E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhega: “Lorik Cana, edhe për Afrika 2010 me Shqipërinë”

Medin Zhega, ish-trajneri i Kombëtares dhe ish-trajner i Flamurtarit të Prishtinës, pohon se lojtarët kosovarë mund të largohen nga përfaqësuesja e Shqipërisë kur Kosova të fitojë pavarësinë dhe të jetë anëtarësuar në FIFA dhe UEFA. "Një fenomen i tillë mund të ekzistojë", - tha Zhega për televizionin prestigjioz "Vizion Plus".
"Unë besoj se Lorik Cana, Armend Dallku dhe Debatik Curri do të luajnë edhe këtë edicion me Shqipëri pasi kombëtarja e Kosovës do kohë të përgatitet", - shtoi trajneri që ka drejtuar Shqipërinë për 14 muaj (6 shkurt 2000-6 qershor 2001) në 13 ndeshje miqësore e zyrtare (6 fitore, 1 barazim dhe 6 humbje).
"Largime mund të ketë, por jo të asaj mase sa ekipi ynë të shpërbëhet. Fakti është se këta futbollistë (kosovarë) që luajnë me kombëtaren tonë nuk janë të paktë, dhe mund të them se këta janë dhe futbollistët më cilësorë"
Sipas rregullores së FIFA-s nëse një shtet anëtarësohet si një anëtar i ri(në këta rast Kosova), atëherë lojtarët e tij edhe pse kanë luajtur për një kombëtare tjetër (Shqipëria) mund të luajnë për kombëtaren e tyre natyrale (Kosova).
Në këtë rast nuk zbatohet i njëjti rregull si për lojtarët e tjerë që nuk lejohën të aktivizohen me një vend tjetër (Shqipërinë) në rast se kanë luajtur më parë një përfaqësuese tjetër (Gjermaninë).
Rasti më tipik është ai kombëtares malazeze, kur lojtarët e saj pas shbërbërjes së federatës serbo-malazeze në dy shtete të pavaruara Serbi dhe Mali i Zi luajtën pa asnjë lloj kufizimi për përfaqësuesen e Malit të Zi, anëtarit më të ri të UEFA-s dhe FIFA-s.
"Unë besoj se ata do të vazhdojnë të luajnë për Shqipërinë. Pavarsia e Kosovës tashmë është e sigurt, por nuk besoj se ata do të bëhen gati pët të krijuar një ekip kombëtar dhe për të marrë futbollistët që vazhdojnë të luajnë me ekipin tonë. Ne jemi vëllezër të një gjaku dhe do ta ndihmojmë njeri-tjetrin".
Zhega, një trajner me përvojë beson se ekipi shqiptar nuk do të vuajë nga mungesa e futbollistëve kosovarë. "Po të shikosh rreth e qark Europës ka plot lojtarë të talentuar dhe do ta mbushin ekipin tonë. Kam përshtypjen se sërish do të krijojmë një kombëtare të fortë", - përfundon trajneri që fitoi "Kupën Rothmans" gjatë turneut në La Valleta të Maltës në vitin 2000.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›