Gjermanët e konsiderojnë “humbje” barazimin 0-0 me Shqipërinë

Edhe pse Shqipëri-Gjermani është luajtur 40 vjet më parë, saktësisht më 17 dhjetor 1967, barazimi 0-0 ende u djeg gjermanëve pasi u detyruan që të mos marrin pjesë në finalet e Kampionatit Europian 1968.
Faqja gjermane në internet rp-online.de e konsideron atë si një humbje, duke e përfshirë në shkrimin me titullin "Legendäre Niederlagen" (Humbje legjendare).
"Gjermania u kualifikua me meritë në Kampionatin Europian 2008, por është koha të kujtojmë edhe disa nga humbjet më të mëdha që kommbëtarja jonë ka pësuar në historinë e pasluftës (të dytë botërore). Legjendare mbetet humbja 0-1 me Gjermaninë Lindore në Kampionatin Botëror 1974 me golin e Shparvaserit, por dhe ajo 2-3 me Austrinë në Kampionatin Botëror 1978. Në Vitin 1986 sërish një humbje 1-4 me Republikën e alpeve. Pas një barazimi 0-0 kundër Shqipërisë në vitin 1967 Gjermania humbi pjesëmarrjen në Kampionatin Europian", - shkruan rp-online.de.
Faqja gjermane kujton edhe humbjet 5-1 me Anglinë dhe 4-1 me Italinë, kur vetëm disa muaj më vonë Gjermania doli e treta në botë. Humbje e thellë e Gjermanisë është dhe ajo 8-3 me Hungarinë në finalet e Kampionatit Botëror 1954.
Kombëtarja gjermane ka luajtur nga viti 1908 gjithsej 798 ndeshje ndërkombëtare. Bilanci: 455 fitore, 164 humbje dhe 179 barazime, golaverazhi 1775:965.