E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani dhe Franca kërkojnë rrugë për krizën e euros

Pak ditë para samitit të BE-së në Bruksel, Gjermania dhe Franca kanë ndërmarrë një tjetër iniciativë për të vendosur një rrugë të përbashkët lidhur me daljen nga kriza që ka përfshirë eurozonën nga borxhet. Presidenti francez Nicolas Sarkozy u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel në Frankfurt.

Takimi erdhi në kuadër të ceremonisë së largimit nga detyra të Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet. Merkel dhe Sarkozy nuk dhanë asnjë deklaratë më pas. Gjatë ceremonisë që u zhvillua me këtë rast për largimin e Trichet-s, kancelarja ka theksuar se për shpëtimin e euros dhe zgjidhjen e krizës duhet bërë gjithçka. Edhe ndryshimi i traktateve europiane për këtë qëllim nuk duhet të jetë tabu. "Euro është vullneti i Europës për të forcuar zhvillimet e saj të brendshme" ka theksuar Merkel.

"Euro përfaqëson vullnetin e europianëve për të përballuar së bashku sfidat e sotme. E ardhmja e Europës është e lidhur ngushtë me projektin europian si një e tërë. Dhe unë e them këtë duke cilësuar fjalët: Nëse dështon euroja, atëherë dështon Europa.

Por ne nuk do ta lëmë këtë, sepse e ardhmja e Gjermanisë ishte, është dhe mbetet për ne e lidhur me të ardhmen e Europës" ka theksuar më tej Merkel. Më parë Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso kishte bërë thirrje për forcimin e fondit të shpëtimit të euro-s, EFSF.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›