BB sugjeron eliminimin e pengesave në sistem
Banka Botërore sugjeron se, qeverisë i duhet të rregullojë sistemin e sigurimeve shoqërore në mënyrë të tillë që të eliminojë pengesat e ndryshme që janë futur në sistem si rezultat i përpjekjeve për të “arnuar” problemet sipas rasteve, ose i duhet ta anulojë sistemin dhe të përqendrojë burimet fiskale tek masat për uljen e varfërisë. Në rast se qeveria zgjedh riparimin e sistemit të sigurimeve shoqërore, sistemi që duhet të dalë si rrjedhojë duhet të jetë i vetëfinancueshëm pa subvencionet e stërmëdha që jepen aktualisht nga qeveria, - sugjeron Banka. Sipas Bankës Botërore, e cila do të mbështesë me asistencë teknike reformën e pensioneve në vend, në rast se qeveria merr vendimin për të kaluar drejt pensioneve sociale dhe për t’u larguar nga sistemi kontributiv i pensioneve, do të ishte e vështirë të argumentohej ruajtja e degëve të tjera të sigurimeve sociale, siç janë sigurimet shoqërore. Nga ana tjetër, në rast se qeveria e ruan sistemin kontributiv të pensioneve, duhet të ndërmerren vendime të veçanta, nëse degët e tjera duhet të vazhdojnë të ekzistojnë, dhe në rast se po, në çfarë niveli kontributi dhe përfitimi.