E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 40 kg heroinë, në pranga tre gjermanë e dy shqiptarë

Kakavijë
Heroina është bllokuar dje pasdite në Kakavijë, ndërsa transportohej nga një çift gjerman në automjetin e tyre

Arrestohet në Rinas organizatori i trafikut, ndërsa në Fier, policia arreston edhe dy shqiptarë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë rrjet


TIRANË- Arrestohen nga policia tre shtetas gjermanë dhe dy shqiptarë, pasi organizuan dhe tentuan të kalojnë nga Shqipëria në Greqi 40 kg heroinë në rrugë ilegale. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për llogari të të cilëve është kryer edhe arrestimi i tre "trafikantëve" të drogës më të madhe të sekuestruar ndonjëherë nga policia shqiptare.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se dy shtetasit gjermanë Franc dhe Rexhina Kiacek të arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës kryenin detyrën e transportuesve. Shtetasi i tretë gjerman, Daniel Hengel, i cili mendohet se është organizatori dhe blerësi i drogës në Fier, është arrestuar brenda ambienteve të aeroportit të Rinasit teksa po tentonte të largohej në drejtim të Gjermanisë.

Ndërsa, dy shqiptarët fierakë, të arrestuar në banesat e tyre mendohet se janë organizatorët dhe pronarët e mallit që po tentohej të kalohej në Greqi dhe më pas në shtetin bavarez. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas sinjalizimeve të ardhura në rrugë operative nga policia e shtetit ka organizuar dhe përgjuar me vendim gjykate, personat e dyshuar, që mbrëmjen e djeshme u prangosën për dyshimin e kryerjes së veprave penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndës narkotike" në "kuadër të grupit të strukturuar kriminal" të kryer në bashkëpunim.

Sipas këtyre burimeve, operacioni për arrestimin e tyre është kryer njëkohësisht në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në Fier dhe në aeroportin e Rinasit.

"Arrestimi i dy shtetasve gjermanë, të çiftit Franc Kiacek dhe Rexhina Kiacek që mendohet se po kryenin punën e "korrierëve", është kryer në pikën e kalimit kufitar të Kakavijë, teksa po tentonin të linin Shqipërinë me makinën e tyre të tipit "Peugot", brenda të cilës kishin fshehur në vende të ndryshme 80 pakot në formë tulle të mbështjella me natriban me ngjyra të ndryshme.

Pas arrestimit të dy korrierëve dhe sekuestrimit të këtyre 80 pakove, pesha e tyre për secilën ishte 500 gram, që në total sasia e sekuestruar është 40 kg lëndë narkotike të llojit heroinë"-thuhet nga burimet e prokurorisë.

Ndërkohë, pas arrestimit të dy korrierëve dhe verifikimit të hyrje-daljeve dhe bisedave telefonike të kryera, ka rezultuar se shtetasi gjerman Daniel Hengel që po tentonte të largohej nga Shqipëria për në Gjermani është njëri nga organizatorët dhe blerësit e kësaj sasie droge, që do shkonte nëpërmjet Greqisë drejt Gjermanisë, arrestimi i të cilit është kryer në Rinas.

Prokurorët e çështjes Edvin Kondili dhe Adnan Xholi, pas lëshimit të urdhër-arresteve ndaj tre gjermanëve, ka urdhëruar policinë për të ndaluar edhe dy shtetasit fierakë Zaim Tafa dhe Alban Pëllumbi, që mendohet se janë shitësit e kësaj sasie droge dhe organizatorët e nisjes së mallit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe më pas Gjermanisë.

Gjithashtu, mësohet se tre shtetasit gjermanë, çifti Kiacek dhe Hengel kanë ardhur dy muaj më parë për herë të parë në Shqipëri, ku janë pritur dhe shoqëruar nga dy fierakët gjatë qëndrimit të tyre një javor.

Më pas, janë kthyer në Gjermani për tu rikthyer në Shqipëri ditën e premte, ku kanë ngarkuar drogën në qytetin e Fierit dhe janë nisur për në Greqi, me makinën e drejtuar nga çifti Kiacek.


1. Daniel Englert, datëlindja 61, me shtetësi gjermane
2. Franz Kiacsek, datëlindja 43, me shtetësi gjermane
3. Regina Kiacsek, datëlindja 46, me shtetësi gjermane
Albert Pëllumbaj, 40 vjeç , banues në Patos
Zaim Tafa, 45 vjeç, banues në Fier

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›