E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët kujtojnë rënien e Murit

Para dy dekadave, ata vallëzuan mbi murin e Berlinit, duke shkëputur nga ai copa të betonit të vjetër dhe duke u përqafuar mes vete.

Atë mbrëmje të ftohtë, vitet e tëra të ndarjes dhe të tendosjeve u shkrinë në realitetin e pabesueshëm të lirisë dhe të ardhmërisë pa rojtarë të kufirit, pa polici të fshehtë dhe pa kontroll të aparatit komunist.

Ceremonitë për shënimin e përvjetorit të 20-të të rënies së murit në Gjermani filluan me koncerte, me shërbimin përkujtimor për 136 personat që u vranë, në përpjekje për ta kaluar murin, në periudhën prej vitit 1961 deri në vitin 1989.

Më 9 nëntor të vitit 1989, me mijëra gjermanë nga lindja filluan të kalojnë në pjesën perëndimore të Berlinit, me qindra mijëra të tjerë që ndoqën këtë shembull gjatë ditëve në vijim.

Dyqanet në Berlinin Perëndimor u mbajtën të hapura deri në orët e vona të natës, ndërsa bankat i dhanë nga 100 marka të gjithë banorëve të Gjermanisë Lindore, si para për mirëseardhje.

Ahengu zgjati katër ditë dhe deri më 12 nëntor të atij viti, 3 prej gjithsej 16.6 milionë banorëve të Gjermanisë Lindore kishin vizituar Berlinin Perëndimor.

Pjesë të murit, të gjatë 155 kilometra, u rrënuan. Turistët filluan të copëtojnë murin, duke ruajtur copa të tij si kujtim. Familjet e ndara u bashkuan. Klaus Hubert Fugger, atëbotë student në Berlinin Perëndimor, ka qenë duke pirë në një bar, kur vërejti arritjen e valës së njerëzve, të cilët dukeshin ndryshe.

Në orët e mesnatës, në vend se të shkonte në shtëpi, Fugger së bashku me tre shokë tjerë shkoi te porta e Brandenburgut, për shumë kohë një tokë e askujt dhe u ngrit në mur.
Ishin skena të jashtëzakonshme, shumë njerëz qanin, ngase nuk mund të besonin se çfarë ishte duke ndodhur, thotë Fugger.

Angela Merkel, kancelaria e parë e Gjermanisë nga ish-lindja komuniste, e kujtoi euforinë që ka mbretëruar atë ditë, gjatë fjalimit që mbajti javën e kaluar para Kongresit amerikan.

Aty kur dikur ishte muri i errët, befas u hap një derë dhe ne kaluam nëpër të: dolëm në rrugë, shkuam në kisha, kaluam kufirin. Të gjithëve ju ofrua mundësia që të ndërtojnë diç të re, që të kenë një fillim të ri, theksoi Merkel.

Muri, të cilin komunistët e ndërtuan në momentin kur Lufta e Ftohtë kishte arritur kulminacionin dhe i cili qëndroi për 28 vjet, është zhdukur pothuajse në tërësi. Disa pjesë të murit qëndrojnë ende, para një galerie të artit.

Shtegu, nepër të cilin është shtrirë muri në qytet, tani është një rrugë, me qendra tregtare dhe banesa. Postblloku Charlie, i cili për një kohë të gjatë ka qenë simbol i pranisë së aleatëve dhe i tendosjeve gjatë Luftës së Ftohtë, është vendosur në një muze në Berlin.

Në ceremoninë e organizuar më 31 tetor në Berlin, Helmut Kohl, kancelari i Gjermanisë i cili i kontribuoi rënies së murit, qëndroi përkrah presidentëve të dy superfuqive të atëhershme, George Bushit të vjetër dhe Mikhail Gorbachevit.

Pas dekadave të turpit, të cilat pasuan pas epokës së nazizmit, shembja e murit dhe bashkimi i Gjermanisë 11 muaj më vonë, mbushi gjermanët me krenari, sugjeroi Kohl.

Nuk kemi shumë arsye në historinë tonë për të qenë krenar. Nuk jam për asgjë tjetër më tepër krenar, se sa për ribashkimin e Gjermanisë, theksoi Kohl gjatë kësaj ceremonie.

Çdo gjë fillojë me një konferencë për shtyp, të organizuar në orët e pasdites nga zyrtarët e atëhershëm komunistë në lindje. Më 9 nëntor të vitit 1989, Guenter Schabovski, anëtar i politbyrosë së Gjermanisë Lindore, kumtoi lajmin se gjermanët nga lindja që nga ai moment do të kenë mundësi të udhëtojnë në perëndim. Annemarie Reffert dhe e bija e tij 15 vjeçare hynë në histori, se personat e parë nga Gjermania Lindore që kaluan kufirin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›