E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, Bundestagu nis debatin për buxhetin 2012

Bundestagu gjerman fillon sot këshillimet katërditore për buxhetin e vitit 2012 dhe planin e financimit për periudhën deri në vitin 2015. Projektbuxheti i propozuar nga ministri i Financave Wolfgang Schauble parashikon të dhëna në vlerë prej 306 miliardë euro. Vlera e kredive të reja do të jetë rreth 27 miliardë euro. Ndërsa gjatë këtij viti pritet të merren rreth 30 miliardë borxhe të reja. Ekspertët e koalicionit qeveritar për buxhetin janë të mendimit se futja në borxhe të reja duhet të zvoglohet për shkak të gjendjes ekonomike. Debati i parë pas pushimeve verore do të zhvillohet nën hijen e krizës së rëndë financiare në disa vende anëtare të zonës së euros. Kjo do të dominojë këshillimet në fillim, ndërsa më vonë do të marrë fjalën edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërsa për projektbuxhetin do të votohet me 25 nëntor. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian Herman van Rompuy kanë kërkuar prej Greqisë dhe vendeve të tjera me probleme të mëdha me borxhet, që të zbatojnë reformat e premtuara. Pas një takimi në Berlin ata theksuan se të gjitha vendet duhet të zbatojnë obligimet e tyre për reforma dhe konsolidimin e buxhetit. Merkel dhe van Rompuy i kanë thënë jo kërkesave për përjashtimin e Greqisë nga zona e euros. Kancelarja gjermane pohon se kjo do të mund të shkaktonte një efekt domino shumë të rrezishëm për sistemin monetar. Ndërsa van Rompuy është i mendimit se përjashtimi i Greqisë do të krijonte edhe më shumë probleme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›