E Diel, 1 Nëntor 2026

Pajaziti: Në Ballkan grupe kriminale të kordonuara

Në Ballkanin Perëndimor ekzistojnë grupe kriminale të koordinuara, të cilat vështirësojnë punën e qeverive të këtyre vendeve, kundër krimit të organizuar. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti gjatë një debati me temë " Krimi i organizuar dhe korrupsioni si pengesë", të organizuar nga Instituti për Studime Politike në Prishtinë. Krimi i organizuar që përfshin trafikimin me qenie njerëzore, me substanca narkotike, me armë dhe të tjera, nuk mund të realizohet në mungesë të veprimit të përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit- u tha ndër të tjera gjatë debatit ku morën jesë politikanë, analistë e ekspertë të kriminalitetit. Sipas Pajazitit, duhet të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë ndërmjet vendeve të këtij rajoni, në mënyrë që të ketë luftim serioz të krimit të organizuar. Ndërkaq, disa përfaqësues të organizatave joqeveritare nga rajoni mendojnë se pjesa më e madhe e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë vullnet politik për t'i nisur veprimet konkrete kundër krimit të organizuar. Lufta kundër krimit të organizuar është një ndër kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për vendet që synojnë integrimin në këtë mekanizëm. Edhe përfaqësuesi i Këshillit të Evropës, Igor Gaon, u shpreh se lufta e krimit të organizuar është e domosdoshme për realizimin e axhendës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Debati u fokusua edhe tek korrupsioni, si pjesë e krimit të organizuar. Ndërkaq, Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, tashmë ka filluar të merret edhe me shqyrtimin e rasteve të korrupsionit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›