake deri tek ato hedonistike; mund të blesh gjithçka, mjafton të kesh sasinë e duhur.
Janë të rreshtuar në betejën kundër demonit para që nga shkrimtarët, filozofët, klerikët, burra shteti dhe gjithë ata që besojnë te vlerat, jo sepse paraja është krijesë e djallit, por që ajo të jetë mjet dhe jo zot i njeriut.
E kanë kuptuar anën e saj diabolike edhe shumë njerëz të cilët kanë arritur të fusin në dorë shuma marramendëse dhe të mbesin në histori për sasinë e tyre që zotërojnë.
Rrotchild, Morgan, Rockfeler, Frick, Mellon, Vanderbild, Widener dhe për të ardhur në ditët e sotme Gates, Trump, e shumë të tjerë, pavarësisht sasive kolosale që kanë fituar, më vonë i kanë transformuar në të mira të shoqërisë.
Nga pasuria e Andre Mellon lindi në Uashington "National Gallery"; nga bujaria e Rokfeler, lindi "Cloisters", një koleksion i pafund statujash, afreskesh, kapitelesh të blera nëpër Europë; nga tregtari i karbonit Henry Clay Frick qyteti i Nju Jorkut trashëgoi të famshmin "Frick Collection"; nga pasuria e Gates, Trumph etj., kanë lindur fondacione që i kushtohen kërkimit shkencor, arsimit të talenteve, ndihmës ndaj vendeve të varfra e të shumë veprimtarive që kanë në synim përparimin e shoqërisë njerëzore dhe ndihmesën ndaj njerëzve në nevojë.
Shumë prej këtyre miliarderëve, kur ndërrojnë jetë, nga pasuria e tyre shumë pak ua lënë në trashëgim pasardhësve të tyre dhe pjesa më e madhe shkon në fondacione kërkimi ose bamirësie.
Edhe shteti, është ortak në këtë aktivitet dhe jep ndihmesën e tij, pasi e gjithë kjo veprimtari është e përjashtuar nga taksat dhe detyrimet fiskale.
Në ditët e sotme, kur shoqëria njerëzore është kthyer në konsumiste, dhe çdo gjë ka një çmim, shpeshherë lufta duket e pashpresë ndaj fuqisë diabolike të parasë. Por shumë njerëz të ndritur e kuptojnë se një mbizotërim i saj në çdo veprimtari, do deformonte shoqërinë njerëzore, e cila është në luftë më këtë dëshirë, që nga agimet e mendimit njerëzor.
Jam i sigurt se mendimi i parë që na vjen kur lexojmë ose mendojmë për rezistencën që duhet të tregojmë ndaj tundimit të parasë, është idiotësia për një mendim të tillë. E kush është ai që s‘e do paranë?
Është e vërtetë që është e nevojshme dhe të ndihmon të jetosh më mirë, por ka ardhur koha që edhe të administrohet me kujdes.
Është e turpshme kur një biznesmen i cili mezi lexon 10 rreshta, ka miliona euro, shpenzon miliona të tjera në veprimtari pa asnjë kuptim dhe shmanget me miliona nga detyrimi fiskal, nuk shpenzon qoftë edhe 100 euro për t‘i çuar ilaçe një azili pleqsh. A e di ai se me 1 milion euro mund të ishte ndërtuar një azil i ri ku do kalonin ditët e sprasme me dhjetëra pleq të braktisur ose të vetmuar? Me siguri që nuk e ka vrarë mendjen. E pra këtij njeriu i duhen marrë këto para të tepërta, sepse edhe nëse i ka bërë, zotësia e tij është e dyshimtë.
Një biznesmen tjetër i blen një fuoristradë 100 mijë euroshe djalit të tij, i cili s‘i kishte mbushur 18 vjeç, po s‘ka dhënë qoftë edhe një thes me lodra për jetimore.
Mund të shohësh zyra, vila dhe makina qindra-mijëra euroshe në zotërim të pasanikëve të rinj shqiptarë, por ende nuk është dëgjuar që ndonjëri prej tyre të financojë me bursë një fëmijë të talentuar për studime, ose të financojnë një galeri arti.
Kjo është e turpshme dhe e dhunshme ndaj moralit njerëzor.
Nuk është ky shkrim një apologji kundër pasurisë dhe atyre që e zotërojnë, pasi radhëshkruesi është ekonomist dhe e di rëndësinë e parasë. Por është një apel për një shpërndarje më të mençur, të drejtë dhe mbi të gjitha inteligjente të pasurisë, e cila në njëfarë mënyre është edhe e kombit dhe e shoqërisë. Dhe në këtë aksion, shteti dhe mendjet që e drejtojnë duhet të kenë rolin e tyre në rishpërndarjen, ekonomizimin dhe sistemimin e saj. Kështu edhe gjesti i Ndrekës nuk humbet, por bëhet pronë e të gjithëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›