E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, si do të merret tapia në hipotekë

TIRANË- Të gjithë personat që kanë marrë lejen e legalizimit të banesës së tyre nga ALUIZNI tashmë kanë mundësinë që të bëhen pronarë realë të ndërtimeve pa leje duke u pajisur edhe me certifikatën e pronësisë që lëshohet nga Hipoteka. Agjencitë Rajonale të ALUIZNI-t kanë përcjellë në ZVRPP informacionin e nevojshëm për të gjithë personat që kanë marrë lejen e legalizimit dhe tashmë atyre u duhet vetëm që të paguajnë tarifën e përcaktuar nga ligji. Dje janë dhënë tapitë e para në rrethin e Elbasanit por burimet e Hipotekës pohuan se ka nisur shpërndarja e tapive në të gjithë vendin.
"Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka hartuar një udhëzim të brendshëm për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të fituara me anë të ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave të ndërtimeve informale. Udhëzimi u është shpërndarë të gjitha Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat tashmë do ta kenë më të lehtë procedimin e regjistrimit të pasurive të legalizuara, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë",- thanë dje burimet zyrtare të Hipotekës. Sipas tyre, qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia Rajonale e Legalizimit, do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Qytetari në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZN-it dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. ZVRPP-të nuk kanë të drejtë t'i dërgojnë qytetarit Akt Verifikimi dhe për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni duhet t'i drejtohet Zyrës Rajonale të Legalizimeve.
Në përfundim të këtij procesi, qytetarët do të pajisen me certifikatë pronësie vetëm nëse zona ku ndodhet prona e tij është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme. Në rast të kundërt, qytetarët pajisen me Vërtetim Pronësie.
Në rastet kur Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve, do të kenë sanksione administrative nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Udhëzimi i miratuar parashikon regjistrimin e lejeve të legalizimit në të gjitha rastet që mund të shfaqen; si në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në pronësi të atij që ka ndërtuar, në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë që është në pronësi të shtetit, dhe në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë në pronësi private. Në rastin e fundit, do të procedohet kalimi i pronësisë nga privat në shtet në bazë të VKM-së për shpronësimet, dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizimit. E. J


ALUIZNI: Çfarë duhet të bëjnë qytetarët

Nëndrejtori i ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu, ka shpjeguar pak ditë më parë se çfarë hapash duhet të ndërmarrin qytetarët për të marrë në dorë tapinë e objektit të tyre të legalizuar. "Ne kemi zgjidhur vetëdeklarimet e ardhura nga njësitë e qeverisjes vendore. Ka grupe të punës në të gjithë vendin, të cilët azhornojnë sipërfaqet me ndërtime. Ne sot themi se 60-70% e të gjithë ndërtimeve informale janë të dixhitalizuara, janë bërë matjet nga grupet e punës. Procesi po vazhdon në terren, pretendojmë që brenda qershorit të azhornojmë të gjithë territorin e vendit. Ky është objektivi që kemi. Pas kësaj përgatiten dokumentacionet, dalin faturat, një nga pikat e faturave është tarifa e shërbimit prej 4 mijë lekësh, pastaj është taksa e ndikimit në infrastrukturë, penalitetet, nëse ka, shuma e lekëve që duhen paguar për kalimin e pronësisë, nëse parcela nuk është e ligjshme",- tha Shehu. Sipas tij, pasi paguhen të gjithë këto detyrime, qytetarët pajisen me lejen e legalizimit dhe nuk kanë më asnjë detyrim. Brenda dy javëve nga pajisja me këtë leje, qytetari merr certifikatën e pronësisë dhe është i lirë të aplikojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme për marrjen e saj, sa herë që i nevojitet.


Ish- pronarët, si do të bëhet kompensimi

Paralelisht me procesin e legalizimit të ndërtime informale punohet edhe në lidhje me ish-pronarët e tokës. ALUIZNI ka shpjeguar se gjatë legalizimit merr edhe informacionin e pronarëve të vjetër në këto troje. "Menjëherë përgatisim dokumentacionin tekniko-ligjor për Vendimin e Këshillit të Ministrave, ku fillon llogaritja në bazë të vlerës së tregut të sipërfaqeve të pronarëve të vjetër dhe bëhet kompensimi i tyre. Ky kompensim del me VKM në bazë të sipërfaqes me hartën përkatëse, për secilin nga pronarët. Ne kemi përfunduar dokumentacionin për një numër të konsiderueshëm pronarësh, thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi bërë gati vendimet për kompensimin financiar të pronarëve të ligjshëm. Pas kësaj bëjmë kalimin e pronësisë, aty ku ka ndërtime informale. Brenda tre muajve, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën likuidimin e tyre. Për çdo parcelë del VKM-ja dhe brenda tre muajve nga miratimi i tij, pronarët e trojeve kompensohen. Ne zgjidhim në të njëjtën kohë pronarët e ligjshëm, duke i kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave për kompensim në vlerë monetare në bazë të vlerës së tregut. Gjithashtu, zgjidhim problemin e pronarëve të rinj, të cilët kanë bërë ndërtimet informale, duke bërë për ta të gjithë dokumentacionin ligjor. Prandaj dhe ne themi sot, se nga të gjitha detyrimet që paguajnë pronarët e rinj, 80% e fondit shkon për kompensimin e pronarëve të ligjshëm dhe 20% përdoret nga njësitë e qeverisjes vendore për urbanizimin e zonës.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›