Gjermanët e Lindjes, ateistët më të mëdhenj në botë

Lajme të këqija për të gjithë ata, të cilët kanë menduar se krishterimi do të bëjë një rikthim, tani kur Gjermania Demokratike nga periudha e Luftës së Ftohtë po bëhet një kujtim gjithnjë e më i largët. Ateizmi, sipas një studimi më të ri, është i gjallë dhe mjaft i përhapur në pjesët lindore të Gjermanisë.
Statistikat janë më të theksuara në mesin e të rinjve nën moshën 28 vjeç: më shumë se 71 për qind e gjermanëve lindorë në këtë moshë kanë deklaruar se kurrë nuk kanë besuar në ekzistencën e Zotit. Në grupmoshat prej 38 deri në 47 vjeç, 72.6 për qind e të anketuarve kanë theksuar se janë jo-besimtarë.
Me fjalë tjera, transformimi politik i ish-Gjermanisë Lindore nuk ka pasur një efekt aq të madh në idetë dhe qëndrimet e njerëzve ndaj religjionit. Përderisa ka më pak ateistë në grupmoshat prej 28 deri në 37 vjeç, ku “vetëm” 63.6 për qind e të anketuarve theksuan se nuk kanë qenë kurrë besimtarë, pjesëtarët e gjeneratave pasuese janë po aq jo-besimtarë, sa edhe prindërit e tyre.
Në studimin e publikuar së fundi, të quajtur “Besimi në Zot përtej Kohës dhe Shteteve”, hulumtuesit që kanë bashkëpunuar me sociologun Tom Smith nga Universiteti i Chicagos, kanë dëshmuar se si besimi në Zot ka ndryshuar me kalimin e kohës.
Hulumtuesit nuk prodhuan të dhënat e tyre, por në vend të kësaj u mbështetën në rezultatet e Programit Ndërkombëtar për Vëzhgim Social (ISSP)-që në vitet 1991, 1998, e më pas edhe në vitin 2008-hulumtoi nivelin e religjiozitetit në shtetet e influencuara nga krishterimi në tërë botën, nga Australia deri në Izraeli dhe nga Rusia deri në Qipro.
Për shkak se rezultatet për Gjermaninë ishin të ndara për Lindjen dhe Perëndimit, doli në sipërfaqe e dhëna se Gjermania Lindore ishte regjioni më ateist në botë. Në këtë vend, 52.1 për qind e të anketuarve u pajtuan me moton:”Nuk besoj në Zot”.
Për dallim, në Gjermaninë Perëndimore vetëm 10.3 për qind e të anketuarve ishin të këtij mendimi.
Në Rusi, SHBA dhe Filipine, rezultatet ishin 6.8, 3 dhe 0.7 për qind. Krahasimi i gjeneratave anembanë botës dëshmon se pothuajse në të gjitha vendet ateizmi është më i shprehur në radhët e rinisë, se sa që është i shprehur në radhët e njerëzve të moshës prej 55 vjet e përmbi, gjë që dëshmon për ndikimin që ka pasur modernizimi në besimet religjioze.
Në Poloni, për shembull, 79.3 për qind e personave mbi 68 vjeç besojnë në Zot, për dallim nga 58.4 për qind të personave të moshës prej 28 deri 37 vjet.
Përjashtimin e vetëm e bën Izraeli, ku besimi në Zot është i shprehur edhe tek të rinjtë. Kjo mund të ndërlidhet me imigrimin e hebrenjve jo-sekularë në Izrael, por autoret e studimit besojnë se kjo ndërlidhet edhe me thellimin e vijave religjioze mes hebrenjve dhe myslimanëve. Kjo garë religjioze pothuajse nuk ekziston fare në pjesët lindore në Gjermani, ngase aty jetojnë shumë pak myslimanë.
Hulumtuesit kanë zbuluar edhe një arsye tjetër për ateizmin në ish-Gjermaninë Lindore, më saktë, trashëgiminë të cilën e kanë lënë prapa nacional-socializmi dhe komunizmi. Por ata gjithashtu përmendin edhe faktin se shumë komunitete sllave dhe jo-ortodokse, që kanë qenë të pranishme në këtë rajon gjatë mesjetës, kanë qenë jo-religjioze, se lëvizjet sekulare gjatë Republikës së Vajmarit, kanë qenë në veçanti të fuqishme në shtetet Thuringen dhe Sachsen.
Studimi dëshmon se Gjermania si tersi zë një pozitë mesatare në nivelin e ateizmit, pasi që besimi në Zot në Gjermaninë Perëndimore është ende tejet i fuqishëm, shumë më i fuqishëm se në shtetet fqinje, siç janë Çekia apo Franca.
Thies Gundlach, nënkryetar i Kishës Evangjelike në Gjermani, thotë se krahasimi mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore nuk është i rëndësishëm.
“Ne duhet të pranojmë se çështja e besimit në Zot është sfida kryesore e të gjitha kishave në Evropë”, thotë ai.
Profesori i teologjisë në Universitetin e Erfurtit, Erberhard Tiefensee, thotë se “nëse Gjermania Lindore është shtet misionar, atëherë mësimet e krishtere duhet t’i adresohen jo religjioneve tjera, por komunitetit stabil jo-religjioz, komunitet i cili është dëshmuar si tejet rezistent ndaj misionarëve të çfarëdo lloji qofshin ata”. (Die Welt)