Greqia pa qeveri uniteti, voton sërish në qershor

Aleksis Tzipras
Greqia do të votojë sërish në qershor, pasi forcat politike nuk ranë dakord për një koalicion uniteti, me gjithë përpjekjet e dëshpëruara të Presidentit grek. Presidenti Karolos Papulias ka përshkruar para liderëve të forcave më të mëdha politike situatën tragjike të vendit, por nuk arriti ti bindë ata se zgjedhjet e reja duhet të evitoheshin. Ai theksoi rrezikun e madh të rrënimit të sistemit bankar në Greqi. Sipas informacioneve nga Presidenca greke, Papulias ka zhvilluar takime në pallatin presidencial me Kryeministrin Lukas Papademos, kreun e qeverisë teknokrate në largim, ministrin e Financave Filipos Sakinidis dhe guvernatorin e Bankës së Greqisë, Jorgo Provopoulos, të cilët që të gjithë sugjeruan se vazhdimi i destabilitetit politik do të çojë në pasoja fatale. Presidenti u bëri një apel dramatik liderëve politikë që të jenë plotësisht të vetëdijshëm për situatën dhe faktin se rreziku është real. Papulias tha: Jam informuar nga Kryeministri, guvernatori i Bankës së Greqisë dhe ministri i Financave se pozita kesh e vendit është katastrofike dhe ekziston rreziku i shkatërrimit të sistemit bankar nëse tërheqjet e depozitave vazhdojnë, për shkak të pasigurisë së qytetarëve të stimuluar nga situata politike. Presidenti shtoi se ai ishte jashtëzakonisht i shqetësuar pasi kishte kontaktuar me presidentin e BE-së, Herman van Rompuj dhe Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shulz, mbi të dhënat ekonomike europiane dhe ka shpjeguar se ne kemi detyrën të biem dakord. Por ata nuk ranë dakord. Zgjedhjet e reja do të mbahen. Alexis Tsipras, lideri më i ri politik në Greqi, ka fituar gjithnjë e më shumë popullaritet me koalicionin e tij të majtë radikal, Syriza. Sondazhet tregojnë se në zgjedhjet e reja Syriza do të fitojë nga 20 në 27 për qind të votave, duke dalë forcë e parë politike.
Ndalen shpenzimet
Qeveria greke ka anuluar dje shumë prej pagesave të llogaritura të buxhetit të vitit 2012, me qëllimin për të ruajtur rezerva për pagat dhe pensionet e qershorit. Kryeministri Lukas Papademos ka nxjerrë një qarkore dërguar Bankës së Greqisë, në të cilën urdhërohet ndalimi i menjëhershëm i pagesave të programuar në buxhetin e këtij viti dhe ndalimi i blerjeve për nevojat shtetërore.